Skënderbeu prek titullin

Volejboll

Skënderbeu prek titullin

Më: 25 prill 2024 Në ora: 13:25
Pamje nga ndeshja

Skënderbeu është vetëm një hap larg kurorëzimit kampion i Shqipërisë në volejboll për femra për edicionin 2023- 2024.

Pasi kishin fituar finalen e parë në shtëpi me rezultatin 3-0, korçaret e Orlando Kojës kaluan me sukses edhe betejën e dytë ndaj Tiranës, këtë herë në kryeqytet, duke e çuar avantazhin në 2-0.

Skënderbeu dhuroi një tjetër provë bindëse, duke triumfuar kundër vajzave bardheblu në shifrat 1-3 në takimin e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Ndonëse ishte Tirana ajo që e filloi më mirë lojën, teksa mori setin e parë, korçaret përmbysën gjithçka në një takim që zgjati 1 orë e 52 minuta.

NDESHJA – Tirana e nisi takimin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke dominuar në çastet e para. Vajzat e turkut Karslioglu ishin më të organizuara dhe më të sakta në setin e parë, duke e marrë këtë fraksion bindshëm, në shifrat 25-14. Por me rikthimin në parket për setin e dytë “muzika” ndryshoi, teksa në parket nisi “serenata” korçare. Skënderbeu tregoi shpejt muskujt, duke reaguar fuqishëm, për ta fituar setin e dytë 21-25 me pikën finale me një bllok fitues nga Sara Malaj. Paraqitja e setit e dytë e shtoi edhe më shumë dozën e vetëbesimit në radhët e skuadrës korçare, me miket që shpërthyen në setin e tretë, duke triumfuar më thellë, 18- 25, teksa “match point”-i kishte sërish për protagoniste Sara Malajn.

Edhe në setin e katërt loja nisi më mirë për korçaret, të cilat kishin gjatë të gjithë kohës një epërsi të lehtë, ndërsa Tirana arriti të reagonte në çastet e fundit, me shifrat që shkuan në barazim 23-23. Por me dy blloqe fituese, fillimisht nga Elena Bego dhe më pas nga Fabiana Pesce, Skënderbeu vulosi setin 23-25 dhe të gjithë sfidën 1-3. Kayla Williams me 14 pikë, Sara Malaj me 13 dhe Mariangel Vivas me 10 pikë udhëhoqën ofensivën korçare në “Asllan Rusi”.

Për Tiranën nuk mjaftuan Yanileydis Sanchez me 22 pikë, Enkeleda Braho me 17 dhe Kamani Conteh me 10. Të shtunën në orën 17:00 në pallatin e sportit “Tamara Nikolla” do të jetë radha e finales së tretë, me korçaret që do të kenë në dispozicion “bonusin” e parë për titullin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat