Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në ceremoninë hapëse të sallonit të mobileve dhe prodhimeve të drurit të prodhuara në Kosovë, të kompanive Mobile Dekor, Shehu L.L.C dhe AMW Interior, biznese këto nga diaspora jonë në Zvicër.
Në fjalën e tij, Kurti tha se kjo është dëshmi e qartë e potencialit të cilësive që vijnë nga prodhimet tona, dhe një dritare drejt tregjeve botërore për mobiliet “Made in Kosova”.
“Ne në Kosovë, kemi bërë përparime të jashtëzakonshme në demokraci dhe sundim të ligjit në këto tre vjetët e fundit, dhe kjo padyshim që ka frymuar një zhvillim të shpejtë edhe të sektorit privat. Me një renditje nga Freedom House si vendi i tretë në botë për përparim në demokraci, dhe duke i shtuar rezultatet më të mira në vendin tonë prej se jemi çliruar, kemi dëshmuar angazhimin tonë i cili konsiston në kombinimin e zhvillimit ekonomik me progres demokratik”, shtoi kryeministri.
Ai tutje theksoi se edhe përmes luftimit të korrupsionit kanë ndihmuar në krijimin e një shoqërie më të drejtë e më të barabartë që ka sjellë rritje ekonomike, sidomos rritje të eksportit dhe të investimeve të huaja.
“Kompanitë tona jo vetëm që prodhojnë mallra me cilësi, por ato janë të afta edhe të qëndrojnë në tregjet ndërkombëtare, e kjo sjell rritje ekonomike, krijon vende pune, por gjithashtu e përmirëson dhe imazhin dhe reputacionin e shtetit tonë në botë”, deklaroi kryeministri Albin Kurti.