Akuzoi Serbinë për dialogun, deputeti i LDK-së godet Skënder Hysenin

Aktuale

Akuzoi Serbinë për dialogun, deputeti i LDK-së godet Skënder Hysenin

Nga: A.Zh Më: 27 gusht 2020 Në ora: 23:49
Hyseni, Lajçak dhe Gjuriq

Koordinatori i Kosovës për dialogun me Serbinë Skënder Hyseni, pas takimit që kishte sot me përfaqësuesin serb Marko Gjuriq dhe përfaqësuesin e BE-së Miroslav Lajçak, ka thënë se Serbia është shumë dekonstruktive.

Ai ka thënë se po synohet një manipulim i procesit të dialogut nga Serbia.

Por, kjo deklaratë të Hysenit, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Faton Bislimi, e ka vlerësuar “vajtuese për konsum të brendshëm politik”, përcjell Bota sot.

Sipas Bislimit, Hyseni duhet të angazhohet në funksion të interesit nacional të vendit duke afruar krah nesh bashkësinë ndërkombëtare.

Reagimi i Bislimit në Facebook:

Deklarata e z. Skender Hyseni se Serbia na qenka "shumë dekonstruktive," se “ka shenja bukur serioze se synohet një manipulim i gjithë procesit,” dhe se “nuk duhet të lejohet që procesi të manipulohet nga Serbia," është më së paku lajm! Është konkluzion evident. Është bërthama e problemit të dialogut -- sepse me një vend e lidership konstruktiv të atij vendi, nuk kishim pas nevojë me dialogu një dekadë! Përndryshe kjo i bie sikur me thënë që "në dimër ka rënë borë."

Përballja jonë me këtë fazë të dialogut final me Serbinë duhet të përqendrohet në afirmimin e mirëkuptimit dhe përkrahjes së BE-së për të ardhmen e vendit tonë duke bërë lehtësuesin e dialogut dorëzan për implementimin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

Se sa për që ne arrijmë të imponojmë racionalitet tek Serbia, ne do vazhdojmë të bisedojmë me ta edhe për dekada në vijim.

Fundja, pa bekimin e SHBA-ve, ky proces nuk përfundon suksesshëm!

Angazhimi i z. Hyseni duhet të jetë në funksion të interesit nacional të vendit duke afruar krah nesh bashkësinë ndërkombëtare e jo duke dhënë deklarata vajtuese për konsum të brendshëm politik.

Nejse, moti i mirë ka marrë edhe në Bruksel këto ditë..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat