KV Peja e ka fituar takimin e parë të serisë së finaleve të Play-OFF në Raiffeisen Superligën A të volejbollit, pasi e mposhti Skënderbeun 3:0.
Ndeshja nisi mirë për skuadrën mysafire e cila avansoi 12:8 në setin e parë, por “verdhezinjtë” arritën të rikthehen duke e fituar periudhën e parë 25:20.
Seti i dytë ishte më bindës për kampionin në fuqi, pasi e kufizoi Skënderbeun në 16 pikë.
Rivaliteti më i madh u pa në setin e tretë, gjatë së cilit plot 8 herë u barazua rezultati, duke sjellë dramë deri në fund të tij.
Peja fiton edhe në këtë periudhë 25:22, pavarësisht se kjo ishte paraqitja më e mirë e Skënderbeut, gjatë kësaj ndeshje.
Peja me këtë fitore, e bën hapin e parë drejt mbrojtjes së titullit të kampionit, në serinë e finaleve ku luhet me 3 ndeshje të fituar.