Trim Maliqi tri herë rresht fitues i medaljes së argjendtë në garat ndërkombëtare të matematicientëve

Zvicra

Trim Maliqi tri herë rresht fitues i medaljes së argjendtë në garat ndërkombëtare të matematicientëve

Nga: Arif Ejupi Më: 21 prill 2024 Në ora: 12:51
Trim Maliqi

Trim Maliqi i lindur më 10 qershor të vitit 2014 në Gjenevë të Zvicrës, tri herë rresht është fitues i Medaljes së Argjendtë, në garat ndërkombëtare të matematicientëve të rinj, të organizuara nga “BRAINOBRAIN INTERNATIONAL”.

Trimi me përkushtim dhe mirësjellje frekuenton edhe mësimin e rregullt në “Ecole primaire des Libellules“ të komunës Vernier të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës.

Ai si nxënës i klasës së gjashtë i kësaj shkolle përveç që është i përkushtuar në mësime ka edhe sjellje shembullore.

Image
Trim Maliqi

Meqenëse, Gjeneva njihet si qytet ndërkombëtar që tubon të gjitha kombet dhe kombësitë e botës Trimi,shquhet për korrektësi dhe bashkëpunim me të gjithë.

Fjalë miradije përveç shokëve dhe shoqeve të shkollës për Trimin, flet edhe mësuesja e tij Florence Froelicher.

Ajo çmon lartë interesimin e Trimit në zënien e mësimeve si dhe gatishmërinë e vazhdueshme për të bashkëpunuar me shokët dhe shoqet e klasës.

Me të vërejtur prirjet e Trimit në matematikë prindërit e tij Hekremi dhe Linda, në maj të vitit 2021 e regjistrojnë në “Active Brain Kids Academy” të Gjenevës.

Mësimi në këtë Akademi mbahet nga ligjërues profesionistë dhe me metoda të sofistikuara.

Trimi një fëmijë i mbarë dhe i dashur edhe në mjedisin e rinj tregohet bashkëpunues dhe i suksesshëm.

Ai përveç ushtrimeve në Akademi nën përkujdesjen e së ëmës Linda Rexhaj Maliqi, juriste në Sindikatën “Unia“ të Gjenevës, çdo mbrëmje punon nga dy orë shtesë edhe në shtëpi.

Trimi për punë është i motivuar po ashtu edhe nga babai i tij Hekrem Maliqi, ekspert i informatikës, i cili shpeshherë i lë anash angazhimet e tij vetëm e vetëm që i biri të mos humbasë qoftë edhe pesë minuta të vetëm të mësimit në këtë Akademi.

Në fund të viteve 90-të dhe në fillim viteve 2000, shumë të rinj shqiptar të ikur nga frontet e Luftës në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Kosovë Lindore, me të arritur në Gjenevë, Fillet e Informatikës i kanë mësuar nga z.Hekrem Maliqi, në atë periudhë mësimdhënës në Universitetin Popullor Shqiptar të Gjenevës të udhëhequr nga z. Ueli Leuenberger (ish këshilltar nacional).

Andaj, shihet qartë që Trimi ka trashëguar shumëçka nga gjenet e babait të tij. Ai me dëshirë dhe pa kurrfarë imponimi tash tri vjet i vijon mësimet në këtë Akademi.

Puna e pandërprerë dhe dashuria për lëndën e Matematikës që për shumëkënd ende mbetet gogol, ka bërë që vogëlushi Trim Maliqi, të stoliset tri herë radhazi me Medaljen e Argjendtë në garat ndërkombëtare të matematicientëve të rinj të organizuara nga “BRAINOBRAIN INTERNATIONAL”

Mbi sukseset e këtij vogëlushi shembullor morëm edhe mendimin e zonjës Aleksadra El Solh, udhëheqëse e kësaj Akademie.

Zonja El Solh që synim të vetëm ka përgatitjen e duhur të fëmijëve në disiplina të ndryshme, posaçërisht në Matematikë thotë “natyrisht që ndjejë kënaqësie të pa përshkruar, sepse sukseset e njëpasnjëshme të Trimit, në këto gara ndërkombëtare ku marrinë pjesë mbi 21mijë nxënës nga mbarë globi, janë certifikatë besueshmërie dhe mirënjohje edhe për Akademinë tonë.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat