Policia e Kosovës ditën e shtunë është autorizuar nga Prokurori i shtetit për arrestimin e xhudistit të njohur të Kosovës, Akil Gjakova.
Ka qenë bashkëshortja e tij, Suela Muminoviq që e ka denoncuar Gjakovën për dhunë, derisa tani ka ardhur edhe reagimi i Akil Gjakovës.
Në një letër publike në rrjetet sociale, Gjakova ka thënë se nuk ka kryer asnjë krim, veçanërisht kundër bashkëshortës së tij.
Gjakova ka thënë se ndodhet jashtë shtetit dhe sapo të kthehet në Kosovë do të përballet me drejtësinë dhe se ai nuk është një person i dhunshëm.
“Pasi kuptova përmes mediave se policia është urdhëruar të më shoqërojë në stacion si rezultat i një akuze për të cilën nuk e di arsyen dhe përmbajtjen, dua të theksoj se nuk kam kryer asnjë krim, veçanërisht kundër bashkëshortes sime. Megjithatë, pasi jam aktualisht jashtë Kosovës dhe nuk mund të kthehem, i siguroj të gjithëve se nuk do të shmang drejtësinë”.
“Nuk jam person i dhunshëm, dhe nuk kam shkaktuar dëme. Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjet e paraqitura në fotot e qarkulluara në media, dhe kjo shpejt do të provohet”, ka thënë Akil Gjakova në një letër publike.
“Pas kthimit tim në Kosovë, do të paraqitem në polici dhe do të kontribuoj plotësisht në hedhjen e dritës mbi faktet që ata ose çdo institucion tjetër mund të kenë interes për to”.
“Edhe pse jam pjesë e rrethanave dhe zhvillimeve të padrejta në të cilat jam përfshirë pa faj, familja ime mbetet e shenjtë për mua. Fëmija im është thesari më i çmuar që kam, dhe do të përmbahem nga komentimi i jetës sonë private në publik”, ka shkruar Akil Gjakova.
Akil Gjakova dhe Suela Muminovic janë të martuar tash e katër vite dhe kanë një djalë nga martesa e tyre.