Kosova paraqitet me tetë garues në Grand Slam

Xhudo

Kosova paraqitet me tetë garues në Grand Slam

Më: 31 janar 2024 Në ora: 11:18
Pamje nga një garë

Nga 2 deri më 4 shkurt do të mbahet Grand Slami i Parisit në xhudo.

Në këtë garë prestigjioze, do të paraqitet edhe Kosova me tetë garues.

Vjet Kosova ishte përfaqësuar në Paris me pesë xhudistë, teksa këtë vit trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka vendosur të marrë pjesë me plot tetë xhudistë.

Në krye të ekipit të Kosovës do të jenë kampionet olimpike, Distria Krasniqi e Nora Gjakova. Po ashtu do të garojnë edhe xhudistet Laura Fazliu, Loriana Kuka dhe Flaka Loxha, si dhe xhudistët Akil Gjakova, Dardan Cena e Shpati Zekaj.

Distria, Nora, Laura, Akili e Loriana vlerësohen me potencial të madh për medalje..

Distria Krasniqi është bartësja e parë në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa për të artën pritet të luftojë me xhudiste si italiania Odette Giuffrida, britanikja Chelsie Giles e izraelitja Gefen Primo.

Nora Gjakova është bartësja e gjashtë në kategorinë deri 57 kilogramë, ku konkurrenca është e jashtëzakonshme. Kanadezet Christa Deguchi dhe Jessica Klimkait janë bartëset një e dy.

Laura Fazliu është bartësja e dytë në kategorinë deri 63 kilogramë, menjëherë pas kanadezes Catherine Beauchemin-Pinard. Ikona franceze, Clarisse Agbegnenou, vlerësohet me potencial për të shkuar deri në finale në këtë kategori.

Xhudistët e tjerë të Kosovës nuk janë në mesin e bartësve. Në ditën e parë të garave, të premten, do të garojnë Distria, Nora e Flaka Loxha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat