Liberalizimi i vizave / Shkuan tre muaj, mijëra qytetarë të Kosovës nga Zvicra dhe vendet e BE-së po kthehen në vendlindje

Zvicra

Liberalizimi i vizave / Shkuan tre muaj, mijëra qytetarë të Kosovës nga Zvicra dhe vendet e BE-së po kthehen në vendlindje

Më: 28 mars 2024 Në ora: 15:02
Foto ilustrim

Liberalizimi i vizave për Kosovën nga janari i këtij viti ka gëzuar shumë qytetarët kosovarë, të cilët patën rastin të lëvizin, të dalin jashtë kufijve të vendit. Mijëra qytetarë nga Kosova, kryesisht ata të papunë, ikën nga vendi në fillim të janarit për vizita tek familjarët, qoftë në Zvicër apo në vendet tjera të BE-së. Nga janari deri në mars, përfituesit kanë shfytëzuar mirë këta tre muaj për vizita tek të afërmit e tyre, si edhe për t'u kënaqur me bukuritë natyrore dhe për të shijuar specialitetet ushqimore të Zvicrës (fondue, shokoladë, djath) dhe në qendra të tjera evropiane, njofton gazeta zvicerane në shqip, Le Canton27.ch.

Dalja nga Kosova gjatë këtyre muajve të fundit dallon nga epoka e regjimit serb, kur Kosova ishte e okupuar; ishte një dalje me shumë më dëshirë, për shëtitje, ekskursione jashtë vendit. Por në mesin e shumë prej atyre që dolën, kishte shpresë se do të punësoheshin diku, edhe pse Zvicra ishte e qartë se nuk ofronte as vende pune as azil. Kjo dalje euforiuke e kosovarëve drejt vendeve evropiane bëri që në Kosovë të mbeten shumë vende të lira. Sipas një raporti të MPB-së për periudhën tetor-dhjetor 2023, mbi 1500 kërkesa për leje qëndrim me qëllim të punësimit janë raportuar gjatë kësaj periudhe.

Nga këto, 439 kërkesa kanë qenë për punë të shtetasve nga Bangladeshi, 399 nga Turqia, 163 nga Serbia (kryesisht shtetas shqiptarë nga Lugina e Preshevës), 136 kërkesa për punë nga Shqipëria, 66 nga Maqedonia e Veriut, etj.

Me liberalizimin e vizave, shumë media, sidomos ato në Serbi, manipuluan me shifra të ekzagjeruara se gjoja "të ikjes masive të kosovarëve" nga vendi i tyre. Këto shkrime ishin tendencioze dhe me prapavijë, me qëllim të nxitjes së eksodit, ka shkruar gazeta zvicerane Le Canton27.ch. Dy javët e fundit, mbi 100.000 kosovarë janë kthyer nga Zvicra dhe vendet e BE-së.

"Rreth 400 autobusë përplot me udhëtarë po nisen çdo ditë nga Prishtina për në Evropë", kishin raportuar mediat serbe. Lajme të tilla janë përgënjeshtruar menjëherë nga Stacioni i Autobusëve dhe nga të dhënat e Policisë/Administratës Kufitare të Kosovës, që dëshmojnë se nuk flitet për fluturime as për ikje masive të qytetarëve apo flukse autobusësh. Këto lajme përmes gazetës zvicerane Le Canton27.ch i kishte mohuar edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Xhelal Svecla. Sipas Sveclës, "këto lajme të pavërteta bëhen me qëllim që të krijojnë panik tek qytetarët, dhe më së shpeshti akuza të tilla vijnë nga Serbia dhe përdoren për qëllime keqdashëse politike."

Jo vetëm mediat serbe, por edhe ato nga ruset (Sputnik) provuan të nxisin zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët (nuk ju mjaftoi largimi i 300.000 në kohën e qeverive të mëparshme këto 20 vitet e fundit), duke propaganduar se gjoja paska punë për kosovarët e ardhur pas 1 janarit 2024 në Zvicër, gjë që nuk është e vërtetë, sepse nuk kanë të drejtë të punojnë në këtë vend. Sipas autoriteteve zvicerane, "ata që zihen duke punuar ilegalisht do të kenë pasoja, duke i ndëshkuar dhe dëbuar nga Zvicra, madje edhe duke u bërë të pavlefshme pasaportën për 5 vite!"

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat