Partizani - Tirana, finalja

Volejboll

Partizani - Tirana, finalja

Më: 4 maj 2024 Në ora: 13:59
Pamje nga një ndeshje

Partizani dhe Tirana po dhurojnë një seri shumë emocionuese finalesh në Superligën e volejbollit për meshkuj.

Bardheblutë e filluan në mënyrë të shkëlqyer, për tu shkaktuar dy humbjet e para sezonale në kampionat të kuqve, teksa fituan në finalen e parë 1- 3 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, ndërsa e thelluan epërsinë në 2-0 me ndeshje, duke marrë edhe derbin e dytë e në Farkë në shifrat 2-3.

Sërish në Farkë u zhvillua edhe finalja e tretë, një takim dramatik, me Tiranën që pati në dispozicion pikën e titullit, por Partizani ia doli të përmbysë, duke e fituar setin e pestë në pikët shtesë, për ta marrë ndeshjen 3-2, duke e ngushtuar serinë e finaleve në 1-2.

Finalja e katërt u zhvillua të mërkurën në sallën “Feti Borova”, një takim pa histori, me skuadrën e Ylli Tomorrit që dominoi në çdo aspekt dhe arriti të fitonte pastër 3-0, për të vendosur baraspeshën 2-2 në serinë e finaleve. Tashmë është radha e derbit të pestë dhe të fundit, që do të kurorëzojë edhe ekipin kampion. Sipas kalendarit fillestar kjo përballje duhej të zhvillohej sot në orën 18:00 në pallatin e sportit “Asllan Rusi” me Partizanin pritës, por dëmtimi i parketit për shkak të një eventi krosfiti, ka sjellë ndryshim në axhendë.

Me sallën “Feti Borova” gjithashtu të rezervuar për një aktivitet boksi, ndeshja më e rëndësishme e sezonit në volejbollin shqiptar është transferuar në Farkë, takim që do të luhet sot në orën 18:00. Partizanin synon titullin e 16-të në histori, ndërsa bardheblutë të 12-in, që do të ishte i treti radhazi për ekipin që drejtohet nga Arbeni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat