Ambasadorja zvicerane: Mbi gjysmë shekulli marrëdhënie të mira diplomatike me Shqipërinë - ndihmuam vendin e shqiponjave me 354 milionë franga

Zvicra

Ambasadorja zvicerane: Mbi gjysmë shekulli marrëdhënie të mira diplomatike me Shqipërinë - ndihmuam vendin e shqiponjave me 354 milionë franga

Më: 21 mars 2024 Në ora: 18:42
Ambasadorja e Konfederatës Zvicerane në Shqipëri znj. Ruth Huber dhe Nefail Maliqi

Ambasadorja e Konfederatës Zvicerane në Shqipëri znj. Ruth Huber ditë më parë në Tiranë ka pritur gazetarin e njohur shqiptar nga Gjeneva, redaktor i gazetës zvicerane në shqip Le Canton27.ch, me të cilin ka zhvilluar edhe një intervistë ekskluzive.

Diplomatja zvicerane në Tiranë në këtë intervistë flet pos marrëdhënieve bilaterale mes Zvicrës dhe Shqipërisë, edhe mbi rolin e Qeverisë zvicerane në rajon, për projekte dhe sa milionë euro janë dhuruar për vendin më të varfër në Evropë.

Po ashtu me amabsadoren Hubert folëm edhe për zviceranët në Shqipëri, si dhe shumë gjëra të tjera me interes kombëtar dhe ndërkombëtar. « Një aktivitet i rëndësishëm për ne është lidhja dhe koordinimi me bizneset zvicerane të pranishme në Shqipëri nëpërmjet shkëmbimeve të rregullta si dhe nëpërmjet Dhomës së Tregtisë Zvicerano-Shqiptare (SWISSA). Dy vendet patën mundësinë të kontribuonin në këtë gjatë mandateve si anëtarë jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, të OKB-së», tha fllimisht ambasadorja e Zvcrës në Shqipëri znj. Ruth Huber në intervistën dhënë gazetës zvicerane në shqip Le Canton27.ch.

Ambasadorja Huber: Pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, marrëdhëniet me Zvicrën, morën një rrjedhë pozitive…

Le Canton27.ch: Zonja Ambasadore, marrëdhëniet diplomatike mes Zvicrës dhe Shqipërisë janë vendosur që prej një gjysmë shekulli. Si janë këto marrëdhënie sot, a janë ende të mira?

Ambasadorja Ruth Huber: Pak më shumë se 53 vjet më parë, Zvicra dhe Shqipëria vendosën marrëdhënie diplomatike. Pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, marrëdhëniet morën një rrjedhë pozitive: Ambasada u hap në vitin 1992, filloi programi i bashkëpunimit dhe që atëherë lidhjet dhe shkëmbimet vazhdojnë të rriten e forcohen. Aktualisht dy vendet tona gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe gjatë mandatit tim dëshiroj që të vazhdojmë të forcojmë dhe zgjerojmë shkëmbimet dhe bashkëpunimin tonë të ndërsjellë. Vizitat e zhvilluara nga zyrtarët e lartë zviceranë gjatë tre viteve të fundit tregojnë interesin e shtuar dhe marrëdhëniet e forta mes dy vendeve. Në periudhën 2010-2025, Zvicra  ka  kontribuar  në  Shqipëri me  354 milionë CHF

Cilat janë prioritetet e Zvicrës sot në Shqipëri përsa i përket ndihmës, ekonomisë dhe zhvillimit?

Ambasadorja Ruth Huber: Zvicra  është një nga partnerët dhe donatorët kryesorë të zhvillimit dypalësh në Shqipëri. Programi ynë i bashkëpunimit ofron mbështetje thelbësore në rrugën e reformave dhe integrimit europian të Shqipërisë. Ky program ka për qëllim të kontribuojë për një demokraci funksionale, një ekonomi tregu konkurruese, për zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe për arritjen e standardeve dhe vlerave europiane. Programi aktual, 2022-2025 arrin në vlerën prej 105 milionë CHF të shpërndara në projekte të ndryshme në fushat, për të cilat është rënë dakord me Shqipërinë. Një prej prioriteteve kryesore është qeverisja demokratike, ku mbështetja jonë mundëson rritjen e kapaciteteve për organet ligjvënëse – Parlamentin dhe Këshillat Bashkiakë, si dhe një shoqëri civile më të  dinamike  dhe aktive.

Një prioritet tjetër është zhvillimi ekonomik: ne mbështesim punësimin, arsimin dhe aftësimin profesional, stabilitetin makroekonomik dhe zhvillimin e sektorit privat. Zvicra është gjithashtu e angazhuar fuqishëm në mbështetjen e bashkive në strategjitë e menaxhimit të mbetjeve, temë e rëndësishme për kushtet e jetesës së popullsisë e veçanërisht e lidhur me rritjen e turizmit. Angazhimi qëndron edhe në reformën e sektorit të ujit duke kontribuar në uljen e varësisë së Shqipërisë nga importet e energjisë, duke nxitur furnizimin me energji nga era e dielli.

Përveç kësaj, prej kohësh, Zvicra ka qenë një mbështetëse në sektorin e  shëndetësisë, duke u fokusuar në mënyrat e reja të ofrimit të kujdesit parësor, edukimin shëndetësor në nivelet fillestare të arsimimit si dhe shërbimet e urgjencës. Tashmë, si rezultat i mbështetjes sonë në përgjigje të plakjes së popullsisë në Shqipëri, po ngrihen shërbimet e kujdesit në shtëpi, të ngjashme me Spitex në Zvicër. Si përmbledhje, në periudhën 2010-2025, përmes programit të saj të bashkëpunimit Zvicra ka kontribuar  në Shqipëri me 354 milionë CHF. Kjo shumë nuk përfshin programet e ndihmës të lidhura me mbështetjen pas tërmetit apo luftën kundër pandemisë Covid-19.

Përveç zhvillimeve diplomatike, zhvilloni edhe aktivitete të tjera. Cfarë veprimtarish të tjera mbulohen nga Ambasada e Zvicrës në Shqipëri?

Ambasadorja Ruth Huber: Ambasada bashkërendon detyrat diplomatike, si konsultimet e rregullta me qeverinë shqiptare, si dhe koordinimin e përfaqësive tona në platforma ndërkombëtare si organet e OKB-së, OSBE etj. Në  fushën e kulturës, ne drejtojmë Fondin Kulturor Zviceran, i cili mbështet artistë dhe aktorë të rinj e në zhvillim. Gjithashtu marrim pjesë në aktivitete kulturore gjatë javëve të gjuhës, duke promovuar gjuhët zyrtare zvicerane si gjuhën frënge, gjermane dhe italiane. Një aktivitet i rëndësishëm për ne është lidhja dhe koordinimi me bizneset zvicerane të pranishme në Shqipëri nëpërmjet shkëmbimeve të rregullta si dhe nëpërmjet Dhomës së Tregtisë Zvicerano-Shqiptare (SUISSA). Unë shoh shumë potencial përsa i përket investimeve nga sektori privat zviceran në Shqipëri: më shumë mundësi për të eksploruar dhe për të pasur më shumë shkëmbime. Shqipëria dhe Zvicra edhe më shumë jane ofruar sivjet me fluturimet direkte nga Tirana drejt Gjenvës, Cyrihut dhe Bazelit.

Çfarë ngjashmërish gjeni mes Zvicrës dhe Shqipërisë? Dhe çfarë dallimesh?

Ambasadorja Ruth Huber: Sigurisht terreni malor! Megjithatë, Shqipëria ka më shumë larmi: në një territor më të vogël gjen male, kodra, lugina, fusha, liqene, plazhe të bukura dhe det. Aksesi në detin Mesdhe është diçka që nuk e kemi në Zvicër, për të cilën me siguri ndjejmë zili! Unë shoh një ngjashmëri në faktin se Zvicra ka zhvilluar turizmin malor prej kohësh: hapa të rëndësishëm që edhe Shqipëria po i ndërrmer tashmë. Një tjetër ngjashmëri, që lidhet me terrenin malor është bollëku i ujit në vendet tona dhe përdorimi i tij për prodhimin e energjisë hidroelektrike. Shqipëria dhe Zvicra janë vende relativisht të vogla, arsye e cila rrit interesin ndaj një rendi ndërkombëtar të qëndrueshëm, të bazuar në rregulla dhe organe shumëpalëshe funksionale. Dy vendet patën mundësinë të kontribuonin në këtë gjatë mandateve si anëtarë jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, të OKB-së. Dëshiroj të përgëzoj Shqipërinë për rolin aktiv dhe konstruktiv që pati në këtë organ!

Sa shtetas zviceranë jetojnë në Shqipëri? A ka ndonjë ndryshim në numrin e vizitorëve/turistëve nga Zvicra?

Ambasadorja Ruth Huber: Gjatë viteve të fundit, numri i shtetasve zviceranë që jetojnë në Shqipëri është pak a shumë i qëndrueshëm: nga 80 në 100. Megjithatë, ka një rritje të numrit të vizitorëve dhe turistëve, veçanërisht në 2-3 vitet e fundit. Tashmë kemi lidhje direkte me fluturime ndërmjet Tiranës dhe tre qyteteve zvicerane: Zyrihut, Gjenevës dhe Bazelit –  duke kontribuar në rritjen e shkëmbimeve mes njerëzve të dy vendeve.

Zonja Ambasadore, për fund, meqenëse jemi në muajt e parë të vitit 2024, cila do të ishte dëshira juaj gjatë këtij viti për qytetarët zviceranë dhe shqiptarë, në Shqipëri dhe në Zvicër?

Ambasadorja Ruth Huber: Dëshira ime është që të dyja vendet tona të përparojnë, të gëzojnë paqen dhe të rrisin shkëmbimet kulturore dhe ato njerëzore mes tyre. Kjo është gjithashtu pjesë e punës sonë në Ambasadë: të nxisim dhe forcojmë lidhjet dhe marrëdhëniet tona!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat