Vllaznia, gjysmëfinaliste me meritë

Volejboll

Vllaznia, gjysmëfinaliste me meritë

Më: 9 prill 2024 Në ora: 22:06
Foto ilustrim

Vllaznia është gjysmëfinaliste e Play-off për titull kampion në volejboll për meshkuj. Gjithçka ka ardhur pas fitores së pastër 3-0 ndaj Studentit, kjo në ndeshjen që u zhvillua në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” Shkodër dhe që erdhi drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.

Ashtu sikurse kishte premtuar trajneri i Vllaznisë, Artan Kalaja, në përfundim të sfidës së dytë, pra “lojë, luftë e fitore”, ashtu ka ndodhur në fakt. Vllaznia ka sfiduar Studentin e katër brazilianëve si De Naseido Aleksandrino, De Souza N’Guesan, Viktor Gomez e Donda Dos Santos dhe në fund vijon përpara.

Një set i parë që ka nisur mirë për Studentin, që ka kryesuar 7-11, 8-15, 15-18, 23-24. Studenti djeg dy mundësi për të mbyllur setin e parë e pas barazimit 25-25, Vllaznia gjen forcë për të fituar në pikët shtesë, 27-25.

Seti i dytë kryesohet nga Vllaznia; 4-0, 9-3, 12-10, 18-19 e më pas 25-23. Edhe seti i tretë nis mirë për Studentin, që kryeson 8-12, 19-21. Vllaznisë i duhet punë për të përmbysur situatat, që vetëm pas barazimit 25-25 fiton 27-25 dhe krejt ndeshjen 3-0.

Me rezultatin e përgjithshëm 2-1, Vllaznia shkon në gjysmëfinale, të cilat nisin të premten. Partizani – Vllaznia e Erzeni – Tirana çiftet që do të përcaktojnë finalistët për titull kampion në volejboll për meshkuj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat