Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me drejtorin për Sport, Kushtrim Zeqirin, kanë pritur kampionet e volejbollit të Kosovës (KV Drita) të udhëhequra nga Lorik Ilazi.
Volejbollistet e Dritës janë kampione të Kosovës për edicionin 2023/2024, derisa vitin e kaluar fituan Kupën e Kosovës, Kupën e Pavarësisë dhe Kupën e FVK-së.
"Klubi i volejbollit Drita, vajzat e qytetit, janë krenaria jonë. Ato po sjellin tituj vit pas viti, pa reshtur, pa u ndalur", tha kryetari Alban Hyseni, njofton komuna e Gjilanit.
Më tej ai shtoi se nën udhëheqjen e Lorik Ilazit, mjeshtrit të jashtëzakonshëm sportiv, KV Drita ka thyer tashmë të gjitha rekordet.
"Vitet e fundit, që nga qeverisja jonë, mbështetja financiare për sportin është rekorde, sidomos për vajzat kampione. Kjo mbështetje do të vazhdoj, pa ndërprerë dhe duke u shtuar", tha Hyseni.