Vasha e Kosovës e fuqishme, kampione e Evropës!

Xhudo

Vasha e Kosovës e fuqishme, kampione e Evropës!

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 25 prill 2024 Në ora: 13:20 Përditësuar në ora: 20:49 më 25.04.2024
Distria Krasniqi

Distria Krasniqi: Finalja kundër Odettës, ishte vërtet e vështirë

Xhudistja e kombëtares së Kosovës, Distria Krasniqi është e lumtur për suksesin e madh. 

Trimëresha jonë sot është shpallur kampione e Evropës në kategorinë -52 kg. Kampionati Evropian është duke u mbajtur në Zagreb të Kroacisë. 

 “Jam vërtet e lumtur sot, ky titull i Kampionatit Evropian, i pari im në kategorinë deri në 52 kg, do të thotë shumë për mua,” shkroi kampionja olimpike Distria Krasniqi pas kampionatit, për të cilën është titull i dytë i Evropës (i pari 2021), transmeton faqja EJU.

“Finalja kundër Odettës (Giuffrida) ishte vërtet e vështirë, por i qëndrova planit tim taktik.

Tani jam thjesht e lumtur. Udhërrëfyesi im për në Lojërat Olimpike të Parisit po shkon në mënyrë perfekte deri më tani”, tha Distria.

Nëse 28-vjeçarja do të garojë gjithashtu në Kampionatin Botëror në Abu Dhabi (Emiratet e Bashkuara Arabe) në mes të majit, është diçka që ajo do të vendosë: “Nëse më pyesni mua tani, do të thoja se mendoj se do të jem në Kampionatin Botëror”.

Krasniqi ka besim edhe për rikuperimin e bashkëkombësve të saja Nora Gjakova (-57) dhe Laura Fazliu (-63, të dyja të lënduara).

Presidentja Vjosa Osmani pas suksesit të Distrisë: Në Paris, më e fortë se kurrë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është krenare me Distria Krasniqin e cila u shpall kampione e Evropës.

Osmani tha se Krasniqi, kampionia olimpike, tashmë është dy herë kampione e Evropës.

“Jashtëzakonisht krenare! Distria është një frymëzim i vërtetë për xhudistët kudo që janë, duke dëshmuar se me vendosmëri mund të arrihet madhështia kudo. Në Paris, më e fortë se kurrë”, shkroi Osmani.

Krasniqi në finale e mundi nënkampionen olimpike, Odette Giufrida, ndërsa Disi shënoi katër fitore në kategorinë -52 kilogram.

Driton Kuka: Disi Mbretëresha e Evropës nga Kosova ime e dashur

Xhudistja e kombëtares së Kosovës, Distria Krasniqi, është kampione e Evropës në kategorinë – 52 kg. 

Ajo shkëlqeu në Zagreb të Kroacisë. 

Selektori i kombëtares së Kosovës, Driton Kuka, shprehet i lumtur për këtë sukses. 

“Disi Mbretëresha e Evropës nga Kosova ime e dashur!

Kategoria 52 kg, kampione Evropiane qofsh faqebardhë krejt jetën!

Xhudo gjithmonë dhe kurdoherë për shtetin e popullin Shqiptar me punë e sakrificë!

Dominim në Kampionatin Evropian në Zagreb.

Xhudo e Kosovës - institucioni më i fuqishëm i vendit tim, mos harroni asnjëherë!”, ka shkruar Kuka në profilin e tij në facebook.

Agron Kuka: Distria është një prej koloseve të xhudos 

Distria Krasniqi (- 52 kg) është sikur në qiellin e shtatë. 

Xhudistja e kombëtares së Kosovës është kampione e Evropës. 

Ajo në finale e ka mposhtur nënkampionen olimpike, italianen Odette Giufrida.

Kampionja olimpike shkëlqeu në kryeqytetin kroat, në Zagreb.

Agron Kuka, president i Federatës së Xhudos së Kosovës, është krenar me Disin.

A është pritur ky sukses i madh dhe ku u dallua Distria ndaj rivaleve?

“Të them të drejtën në kësi lloj niveli të garës është vështirë të prognozosh edhe pse Distria është një prej koloseve të xhudos marrë parasysh se edhe ka ndërruar kategorinë dhe tani po lënë gjurmë edhe në kategorinë e re me titullin e kampiones evropiane!

Uroj që të vazhdoj me ritmin e njëjtë edhe në Lojërat Olimpike”, thotë Kuka për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Vasha e Kosovës e fuqishme, kampione e Evropës!

(E plotësuar) - Xhudistja e kombëtares së Kosovës, Distria Krasniqi (-52 kg), është kampione e Evropës.

Distria Krasniqi ka treguar klasin e saj në Kampionatin Evropian.

Sypatremja është në piedestalin e lartë.

Kampionia olimpike, shënoi katër fitore, në kategorinë -52 kg, ndërsa në finale mundi nënkampionen olimpike, Odette Giufrida.

Është kjo medalja e gjashtë evropiane e Disit si seniore, e dyta e artë pas asaj të vitit 2021.

Distria ka siguruar medaljen duke u kualifikuar në finalen e madhe.

Distria Krasniqi e trondit spanjollen Ariane Toro Soler, duke e mposhtur thellë.

Distria Krasniqi ka kaluar në gjysmëfinale të Evropianit në Zagreb.

Ajo e mundi kroaten Ana Viktorija Puljiz.

Xhudistja Distria Krasniqi (-52 kg) vlerësohet favorite prë medalje në Kampionatin Evropian.

Ajo e ka nisur për mrekulli, duke ngadhënjyer në luftën e parë.

Në xhiron e parë ishte e lirë, ndërsa në të dytën e mposhti ukrainasen Anna Borodina.

Ndaj saj realizoi uazari të shpejtë e më pas konfirmoi fitoren me Ippon, me mbërthim.

Flaka Loxha u ndal në luftën e parë në kategorinë deri 57 kilogramë.

Ajo humbi në kohën shtesë nga kroatja Tihea Topolovec. Flaka i pësoi tri dënime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat