Florim Useini: “Të jemi më të bashkuar dhe të punojmë shumë më seriozisht për brezin e ri“

Zvicra

Florim Useini: “Të jemi më të bashkuar dhe të punojmë shumë më seriozisht për brezin e ri“

Nga: Dashnim Ebibi Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 17:50
Florim Useini

„Afaristët shqiptarë kanë arritur majat e suksesit dhe qëllimi është që në këto maja të ndërtojmë ura lidhëse që të bashkëpunojmë dhe njëkohësisht ti rrisin edhe ato që janë duke u ngjitur dhe ti nxisim edhe ato të tjerët që të nisin të ngjiten. Ne vlersojmë, se është themelimi i shoqëris aksionare, që të thyejmë thënjen e vjetër ,,Tre shqiptar nuk bëhen bashkë“. Pra, munden të bëhen bashkë dhe të kenë suksese“, na tha ndër të tjera, z.Useini.

Regensdorf, 14 shkurt

Z.Useini, fillimisht ju falënderoj për kohën që keni ndarë për të bashkëbiseduar. Kësaj here do të mundohemi të flasim për disa gjëra që kryesisht nuk i kemi dëgjuar nga disa intervista që i keni pasur në disa medie vizuele. Jemi në muajin shkurt të vitit 2024, besojmë shumë, se keni bërë llogaritjen e vitit që e kemi kaluar. Rezultati i suksesshëm, apo duhet edhe ma shumë angazhim?

Ju falënderoj edhe juve shumë për mundësinë që po më jepni dhe përshëndes të gjithë lexuesit tuaj kudo që ndodhen. Kur flasim rreth aktivitetit të rrjetit padyshim që jemi të kënaqur me rezultatin e arritur deri më tani duke krahasuar me atë nga jemi nisur, ndërsa nëse shikojmë potencialin tonë, atëher jemi në pragun fillestar dhe duhet edhe shumë angazhim, seriozitet dhe profesionalizëm.

Kur është themeluar Rrjeti i Bizneseve dhe pse quhet rrjet i bizneseve?

E themeluam në vitin 2018 në Kriens të Luzernit dhe e emëruam rrjet për të rrjetëzuar bizneset në veçanti shqiptare që të ndërtojnë kulturën e bashkëpunimt të rregullt e të mirëfillt sepse kemi potencial, kemi kuadro dhe vetëm kështu mund të jemi më të fuqishëm e në veçanti në Zvicrën Qëndrore.

Sa anëtarë i keni?

Nuk e kemi shikuar që domosdoshmërisht të kemi një numër të madh të anëtarëve. Qëllimi është të kemi anëtar aktiv, që janë të përkushtuar për bashkëpunim. Për momentin kemi rreth 50 anëtarë që janë aktiv.

Kush mundet të jetë anëtarë në këtë rrjet?

Po, afaristë që nuk ka probleme me shtetin. I regjistruar në regjistrin e firmave dhe që është i gatshëm në fillim të ofroj punë e pastaj të pranoj punë, sepse shumica gjithmonë dëshirojnë vetëm të marrin e jo të ofrojnë, gjithashtu kemi lënë hapësirë edhe për të rinjtë, që dëshirojnë të krijojnë një biznes, munden të anëtarsohen si anëtar pasiv me një shumë modeste.

Sigurisht, se puna që bëni është vullnetare, pra nuk keni paga apo mëditje?

Po, kryesisht siç e dini edhe ju në diasporë, shoqatat në përgjithësi veprojnë me vullnet, pa paga e mëditje. Vullneti është i madh dhe qëllimi. Kështu mërgata jonë ka punuar me vite nëpër shoqata të ndryshme dhe tash ka ardhur koha, që të organizohemi edhe në forma të tjera organizimi, siç është kjo e rrjetit tonë dhe veprime të tjera. Është për të përshëndetur të gjithë që veprojnë, sepse dihet, të gjithë jemi me angazhime këtu në Zvicër, por ndajmë kohë për rrjetin tonë.

Çka keni më ndryshe ju si rrjet nga disa shoqata apo bashkësi biznesesh shqiptare nëpër diasporë?

Respekt për të gjithë që veprojnë nëpër shoqata. Kontributi i shoqatave tona dihet se ishte i madh në ditët më të vështira që i ka pasur nevoj Kosova dhe trojet tona të tjera. Ne jemi të orientuar në produktivitet e aktivitet solid me rezultate e jo në numra për të pasur masë, punojmë me hapa të vegjël për të bërë traditë bashkëpunimin e jo biznes ditor dhe kjo trajtohet në grupe apo masë më të vogël dhe padyshim se e dëshiron kohën e saj sepse tradita apo kultura nuk blihet ajo ndërtohet. Poashtu ne këtë e dëshmuam me krijimin e një shoqërie aksionare „Union Invest AG“ që ju bashkangjitën 19 aksionar dhe me të investojnë për momentin në patundshmëri dhe e fundit është, që ne nga të tjerët kemi seriozitet, energji, durim, jemi transparent me gjithçka dhe mbi të gjithë kemi modestin. Pra, çdo rezultat i mirë që vjen, nuk i japim të mira vetes, por bashkësisë. Duam të ndajmë rezultatet së bashku e jo individit.

Cili ishte qëllimi kryesor i formimit të këtij rrjeti?

Afaristët shqiptarë kanë arritur majat e suksesit dhe qëllimi është që në këto maja të ndërtojmë ura lidhëse që të bashkëpunojmë dhe njëkohësisht ti rrisin edhe ato që janë duke u ngjitur dhe ti nxisim edhe ato të tjerët që të nisin të ngjiten.

Na thoni drejt, jeni pritur nga institucionet tona, qoftë në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni të Veriut?

Nuk kemi pasur takime drejpërdrejt në institucione, por kur takohemi me ta, na lavdërojnë për punën që po bëjmë. Ne jemi të hapur për bashkëpunim me të gjithë.

„Mbi 50% të vendasëve janë të interesuar që secili të krijoj biznesin në vendlindje“

Nëse do t`ju ofrohet ndihmë nga institucionet tona e kam fjalën në atdhe, ku do të kishit dashur që të merrni ndihmë, apo sugjerime?

Rrjeti si urë lidhëse ka potencial të dërgoj një numër të madh investorësh të huaj, kuptohet nëse priten sipas ligjit e jo maliqit, e të mos flasim që mbi 50% të vendasëve janë të interesuar që secili të krijoj biznesin në vendlindje. Mendoj që me shumë produkte mund të furnizojmë tregun e jashtëm, por afaristët, buqësia, blegtoria, prodhimi duhet të motivohen nga shteti, të ndahen sunvecione apo kredi për zhvillm biznesi dhe paralel furnizojnë edhe tregun e brendshëm, por duhet rritur kostot e produkteve nga jasht që të mos jenë ndër çmimin e tregut të brendshëm, e atëhere prodhusi rritë prodhimin dhe mund të kap tregun me çmimet e kohës. Ne dëshirojmë ndihmë më tepër nga shteti që ato për veti të krijojnë shumë sinqeritet, seriozitet dhe tek korrupcioni. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ekspert që të hapen dyert e sukseseve, sepse siç dihet ne po veprojmë në një shtet të ligjit dhe jemi për ligj, që të mos shkoj suksesi ndër tavolina, por të shihen realisht dhe duke respektuar ligjet.

Ju kemi përcjellur se keni pasur aktivitete të shumta, cili është për ju më i suksesshmi?

Po, është e sakt. Ne kemi pasur disa aktivitete dhe të gjitha kanë qenë të suksesshme. Sepse punojmë me seriozitet dhe përgjegjesi. Ne vlersojmë, se është themelimi i shoqëris aksionare, që të thyejmë thënjen e vjetër ,,Tre shqiptar nuk bëhen bashkë``. Pra, munden të bëhen bashkë dhe të kenë suksese.

Mendoni, se shtetet tona do të duhej që të bashkëpunojnë më shumë me rrjetin?

Patjetër, duhen mbajtur seminare, forume ekonomike, konferenca dhe krejt të mundurat për të trajtuar temat nga më të ndryshmet, duhet hapur zyra që të jenë në kontakt bashkëpunimi vendi me mërgatën. Duhet emëruar përfaqësues të ndryshëm nga mërgata që të jenë pjesë e ministrisë së jashtme, ekonomike, buqësore dhe deri në parlament. Nëse rrjeti apo mërgata nuk kanë lidhje të rregullt atëhere gjithçka pasivizohet si në ekonomi ashtu edhe në kulturë dhe në çdo fushë tjetër, dhe emërimet e tilla janë më efikase nëpërmjet shoqatave në përgjithësi, se sa ato individuale.

Jeni të shtrirë edhe nëpër shtete të tjera ku ka mërgimtarë?

Rrjeti i Biznesit është në shumë shtete dhe diku më funksional e diku më pak si dhe diku në themelim e sipër dhe kuptohet që në çdo shtet funksionon pak më ndryshe, por shoh që edhe këtu ka edhe shumë hapsir për angazhim për ura lidhëse më të fuqishme dhe aktivitete më bazike dhe produktive.

Keni pasur dhe keni mbështetje nga z.Lazim Destani biznesmen i suksesshëm shqiptar, filantrop, aktivist, humanist?

Po. Është nder dhe kënaqësi dhe u jemi shumë mirënjohës. Z. Lazim Destani është edhe kryetar nderi i rrjetit global. Përkrahja më e madhe për ne është përvoja dhe rrjeti i tij, që hapë shumë dyer dhe shkurton shumë rrugë. Për ne është nder i madh që e kemi një personalitet të tillë dhe sinqerisht u jemi mirënjohës, që çdo herë ka qenë afër nesh, sa herë që kemi menduar se do të duhej të jetë në mesin tonë. Prezenca e tij na bënë edhe më të fortë dhe motivues.

Po me afaristë të tjerë të njohur shqiptarë?

Më duhet ta them, se sa më i njohur të jetë afaristi aq më të vështirë e kemi bashkëpunimin, sepse koha e tyre është tejet e stërngarkuar që vështirson prezencën dhe komunikimin e rregullt. Ata janë tejet të hapur dhe human, por te ne është problemi, që nuk lypim sponzorë apo humanizëm, ne kërkojmë vetë afaristin, përvojën e tij, idet e tyre që i kanë bërë disa herë lektorimin. Ne duam të ndërtojmë kulturën e punës dhe bashkëpunimit si e kanë rrjeti i judëve, apo ai turk e shumë të tjerë, sepse traditën mundemi t`ia lëjmë gjeneratave të reja dhe të vazhdojnë, se pasuria vjen e shkon, ajo nuk ndikon në ngadalsimin e asimilimit.

Keni pasur takime me biznesmenë zviceranë?

Po, kemi pasur nëpërmjet rrjetit të industrisë dhe tregtisë poashtu edhe individual që i kemi informuar, por ne me ato si biznese bashkëpunojmë rregullisht, por problemin apo qëllimin e kemi te bashkëpunimi në mes veti. Por atyre ju pëlqen ideja, koncepti dhe organizimi, marrim pjesë në evenimentet e tyre dhe janë të hapur për ndihmën që ju kërkojmë.

Në Zvicër sa jemi të informuar, egziston edhe një union, rrjet apo shoqatë tjetër e biznesmenëve shqiptarë?

Diku, aty nga viti 2013 një pjesë e madhe e masës kanë qenë të informuar kur eshtë themeluar rrjeti në Zvicër, pastaj ajo ka pasur pasivitetin e saj dhe u largua nga vëmendja e afaristëve dhe me themelimin e rrjetit në Zvicrën Qëndrore filloi përsëri një zhurmë në thirrje, por ne do të vazhdojmë dhe jemi për bashkëpunim.

Megjithate, ju nuk jeni ndalur, keni pasur aktivitete dhe suksese?

Patjetër, që koncepti jonë është të informojmë masën gradualisht duke lënë kohë për t`i informuar mirë, duke provuar bashkëpunimin, duke shikuar a po e gjejnë veten në rrjet, nëse dikush largohet pas një viti e provojmë përsëri dhe e gjithë kjo dëshiron kohën e vet dhe për këtë arsye shikojmë thirrjen në masë të madhe, sepse mendojmë se ajo do të jetë e përkohshme ose jo aq produktive sa ka potencial.

Dita ditës, në Zvicër po kemi firma të reja me pronarë shqiptarë. Keni një numër të saktë, se sa firma shqiptare janë në Zvicër?

Për fatë të mirë po krijohen shumë biznese, ndërsa e keqa është, se nuk ka evidenca të sakta edhe përse për ne si rrjet është shumë e vështirë për të bërë një gjë të till, por ministria e jashtme, ambasadat, duhet të mundësojnë procedura që në bashkëpunim me ne apo rrjete në përgjithësi, do të mundësohej një sistem i till evidentimi.

Ka ardhur koha, që të përkujdesemi më shumë për gjeneratat e reja që po lindin e po rriten në Zvicër, duke e ditur, se tash, kemi dy shtete shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën si dhe ai i Maqedonisë së Veriut me kryeministër e ministra shqiptarë, pra nuk është ajo kohë, kur është dashtë, diaspora shqiptare të ndihmoj shumë?

Padyshim, që e kemi lënë veten pasdore, duhet të krijojmë gjëra që gjenerata e re të kyçen dhe më pas ti lëvizin ato, prandaj e ceka më herët ato kanë një kulturë pune që e mësojnë në gjuhën gjermane, ne duam të ndërtojmë kulturën e punës shqiptare, që t’ ia lëjmë gjeneratës, se ky veprim ngadalson asimilimin, sepse afaristi i ri me buxhet të mirë që ja lenë baba ka për ti interesuar shumë pak vendlindja, e të mos flasim fare për atë që nuk e ndjekin as mësimin shqip. Besoj, që ky është treni i fundit për ne për të punuar për veten tonë apo gjeneratën e re. Të jemi më të bashkuar dhe të punojmë shumë me seriozisht për brezin e ri.

„Ne u jemi mirënjohës Zvicrës dhe popullit të saj“

Ku sipas jush, duhet të përqendrohet më shumë diaspora jonë?

Vetëm në vetëdisim-individual dhe pas në ngadalsimin e asimilimit. Pse thuhet, shiko veten pastaj të tjerët. Na duhet uniteti më shumë. Secili ekspert i fushës të jetë në krye të detyrës dhe të tjerët të jenë në përkrahje. Nuk shkon me inate. Ta ruajmë gjuhën tonë, traditat tona, sepse edhe shteti zviceran, na ka mundësuar, që të gjitha mundësitë, që ne ta ruajmë gjuhën tonë. Kemi përkrahje nga shteti zviceran. Kemi siç e dini gjithçka si në atdheun tonë. Të gjitha të drejtat i gëzojmë dhe jemi me të drejta të barabarat si zviceran të jemi. Ne u jemi mirënjohës Zvicrës dhe popullit të saj.

Me datë 17 shkurt në Luzern, do të organizoni një konferencë dhe janë të ftuar shumë personalitete. Mundeni t`na njoftoni më hollësisht?

Më duhet thënë se interesimi ka qenë shumë i madh, por shkak të datës, duhej disa personalitete të jenë pjesë e programit shtetëror dhe nuk mund të jenë pjesë e jona, por përsëri, do kemi prezent përfaqësues të tyre si zv.ministra, diplomat nga të tre shtetet, shkencëtar, Filantropin, z. Lazim Destanin, afarist nga Shqipëria, Kosova, Maqedona, Lugina e Preshevës, rrjete dhe unione të ndryshme. Me idenë, që të përfshijmë shumë fusha të ndryshme dhe të marrim sygjerime nga këndvështrime të ndryshme për rrugëtimin më të lehtë dhe të mirfillt për të ndërtuar kulturën e biznesit, prandaj edhe tema e ditës do të jetë: ,,Sfidat e kulturës së biznesit``, nga kjo do të nxjerrim një konkluzion dhe poashtu, do të shtypim edhe një përmbledhje me punimet dhe fjalimet e këtij takimi dhe pa humbur kohë ti kapemi punës edhe me më shumë energji e përkrahje.

Për konferencën e 17 shkurtit, keni mbështetje nga institucionet tona apo këtë e keni bërë me mundin e afaristëve shqiptarë si zakonisht?

Mbështetje nuk ka pasur dhe e vetmja mbështetje është, që ata të gjejnë kohën, që të marrin pjesë dhe kjo rutinë është bërë aq normale deri më tani, saqë, as ne nuk presim diçka konkrete më.

Nga kush keni pritur ndihmë si Rrjet i Biznesve në Zvicër dhe nuk ju ka ofruar?

Nuk jemi mësuar në luksin e asaj për t`na ndihmuar dikush, gjithmon jemi munduar me forcat tona të kryejmë punët tona, prandaj nuk kemi pritur.

Besoni, se edhe gjeneratat e reja do të merren me organizime të tilla, thuajse humanitare, sepse nuk ka përfitime personale?

Besoj, se do merren, por edhe besoj dhe shpresoj se edhe do ta ndryshojnë edhe konceptin e organizimit, dhe kam bindjen, se ajo do jetë më mirë për ato. Kemi një rini të mirë, ku dita ditës po korrin suksese në fusha të ndryshme dhe kjo na gëzon shumë.

E keni filluar vitin e ri me një konferencë të madhe, që do ju ketë lakmi edhe shtetet tona, pra konferenca të tilla nuk është e lehtë të organizohen. Do të presim edhe organizime të nivelit të tillë edhe gjatë muajve në vazhdim?

Synimet tona janë gjithmon të bëjmë më të mirën ndërsa formati nuk na ka interesuar shumë, ndoshta do të vazhdojmë me forume ekonomike, apo me seminare për të trajtuar tema të rregullta për të thithur informacione më të reja për anëtarët tanë, por e gjitha varet edhe nga sygjerimet apo konkluzionet që do të dalin nga kjo konferencë dhe pastaj, do të zhytemi në drejtimin, që do të jetë më praktik.

Shumë angazhime, shumë kohë, energji, por edhe shpenzime nga xhepi. Nga e gjithë kjo energji?

Koha është shumë me vlerë, këtë ma mësoj besimi im fetar, që kur isha i ri, prandaj mbaj ditar dhe raportoj aty ku e shpenzoj kohën ditore. Bazohem në atë fetare që obligohem në fushat e ndryshme të japë kontributin tim edhe atë çdo ditë dhe nuk më hynë në punë se sa i kryejnë të tjerët detyrat e tyre unë po i kryej të miat. Mendoj, që sa më të fuqishëm e kam besimin në Zot aq më tepër e kam obligim të kujdesem për tokën me qera që e kam në shfrytëzim nga Zoti, kujdesin për ambientin apo rrethin ku jetoj që e quajmë Komb, për të pasur një jetë produktive dhe për të pasur një histori që të mund ta lexoj në ditarin tim, që e quajnë kultur apo traditë që nëpërmjet shikimit e vjedhin fëmijët e mi nga unë. Të bëjmë mirë, të lëjmë gjurmë për të mirë, sepse nuk jemi të përjetshëm.

Jeni veprimtarë i dëshmuar, a po vjen ajo kohë, kur po sheh gjithandej përçarje, mos bashkëpunime të sinqerta, që ti thoni vetes, nuk shkon më, do të ndalem?

Nuk dua ti shoh, por i dëgjoj por nuk ndalem aty. Preferoj energjin pozitive, meqë Zoti na dha të drejtën për të vendosur atëhere e zgjedhi pozitiven dhe vazhdoj, disa here është mirë të provosh edhe një hap më tepër nga ajo ku janë dorzuar të tjerët. Nuk do të ndalem asnjëherë me ato mundësi që do të kem. Ka veprimtarë të mirë që punojnë e kontribuojnë për të mirën e përgjithshme. Ne shqiptarët në përgjithësi jemi të njohur për bëmirësi e paqe.

Folëm edhe për projekte të tjera që i keni ndërmend ti bëni, por për hirë të korrektësisë, nuk dua të zgjatemi, meqë të premtova, se do ta mbaj për veti, deri sa të fillohet nga ana juaj për të mirën e komunitetit tonë. Padyshim, se kemi edhe për shumë tema të tjera të flasim, por duhet kuptuar mundësinë e hapësirës në medie të shkruara, sepse keni pasur suksese të shumta deri më sot, por ia lëjmë kohës, që të bashkëbisedojmë për sukseset e ardhshme. Deri atëherë, gjitha të mirat.

Sinqerisht, u jam shumë mirënjohës edhe për këtë intervistë dhe për përkrahjen tuaj. Edhe njëherë dhe gjithmonë edhe përmes kësaj interviste, ju drejtohem që të gjithë afaristëve që veprojnë në Zvicër që t`na bashkohen, sepse bashkimi është fuqi, bashkimi është garancion i suksesit të gjatë. Fatbardhësisht, jemi një numër i madh i shqiptarëve në Zvicër që kanë edhe biznese të ndryshme, së bashku mundemi të bëjmë shumë dhe fati jonë është, që jemi në Zvicër, në këtë shtet, që nuk shikohet, se çfarë ngjyre ke, çfarë beimi, apo kombi, me rëndësi që të punosh, të duash e të veprosh për paqe dhe të respektosh në përpikshmëri ligjin dhe sukseset vijnë jo vetëm për individin e familjen e tij, por për shumë e shumë të tjerë. Gjitha të mirat! / Intervistoi: Dashnim HEBIBI

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat