Titulli është nisur drejt Korçës. Kështu po ndodh pas ndeshjes së dytë finale të “play off”-it, në volejboll për femra, me “Bardhekuqtë” e Skënderbeut, që triumfuan me rezultatin e thellë, 3:1, ndaj “Bardhebluve” të Tiranës, në “Sallën Sportive”, të Farkës dhe tani janë vetëm një sukses larg fitores së kampionatit kombëtar.
Përballja nisi e fortë, ashtu siç ishte pjesa më e madhe e përballjes që u luajt pak ditë më parë në Korçë.
Vajzat kryeqytetase luajtën shumë më mirë në setin e parë të cilin e morën me shifrat 25-14. Në të dytin, skuadra e trajnerit Orlando Koja reagoi, ndonëse nuk e pati të lehtë.
Korçaret ishin në avantazh, por kryeqytetaset u afruan deri në 16-18 dhe 19-20, por pa mundur të barazonin.
Skënderbeu barazoi shifrat pasi fitoi setin 25-21.
Seti I tretë nuk pati histori, pasi nënkampionet e vendit triumfuan thellë duke kryesuar deri në 20-9.E njëjta pamje edhe në pjesën e katërt, të fituar përsëri nga Skënderbeu, që tani kryeson 2-0 me ndeshje.
Të shtunën, në orën 17:00 luhet ndeshja e tretë finale e plej ofit në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla” në Korçë. Vajzat e Kojës janë vetëm një sukses larg titullit, ndërsa pritet të ndihmohen nga mijëra tifozë të zjarrtë.