Në Gjenevë shqiptarët festojnë

Zvicra

Në Gjenevë shqiptarët festojnë

Nga: Nexhmije Mehmetaj Më: 5 dhjetor 2023 Në ora: 09:54
Foto nga shkolla shqipe në Gjenevë 1

Dita e shumëpritur për të festuar 111 vjetorin e Pavarësisë erdhi me plot ngjyra gëzimi për mërgimtarët shqiptarë të Gjenevës. Të festosh 28 Nëntorin, festën e përbashkët të të gjithë shqiptarëve do të thotë është nder, respekt por edhe detyrë për gjithë luftëtarët e lirisë e pavarësisë të kombit tonë që derdhen lumenj gjak për të u çliruar nga pushtuesi pesë shekullor turk -osman.

Më 2 nëntor Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” së bashku me shoqatat tjera atdhetare të mërgimtarëve shqiptarë që veprojnë në Gjenevë : “Ansambli Gëzuar” , “Rinia Kontakt”, “ Grupi Hareja” , “Komuniteti Shqiptar në Gjenevë”, “Zhegra” , “Studenti” kremtuan së bashku festën kombëtare 28 Nëntorin, në qytetin e bukur Les Avanchets.

Qindra shqiptarë u mblodhën së bashku me një entuziazëm të pa përshkruar për të kremtuar 111 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Fëmijët të shoqëruar nga prindërit, bashkatdhetarë të gjithë brezave, përfaqësues të ndryshëm, media vinin grupe - grupe dhe uronin njeri tjetrin: Gëzuar 28 Nëntori- Dita e Pavarësisë së Shqipërisë!

Të ftuarit që na nderojnë gjithnjë me praninë dhe mbështetjen e tyre ishin përfaqësues nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Gjenevë, Teuta Agai ambasadorja e Maqedonisë V në OKB, kryetari i komunës Grand Saconnex, e të tjerë.

Programin e filloi kori i nxënësve me interpretimin e Himnit kombëtar, këngën solemne që i kushtohet atdheut, simbolit të kombit dhe Shqipërisë tonë.

Më pas takimin e hapi avokati Liburn Mehmetaj, kryetar i LAPSH si dhe përfaqësues i Këshillit organizativ të këtij manifestimi. Duke i përshëndetur dhe falënderuar të pranishmit shtoi.- Flamuri shqiptar vezulloi më 28 nëntor 1443 në Krujën e Skënderbeut dhe më 28 Nëntor 1912 në Vlorën legjendare. Të rrallë janë popujt që kanë një histori shumë të lashtë të simbolit kombëtar. Dhe ne shqiptarët jemi ata që e mbajmë këtë simbol në zemër dhe në shpirt. 28 Nëntori nuk ishte thjesht një akt i rëndësishëm, një datë historike. Kjo datë shënoi krijimin e shtetit shqiptar, një rrugëtimi të gjatë në të cilin është duke ecur dhe sot. Një ditë e madhe si kjo evokon vlera. Ajo është vulosja e të arriturave si komb, është krenari kombëtare... Ai vazhdoi, foli edhe për rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe tek fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër. LAPSH ka krijuar një fole të ngrohtë për komunitetin, këtu në Gjenevë çdo ditë e më shumë po shtohet numri i nxënësve, por presim që ky numër të rritet në vazhdimësi. Një mbështetje e tillë gëzon dhe do ta gëzojë vlerësimin e komunitetit tonë -tha ai nder të tjera.

Më pas fjalën e mori znj Teuta Agai ambasadore nga Maqedonia V pranë OKB në Gjenevë, një personalitet i femrës shqiptare që foli më shumë se kurrë për atdhetarizëm dhe dashuri njerëzore. Kumbimi i fjalëve të saj drejtuar të pranishmëve mori një ngjyrim mjaft të fuqishëm. Rrugëtimi i saj në promovimin e vlerave kombëtare ishte tepër e vështirë si bijë e një familje të persekutuar. Ndër të tjera i porositi fëmijët shqiptarë që asnjë mos të mungojë nga shkolla shqipe. Shkolla është vatër e promovimit të vlerave tona kombëtare që nga historia e lashtë e deri në ditët e sotme...

E shtuna ishte një ditë e veçantë... aq më tepër në fytyrat e nxënësve të shkollës shqipe të Gjenevës, shihej gëzimi sidomos tek ata që ishin në programin festiv shkollor. Në poezitë që recituan dhe këngët që kënduan kishte shumë çiltërsi dhe dashuri për gjuhën e të parëve. Kostumet popullore të fëmijëve, serioziteti me të cilën ata u paraqitën në skenë ishte një sukses i plotë.

Emocione të papërshkrueshme e kanë pushtuar sallën kur në skenë u ngjitën artistët e këngës shqipe bashkëshortët Shpejtim dhe Afërdita Krasniqi të shoqëruar nga djali i tyre Elioni, një familje e mrekullueshme, model nga Prizreni i Kosovës që me zemër ruan e kultivon muzikën shqiptare.

Aktivitete të larmishme dhe të arrira zhvilluan të gjitha grupet artistike e kulturore që ishin të pranishme.

Është e pamundur që t’i fiksosh të gjithë, por një gjë është e sigurt:

I gjithë aktiviteti u shoqërua me këngë patriotike, nën sfondin kuq e zi, sollën kulturën burimore para shikuesve të shumtë, që u shoqëruan gjatë me duar trokitje.

Në ketë mes që i pranishëm edhe këngëtari i mirënjohur Nimon Mushkolaj.

Z. Nasuf Nuhiu kryetari i shoqatës Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, pati një fjalë rasti, vlerësoi suksesin e studentëve shqiptar dhe shpërndau nga një Mirënjohje.

Në ketë eveniment plotë emocione vallëzuan dhe kënduan e na treguan sa mirë është kur bashkohesh nën tingujt e gjuhës shqipe.

Në fund pjesëmarrësit e shumtë bënin foto me njeri tjetrin, takoheshin me emocion dhe dashuri duke u larguar me mbresa nga më të mirat për këtë veprimtari të shkëlqyer e të përkushtuar në nderim të 28 Nëntorit – Dita e Pavarësisë së Shqipërisë.

Gjenevë, 04. 12. 2023 Nexhmije Mehmetaj

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat