ShKA “Dardania” kremtoi 28 nëntorin dhe 29 vjetorin e saj me dardanët mërgimtarë

Zvicra

ShKA “Dardania” kremtoi 28 nëntorin dhe 29 vjetorin e saj me dardanët mërgimtarë

Nga: Dashnim Hebibi Më: 3 dhjetor 2023 Në ora: 21:24
Foto nga vendi i ngjarjes

Emrin e Shefqet Cakollit e njohin të gjithë. Një jetë ia dha kësaj shoqërie. Me gjithë familjen ishte dhe është në këtë shoqëri. Jo për të përfituar të mira materiale, por për t'ia falur kohën e kësaj jete, mundin, por edhe kohën me familje, si dhe për të dhënë edhe të mira materiale. Një jetë e tërë, hiq më pak se 30 vjet në këtë shoqëri. Sa e sa koncerte janë mbajtur, sa e sa paraqitje para miqve tanë zviceranë e deri nëpër shtete të tjera evropiane, në Kosovë e në Shqipëri.

Winterthur, 02 dhjetor

Festa kombëtare e 28 Nëntorit në diasporë ka filluar që nga muaji tetor. Edhe pse kaloi nëntori, shumë manifestime po mbahen e do të mbahen deri nga mesi i dhjetorit. Numri i mërgimtarëve tanë siç dihet është i madh në gjithë diasporën, veprimtarët të organizuar nëpër shoqata të ndryshme, po e mbajnë gjallë festën më të madhe te ne shqiptarët, Ditën e Flamurit, ditën e shpalljes së pavarësisë, nëntorin e madh të shqiptarëve. Sado që të shkruaj për manifestimin e mbrëmshëm në Winterthur të Cyrihut me organizim shembullor si gjithmonë nga ShKA „Dardania“ është pak. Mjafton të kujtohet, se kjo shoqatë, po sonte kremtoi edhe 29 vjetorin e saj. Mjafton të kujtohet, se po veprojnë në diasporë, larg atdheut, pa mbështetje financiare të dy shteteve tona. Mjafton të kujtohet, se në këtë shoqëri, janë 100 anëtarë, prej grupit të fëmijëve e deri tek të rriturit. Në këtë shoqëri ka profesionalizëm. Në këtë shoqëri ka kulturë të të punuarit. Në këtë shoqëri ka vullnet të madh pune. Mjafton të kujtohet, se brenda programit të tyre, sa herë i përshtaten valleve me veshje të ndryshme kombëtare të të gjitha trevave shqiptare.

Vërtet është për tu përshëndetur puna e madhe e shoqërisë, prindërve dhe flamurtarit, z.Shefqet Cakolli. Emrin e Shefqet Cakollit e njohin të gjithë, një ambasador i kulturës shqiptare në diasporë edhe ate me plot kuptimin e fjalës e të argumentuar me punën që ka bërë. Një jetë ia dha kësaj shoqërie. Me gjithë familjen ishte dhe është në këtë shoqëri. Jo për të përfituar të mira materiale, por për ti falur kohën e kësaj jete, mundin, por edhe kohën me familje, si dhe për të dhënë edhe të mira materiale. Një jetë e tërë, hiq më pak se 30 vjet në këtë shoqëri. Sa e sa koncerte janë mbajtur, sa e sa paraqitje para miqve tanë zviceranë e deri nëpër shtete të tjera evropiane, në Kosovë e në Shqipëri. Në shikim të parë, me të dalur në skenë, mendojmë, se na erdhën shqiponjat nga atdheu ynë, Ansambli nga Shqipëria apo Kosova. Me një skenë të përgaditur profesionalisht. Musafirët e ftuar me vendet e rezervuara. Gjithçka në rregull. Nga minuti i parë e deri tek i fundit emocione.

Të lindësh në Zvicër, të rritesh shumë larg vendit të të parëve dhe ti këndosh, recitosh e vallëzosh si në atdhe, është për çdo lavdatë.

Edhe pse dhjetori filloi në Zvicër me një borë të madhe, nuk munguan bashkatdhetarë të të gjitha trevave shqiptare që të festojnë së bashku me ShKA „Dardania“ në Winterthur. Në këtë manifesim ishin prezentë, z.Vigan Gashi, konsull i sapo ardhur në Cyrih të Zvicrës, zonja Arjeta Gallopeni, ushtruese e detyrës konsulle e Republikës së Kosovës në Cyrih, pastaj z. Avni Zejnullahu zv. Konsull, zonja e të ndjerit, z.Agron Bajramit me disa pjestarë të Shkollës së Vallëzimit „Shota“, nga LAPSh për Cyrih ishte z. Naser Ulaj, kryetar me bashkëpunëtor, si z. Lulzim Hasi, etj, pastaj, z. Rafet Ademi nga Tërnoci i Luginës së Preshevës, kryetar i Shoqatës Frick në Kt. Argau, përfaqësues të Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me seli në Zvicër. Prezent ishte edhe shkrimtari e publicisti, z.Brahim Avdyli etj. Me një recitim të mrekullueshëm para të pranishmëve u paraqit aktori e regjisori i mirënjohur nga Tirana, z. Llesh Nikolla, që kishte ardhur enkas nga Tirana dhe bëri që të gjithë të pranishmit të duartrokasin gjatë. Sado që të shkruaj për programin artistik me këngë, valle e recitime është pak, sepse ishte përplot e përplot me befasi të këndshme. Kori i fëmijëve me këngën „Mora fjalë“ bënë që edhe të gjithë të pranishmit të këndojnë së bashku. Shefqet Cakolli, drejtuesi i ShKA „Dardania“, pasi përshëndeti të pranishmit dhe uroi 28 nëntorin dhe 29 vjetorin e Dardanisë, falënderoi të gjithë të pranishmit si dhe të gjithë ata që e kanë përkrahur, pa harruar sponsorët. Z. Cakolli përmendi vetë disa vështirësi që ka pasur e që ka dita ditës, por për t'u dorëzuar asnjëherë. Falënderoi të gjithë anëtarët e ShKA „Dardania“ që i kanë qëndruar besnikë. Ndau edhe disa mirënjohje për sponzorët.

Vlen të përmendet, se për këtë manifestim por edhe për të tjera manifestime, ShKA „Dardania“, asnjëherë nuk ka pasur çmim bilete për hyrje në program siç bëjnë disa organizatorë të tjerë nëpër diasporë.

Gati 100 anëtarë janë në ShKA „Dardania“ dhe mbrëmë morën pjesë 86 prej tyre. Siç na tha edhe z.Cakolli, disa prej anëtarëve nuk ishin të përgaditur sa do të duhej dhe përgaditemi për programe të tjera. Ai shtoi, se në programet e ShKA „Dardania“ duhet të jenë të përgatitur maksimalisht, përndryshe nuk mund të dalin në skenë. Kjo na ka mbajtur të gjallë në skenë dhe do të vazhdojmë. Kemi shoqëri të mirë, vërtet më duhet ta them, se ushtrojnë dhe përgaditen me zemër. Po presim dhe kemi besim, se një ditë, ShKA „Dardania“ do të ketë mbështetje nga dy shtetet tona, Shqipëria dhe Kosova. Ne jemi të përgaditur me orkestër, me vallëtarë, me kostume të ndryshme. Është punuar dhe punohet shumë. Programi zgjati tre orë dhe ishte përplot e përplot me emocione. Nuk mundem pa e permendur edhe emocionet e të parit të kësaj shoqërie, z.Shefqet Cakolli, që nga minuta e pare e deri në fund, duke e përcjellur hap pas hapi programin. Sa e sa emocione, sa e sa energji shpirtërore. Respekt! Punë e madhe! Poezi, këngë e valle, një program i përmbushur. Viti 2024 për ShKA “Dardania” do të jetë datëlindja e 30-të dhe po besojmë shumë, se do të kemi një manifestim të veçantë dhe do të jetojë kjo shoqëri brez pas brezi. Po ju lëmë që përmes fotografive dhe një videoje, të përjetoni emocionet e programit, sepse sado që të shkruaj është përsëri pak për ate që përjetuam mbrëmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat