Kampioni në fuqi i Kosovës në volejbollin e meshkujve, KV Peja, nuk ka lejuar befasi as në ndeshjen e dytë, kur u gostit në Lipjan nga Skënderbeu.
Verdhezinjtë fituan 3:1, në një ndeshje rivalizuese dhe me shumë dramë.
“Peja e fitoi periudhën e parë 25:23, por që ky avantazh u neutralizua në setin vijues, pasi Skënderbeu festoi me të njëjtat shifra.
Peja u rikthye, kur pati përqëndrim më të madh në momentet përcaktuese për fituesin, në setin e tretë, kur triumfoi 28:26.
Edhe seti i katërt u përshkrua nga dramë e madhe, me Pejën që në fund e siguroi fitoren 25:22.
Ndeshja e tretë e serisë së finaleve, mes Pejës e Skënderbeut, zhvillohet të hënën, në Pallatin e Sporteve “Karragaçi” në Pejë, nga ora 20:15”, - njofton FVK.