Reagime: Kryetari i Bashkisë së Gjenevës dënon dëmtimin e bustit të Skënderbeut

Zvicra

Reagime: Kryetari i Bashkisë së Gjenevës dënon dëmtimin e bustit të Skënderbeut

Më: 28 prill 2024 Në ora: 17:16
Foto ilustrim

Alfonso Gomez (Le Maire de Genève), Kryetari i Bashkisë së Qytetit Ndërkombëtar - Gjenevës: Dëmtimi i bustit të heroit shqiptar në Gjenevë, një akt vandal

Gjenevë, 28 prill - Në të kaluarën e premte, në orët e vona të mbrëmjes, është dëmtuar busti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili ndodhet në Gjenevë, buzë liqenit, vetëm disa metra përballë zyrave të OKB-së. Policia ka nisur hetimin lidhur me rastin, ka njoftuar gazeta zvicerane në gjuhën shqipe Le Canton27.ch.

Kryetari i Bashkisë së Gjenevës, Z. Alfonso Gomez: E dënoj ashpër dëmtimin e bustit të "Skënderbeut" dhe shpreh solidaritetin me komunitetin shqiptar në Gjenevë.

Komuniteti shqiptar në Gjenevë ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me rastin, ndërsa thonë se kjo nuk është hera e parë që busti i Skënderbeut është dëmtuar.

Para autoriteteve shqiptare në Zvicër, dëmtimin e bustit të Skënderbeut në Gjenevë e kanë dënuar personalitete zvicerane. Për dëmtimin e bustit të Skënderbeut janë arritur dy reagime në redaksinë tonë, e para nga kryetari i Bashkisë së Qytetit Ndërkombëtar - Gjenevës, Z. Alfonso Gomez dhe Z. Ueli Leuenbeger, themeluesi i Universitetit Popullor Shqiptar dhe ish-Këshilltar Kombëtar (deputet), i cili ka merita të mëdha edhe në vendosjen e bustit të Skënderbeut buzë liqenit të Gjenevës.

Në një prononcim të kryetarit të Bashkisë së Gjenevës, Z. Alfonso Gomez, dërguar në redaksinë e gazetës zvicerane në shqip, Le Canton27.ch, ai ka shprehur keqardhje dhe është befasuar kur ka mësuar se është sulmuar statusi i "Skënderbeut", i cili është vendosur buzë liqenit të qytetit tonë.

" E dënoj ashpër këtë akt vandalizmi dhe shpreh solidaritetin me komunitetin shqiptar të Gjenevës," ka thënë Z. Gomez, kryetar i Bashkisë së Gjenevës.

Leuenberger: Dëmtimi i bustit të heroit shqiptar në Gjenevë, një akt vandal

"Unë e dënoj në termat më të ashpër të mundshëm këtë akt vandalizmi. Shpresoj se nuk janë motive politike ato që kanë frymëzuar vandalët dhe shpresoj që policia dhe drejtësia të kapin autorët. Komuniteti shqiptar në Gjenevë duhet të jetë në gjendje të llogarisë në mbështetjen e autoriteteve të Gjenevës."

Astrit Leka, iniciatori i vendosjes së monumentit të Skënderbeut në Gjenevë, lajmin e dëmtimit të bustit të heroit tonë kombëtar e ka pritur me keqardhje dhe indinjatë të thellë.

" Më erdhi shumë keq kur dëgjova se është dëmtuar busti i kryeheroit tonë kombëtar, Skënderbeut, aq më tepër në Gjenevën tonë ndërkombëtare. Të prekësh Skënderbeun do të thotë se ke prekur jo vetëm shqiptarët, por tërë Evropën duke ditur mirë rolin dhe kontributin e tij. E dënoj këtë sulm, këtë akt të lig dhe qyqar nga ata që bënë me qëllim apo pakujdesi. Besoj se autoritetet zvicerane do ta ndriçojnë rastin dhe t’i ndëshkojnë autorët që e kanë dëmtuar bustin," ka thënë ndër të tjera Z. Astrit Leka për gazetën zvicerane në shqip, Le Canton27.ch, i cili është edhe autor i vendosjes së bustit të Skënderbeut në Gjenevë.

Lidhur me dëmtimin e bustit të "Skënderbeut", ka folur edhe Zaim Jashari, një veprimtar i njohur nga Kumanova në Zvicër, i cili ka financuar vendosjen e monumentit të heroit tonë kombëtar në Gjenevë. Jashari duke dënuar këtë akt të lig, ai për gazetën zvicerane Le Canton27.ch, ka thënë se "po presim ndriqimin e rastit dhe veprimet e autoriteteve kantonale. Po na u dha leje nga autoritetet kantonale, unë jam i gatshëm që të kontribuoj, sikur më parë edhe tani të mbuloj gjitha hargjimet për ta rimëkëmbur, po qe nevoja edhe më mirë, bustin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot - Skënderbeu, buzë liqenit të Gjenevës, i cili monument na bënë krenar."

Në Zvicër (Gjenevë dhe Bernë), kemi mbi ambasadorë dhe konsulata shqiptare nga tre shtete të Ballkanit, por deri tash nuk ka asnjë reagim lidhur me dëmtimin e bustit të heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, në Gjenevë. Pas këtij lajmi në mediat shqiptare, ka pasur reagime duke shprehur indinjatë të thellë vetëm nga komuniteti shqiptar përmes rrjeteve sociale dhe asgjë më shumë, asgjë zyrtare.

Heshtja e tyre duket sikur secili po mendon se duhet të reagojë e para Shqipëria, apo tjetri Kosova… Por t’i mos harrojmë se Skënderbeu nuk është vetëm i Shqipërisë apo i Kosovës, por i të gjithëve, madje i tërë Ballkanit, Zvicrës dhe Evropës... Ndryshe, as qeveria helvetike e as Brukseli apo Roma nuk do ta kishin lejuar bustin e heroit tonë kombëtar, siç është vendosur në qendrën ndërkombëtare në Gjenevë, disa metra larg OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare.

Busti i heroit kombëtar të Shqipërisë u përurua në Gjenevë më 1 nëntor të vitit 1997 nga veprimtarë të shquar si Astrit Leka dhe Zaim Jashari. Bustin e heroit tonë kombëtar e mundësoi Zvicra në shenjë falënderimi dhe respekti ndaj kombit dhe komunitetit shqiptar në territorin helvetik, numri i të cilëve besohet të jetë mbi 300.000.

Në përurimin e bustit të "Skënderbeut" morën pjesë qindra persona, ndërmjet të cilëve edhe shumë veprimtarë të çështjes kombëtare nga komuniteti shqiptar dhe shumë personalitete nga Tirana dhe Prishtina, si dhe autoritete kantonale dhe zvicerane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat