Tirana - Skënderbeu, në parket për finalen e dytë

Volejboll

Tirana - Skënderbeu, në parket për finalen e dytë

Më: 24 prill 2024 Në ora: 15:55
Pamje nga një ndeshje

Superliga e volejbollit të femrave do të zhvillojë sot ndeshjen e dytë finale ndërmjet Tiranës dhe Skënderbeut, takim që do të luhet në orën 19:00 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.

Në aktin e parë, korçaret fituan me rezultatin 3-0 të dielën në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”, duke e mbyllur me festë para publikut të tyre të shumtë në numër.

Megjithatë, ndonëse dueli i parë u mbyll me rezultat të pastër, ndeshja u nda me diferenca të ngushta pikësh, me të dyja ekipet që rivalizuan fort në parket. Vajzat e Orlando Kojës u treguan më të sakta në momentet kyçe të takimit, duke hedhur hapin e parë drejt titullit kampion.

Tirana tashmë do të kërkojë reagimin në kryeqytet, për të rikthyer baraspeshën në këtë seri finalesh, ndërsa pritet një tjetër duel i zjarrtë që ka në lojë një pjesë të mirë të fateve të titullit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat