Në Zvicrën mike, sheshi, busti dhe shtëpia muze e Aleksandër Moisiut?

Zvicra

Në Zvicrën mike, sheshi, busti dhe shtëpia muze e Aleksandër Moisiut?

Nga: Dashnim Hebibi Më: 26 mars 2024 Në ora: 10:23
Foto ilustrim

Nga tituli me një pikëpyetje, tregon se ende nuk është jetësuar, por ka lindur e do të rritet e jetësohet ky projekt. Gjithandej Zvicrës, gjuha e ëmbël shqipe po dëgjohet. Edhe Enti Federal i Statistikave zvicerane, ditë më parë, doli me lajmin, se gjuha shqipe, pas gjuhëve vendore dhe pas angishtes është e para. Kjo nuk do dyshim, sepse gjuha shqipe flitet e përflitet gjithandej dhe numri i shqiptarëve në Zvicër thuhet se po i a frohet 300.000. Mërgata shqiptare ka filluar të orientohet edhe në projekte të mëdha jetike për brezin e ri që do të rritet e jetoje në Zvicër. Tashmë, kemi gjeneratën e katërt dhe padyshim, se vizioni i gjeneratave të reja është më ndryshe. Gjurmët e të parëve nuk do ti humbin, qoftë në diasporë apo edhe në tokat shqiptare. Kanë kaluar kohërat, kur mërgata jonë është dashur, primare të shikoj për në atdhe, para luftës, gjatë luftës, sepse tashmë kemi shtetin tonë, Kosovën e pavarur. Fati është i madh, se veprimtarët e dëshmuar, së bashku me veprimtarët e rinjë, po marrin nisma jetike edhe në shtetet ku po jetojmë. Edhe pse nuk dëgjuam ndoj lajm diku në atdheun tonë për përvjetorin e 89 të ndarjes nga jeta për aktorin e madh të skenës evropiane në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX. Edhe pse as në diasporë nuk dëgjuam, ka artistë, dashamirës të artit që nuk e harrojnë. Nuk duan vetëm foto të kenë, por përgaditje disa mujore për t`ia kushtuar gjithë ditën aktorit të madh me gjakë shqiptari që pushon në përjetësi në Morcote të Zvicrës. Mosiu mbante lidhje me studentët shqiptarë në Austri. Më 28 nëntor 1930, u prit ngrohtësisht prej tyre në një darkë, me rastin e Ditës së Flamurit. Për shkak të mbiemrit, qarqet antisemite gjermane dyshonin mos është hebre dhe e përndiqnin. Në vitin 1932 u largua nga Gjermania dhe u vendos në Zvicër.

Po atë vit korri sukses nëpër skenat e Evropës në shfaqjen jubilare të “Faustit” të shkrimtarit gjerman Johan Volfgan Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832). Rolin e Fedjas nga drama “Kufoma e gjallë” e Tolstoit e interpretoi 1200 herë duke dhënë me mjeshtri të lartë ankthin ekzistencial të njeriut përballë vdekjes. Aleksandër Moisiu vdiq në Vjenë më 23 mars të vitit 1935, në kulmin e veprimtarisë së tij skenike. U varros në varrezat Morkote (Morcote), mbi liqenin e Luganos, në kantonin Tessin të Zvicrës.

Madhështinë e Aleksandër Moisiut e kanë vlerësuar personalitete të mëdha të botës së artit. Midis tyre:

Shkrimtari austriak me prejardhje hebraike Franc Kafka (Franz Kafka, 1883-1924) thotë: “Zëri, mimika dhe gjestet e Moisiut shfaqin diçka unike, diçka e cila nuk ishte parë asnjëherë në skenën botërore të artit”;

Shkrimtari i shprehjes gjuhësore gjermane, me prejardhje hebraike, i lindur në Pragë Maks Brod (Max Brod, 1884-1968) thotë: “Hamleti është shkruar për Moisiun dhe Moisiu ka lindur për të interpretuar vetë ai Hamletin”;

Regjisori dhe reformatori i skenës gjermane Maks Rajnhard (Max Reinhard, 1873-1943) thotë: “Unë gjeta te Moisiu aktorin e vërtetë që kërkoja”;

Aktori dhe reformisti i teatrit francez Andre Antuan (André Antoine, 1858-1943) thotë: “Me interpretimin e rolit të Hamletit, Moisiu fitoi dashurinë e publikut francez”.

Duke i ditur të gjitha këto dhe shumë të tjera, ku edhe sytë e tanë e panë realitetin se një buqetë me lule nuk ishte mbi varrin e tij, por lulet e freskëta po i vijnë e do ti vijnë deri sa të jetë gjallë, Moisiu i diasporës sonë, aktori, regjisori, skenografisti, drejtori i shkollës së aktrimit IFTP me qendër në Zvicër, Adem Kicaj, i shoqëruar nga ish studenti i tij aktorë, z.Musa Sylejmani dhe i madhi, Sylë Mujaj, ish kryetar i Shoqatës Kulturore Shqiptare me emrin “Aleksandër Moisiu”, që ishte themeluar në vitin 1993 dhe regjistruar në kantonin Tiçino si shoqatë kulturore e cila ka realizuar edhe ngjarje të tjera shumë të rëndësishme në vitet 1994-1995. Z.Adem Kicaj dhe z.Mujaj, janë një kombinim i mrekullueshëm, që e njohin mirë historinë e Moisiut. Njëri nga arti figurative dhe tjetri nga ai artistikë e duke luajtur edhe rolin e tij nëpër shumë takime por edhe sot. Është interesant fakti, se sot më 24 mars, në anën e Zvicrës gjermane ishte një mot i lig, por duke shpresuar se në Morcote do të ketë rreze dielli, sepse edhe qëllimi ishte i bardhë dhe fisnikë. Zakonisht në reportazhet e mia ka fjalë përshkrimi nga ajo që kam parë me sy, ndoshta edhe syri i kamerës nuk ka mundur ti kape. Prandaj, janë paksa të gjata, por me rëndësi se shkruaj për ata që lexojnë. U nisëm nga Cyrihu e të ftuar nga drejtori i shkollës së aktrimit IFTP, që para disa muajve kremtoi edhe 20 vjetoin e themelimit. Nga Cyrihu ishim Adem Kicaj, Musa Sylejmani, Pal Daka, Kol Rapaj, Giorgia Alexia, Anife Shaqiri, Shqipe Hasaj dhe Skender Hasani (kameraman dhe fotograf). Rruga ishte e gjatë, por mezi se prisnim që të jemi me kohë në vendin e caktuar ku na priste me zemërbardhësi, Sylë Mujaj me veprimtarë të asaj ane, si: Fitore Haklaj, poete e artiste, Mimoza Elshani, edukatore e mësuese, Fatmir Veseli, atdhetar e krijues, Remzi Durmishi, aktorë e veprimtarë, Luljetë Dragidella- Tigani, shkrimtare e poete, Redon Durmishi, student, Kolë Repaj, student e krijues, Hanife Shaqiri, poete e krijuese dhe Xhemile Veseli.

Ora 11.08 min në Morcote

Pas një bashkëbisedimi me miqtë tanë në pjesën e kantonin e Tiçinos, menjëherë iu drejtuam Morcote për te varri i Aleksandër Moisiut dhe bashkëshortes së tij për të vazhduar me sukses përvjetorin e të madhit Aleksandër Moisiut me moton tashmë të njohur ndër vite: "LULE PËR MOISIUN", lule që kishte siguruar, aktori dhe veprimtari, Remzi Durmishi. Këtë organizim, padyshim, se do ti kishte lakmi edhe institucionet tona shtetërore sepse ishte punuar me muaj nga drejtori i IFTP, z.Adem Kicaj. Morcote me rrezet e diellit dëshmoi sigurisht edhe shpirtin e Moisiut sepse ai kudo që shkonte dielli e Ilirëve e mbante me vete. Ishte Profesor, z.Kicaj ai që kishte barren kryesore të organizimit me studentët e tij. Kam pasur nderin që edhe nëpër disa përvjetore të jem edhe unë, por vërtet ishte një gjallëri e veçantë dhe përjetova sikur ta njoha Moisiun edhe fizikisht. Z.Sylë Mujaj kishte marur një numër të madh të fotografive të Moisiut nëpër role, foto nga shtëpia e tij dhe secili që ishim në këtë ditë mbanim një foto dhe një lule të freskët në dorë. Kaluam shkallët e larta dhe iu afruam varrit. Z.Kicaj kujtoi edhe disa personalitete që këtyre shkallëve dikur sa ishin të gjallë fizikisht i kishin kaluar si Dr.sc.Llukman Halilin. Foto kujtimi dhe kameramani e fotografi, z.Skender Hasani mundohej të regjistronte gjithçka e duke e drejtuar Adem Kicaj që nuk i ikte asgjë, sepse e kishte bërë regjinë me shumë përkushtim. Pas pak minutash, Adem Kicaj, siç dinë ai vetë me shumë mjeshtri ishte veshur si Moisiu dikur nëpër skenat e ndryshme të botës. Ai ndër të tjera na tha: „Tani jam në botën e Moisiut tim. Ftoj PhD.Dashnim Hebibi për një fjalë rasti. PhD.Dashnim Hebibi, njëherit gazetar, poetë, publicist dhe që e ka përcjellur edhe këtë përvjetor, pasi përshëndeti z.Kicaj për ftesën ndër të tjera tha: „ Shpirti im është oqean fjalësh, por për çudi më humbën. Më humbën në këto momente emocionale, kur po flas para varrit të Mosiut dhe bashkëshortes së tij që janë afër njëri tjetrit. Po flas para kësaj bukurie, që ngjyrat e liqenit dhe qiellit po bashkohen me njëri tjetrin, po kujtoj kohën se se e lamë në Cyrih dhe me zemrat tona me plot diell, erdhëm ta kujtojmë njeriun që e merrte diellin me vete ngado. Moisiu nga ajo që kemi lexuar dhe kemi dëgjuar, ishte një yll i ndritur. Ju kujtoj, se vetë roline Fedjas nga drama Kufoma e gjallë“ eTolstoit e interpretoi 1200 herë. Sado që të flas është pak për te. Gjithmonë në zemra tona. Do të doja, që në vitin tjetër ti kemi edhe institucionet tona ti bashkangjiten Adem Kicaj bashkë me studentët e tij dhe Sylë Mujaj bashkë me ne të tjerët. Të nderuar të pranishëm, unë sot, ju them me shumë emocione, para nesh e kemi Moisiun tonë të diasporës dhe t`ia japim fjalën atij“. Pas z.Hebibi foli edhe z.Sylë Mujaj që është njohës i mirë i jetës dhe veprës së Moisiut ai kujtoi shumë gjëra interesante dhe tregoi edhe për shtëpinë e tij që e ka këtu në afërsi.

Fjalën e mori edhe me një përshëndetje, por edhe me një poezi edhe Fitore Haklaj, poete e artiste, pastaj Musa Sylejmani, aktor e artist me një pjesë artistike të mrekullueshme, Pal Daka, aktor, Remzi Durmishi, aktorë e veprimtarë, pastaj zonja.Shqipe Hasaj, poete e kontribuese me disa fjalë dhe lexoi edhe një poezi të saj si dhe zonja.Mimoza Elshani, edukatore e mësuese, falënderoi të gjithë dhe vlerësoi lart edhe veprën e jetën të aktorit me gjakë shqiptari, Aleksandër Moisiu. Aktorja rumune, studente dhe bashkëpunëtore e Profesor Adem Kicaj, znjsh.Giorgia Alexia në rolin e bashkëshortes të Aleksandër Moisut me një pjesë të shkurtërt teatrale na dhanë emocione të pashlyera.

Pasi mbaruam me programin e paraparë, z.Kicaj dha një monolog siç dinë ai mjeshtërisht, ku e kishte përgaditur ditë më parë enkas për këtë përvjetor. Mes rreshtash e pash edhe veten e tij, duke përmendur fjalët e duke bërë krahasim me Moisiun që nuk e kishte shtetësinë e Shqipërisë. Po përshkruaj disa fjalë të recitalit të z.Kicaj: „Pse more nuk po më pranoni? Pse more po thuani nuk e njeh gjermanishten, kur ai luan në teatrin zviceran. Pse more e mundoni me përgojime dhe mundoheni ta shkelni mundin, respektin e modestinë. Kujt ja lyp për mëshirë një copë letër për atdhesim? Në skenën gjermane ja çifuti. Hajt pra, se unë e kreva rolin tim. Nuk i mungonte edhe loti në sytë gjatë aktrimit, sepse ishte i tëri në rolin e Moisiut. Brilante. Z.Kicaj me veshjen e tij aristokrate por në rol të Moisut me bostunen (shtagën) e bardhë e dorëzat e bardha përmendi edhe disa emra të veprimtarëve në diasporë për kontributin e tyre në çështjen kombëtare që nuk i kemi fizikisht por shpirtërish gjithmonë, si z.Rrustem Selca, PhD.Llukman Halili, bëmirësin, Bexhet Sallahu, artistin Naski Abdixhiku, veprimtarin Lan Avdiu, aktorin e madh Skender Tafa, Agron Bajrami, drejtorin e shkollës së vallëzimit Shota, Agim Mala ish drejtorin e RTP, Shpend Gashi aktorë, Nuhi Hoxha aktorë, etj. Kjo është madhështore. Modesti e klasit të parë. Duke cakërruar gotat, z.Kicaj, së bashku me z.Sylë Mujaj, me studentët e shkollës së aktrimit IFTP dhe të gjithë të pranishmit, cakërruan gotat dhe aty në mënyrën më të bukur artistike, z.Kicaj luajti edhe rolin e Moisiut kur i fliste studentëve të tij në gjuhën e bukur shqipe. Me të përfunduar i gjithë ky takim përkujtues, u vendos nga z.Adem Kicaj, drejtor i shkollës së IFTP me qendër në Cyrih, së bashku me z.Sylë Mujaj dhe Phd.Dashnim Hebibi e të përkrahur nga të gjithë që ishin të pranishëm dhe duke pritur edhe përkrahjen e institucioneve tona gjithandej tokave shqiptare, që ta jetësojmë një projekt që do ti bëj nder edhe neve si shqiptarë, Zvicrës dhe gjithë botës, artëdashësve. Z.Mujaj theksoi se do të punojmë të gjithë kush sa të mundet që të kemi një shesh me emrin e Aleksandër Moisiu, një bust për Moisiun si dhe që shtëpia e Aleksandër Moisiut të kthehet në qendër kulturore internacionale për kulturë në mes popujve t`i destinohet kulturës /ashtu që ishte edhe vetë testamenti i Aleksandër Moisiut, që kjo shtëpi ti kthehet kulturës së popullit /, dhe fjalën e fundit do ta thotë gjaku im”.

Z.Sylë Mujaj na njoftoi edhe me veprën e një miku të madh të shqiptarëve dhe një njohës i mirë i Moisut, z Antonin Adriano i cili kishte ndërruar jetë në vitin 2011 dhe pushon përjetësisht shumë afër Aleksandër Moisiut, i cili për simpoziumin e vitit 1994 për Aleksandër Moiisun kishte dhënë 1500 aperitiv të gjithë të pranishmëve për respektin që kishte për Moisiun dhe shqiptarët. Nderime të përjetshme!

Ky projekt do të jetësohet dhe u nënshkrua nga të pranishmit, që ishin në këtë përvjetor të 89 të ndarjes nga jeta të Aleksandër Moisiu dhe më pastaj kërkesa ti drejtohet Komunës së Morcotes, Paradisos e Luganos.

Aleksandër Moisiu ose Alexander, Alessandro Moissi ose Moisi, lindi më 2 prill të vitit 1879 në Triste dhe vdiq më 23 mars të vitit 1935 në Vjenë.

Prej vitit 1910 e deri më 1935 mori pjesë në 10 produksione të filmave, 8 prej tyre ishin filma pa zë. Në vitin 1935, pak kohë para vdekjes së tij, Moisiu kërkoi shtetësinë e Shqipërisë si dhe atë të Italisë. Shqipëria refuzoi këtë kërkesë, kurse Italia ia dha shtetësinë Moisiut, kur ai ishte i shtrirë në shtratin e vdekjes. Ai është i varrosur në varrezat e komunës së Morcote-së, pranë qytetit Lugano në kantonin e Tessinit në Zvicër. Krejt në fund të kësaj dite, miqtë e z.Kicaj u ndanë me miqtë e z.Mujaj me shpresë se do të takohen përsëri dhe të vazhdohet tradita e nisur që moti “Një lule për Moisiun” të vazhdoj përjetësisht dhe projekti të jetësohet që u nis sot sa më shpejt të jetë e mundur. Gjatë ceremonisë funerale, aktori me famë Albert Bassermann nxori nga gishti unazën Iffland të cilën tradicionalisht e mban aktori më i mirë i kohës, dhe e vendosi mbi gjoksin e Moisiut të vdekur duke i thënë: ….ty të përket unaza Iffland-it…Sargun me hirin e Moisiut, Johanna Terwin e varrosi në Tessin të Zvicrës, në varrezën e Morcote-s pranë viles së tij mbi liqenin e Luganos. Aty gjendet një pllakë mermeri me mbishkrimin Alessandro MOISSI, 1879 – 1935, po në këtë vend (1962) do varroset edhe bashkëshortja Terwin.

Dëshiroj të mbyllë reportazhin me një thënie të vet Moisiut në vëren e vitit 1927, në Wansee të Berlinit në fjalimin që mbajti në varrimin e kolegës Agnes Sorma, fjalë të cilat më vonë do të kishin të njëjtën pasojë edhe për të: AKTORI I TEATRIT NUK ARRIN TA SHOHË KURRË PUNËN E TIJ. AI NUK MUNDET TA SHFLETOJË ATË SI NJË LIBER APO NUK MUNDET TË SHIKOJË ATË NË KANAVACË E NË GURË…..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat