8 muaj burgim dhe 500 euro gjobë ndaj të akuzuarit që pranoi se përfshiu fëmijën e tij në aktivitete të rrezikshme sa ishte pjesë e “ISIS” në Siri

Aktuale

8 muaj burgim dhe 500 euro gjobë ndaj të akuzuarit që pranoi se përfshiu fëmijën e tij në aktivitete të rrezikshme sa ishte pjesë e “ISIS” në Siri

Më: 3 qershor 2021 Në ora: 16:05
Seanca

Visar Qukovci, i akuzuar për keqtrajtim të fëmijës së tij gjatë kohës sa kishte qenë në Siri, është dënuar me 8 muaj burgim dhe 500 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ky aktgjykim është shpallur të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu-Selimaj, pasi që paraprakisht, i akuzuari Qukovci e ka pranuar fajësinë për veprën penale të “keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Qukovci akuzohej nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) se gjatë vitit 2017, në Siri, kishte detyruar fëmijën e tij U.Q, i moshës tre vjeçar që të vendos jelekun me eksploziv, duke i dhënë edhe pushkën automatike në dorë, e duke i thënë “merre kallashin dhe gjuaj bam, bam”, e që të gjitha këto veprime i ka incizuar me kamerë.

Sipas gjykatëses Musliu-Selimaj, gjykata ka marrë këtë vendim bazuar në ligjin më të favorshëm, e që sipas saj, si ligj më i favorshëm në rastin konkret është Kodi Penal Sirian pasi në atë vend është kryer kjo vepër penale.

Në seancën e kaluar, mbrojtësi i të akuzuarit Qukovci, avokati Argjent Tigani kishte kërkuar interpretim ligjor për veprën penale të lartcekur, por që ky propozim u refuzua nga gjykata me arsyetimin se për ta është e qartë kjo dispozitë.

Ndryshe, pasi që e pranoi fajësinë, i akuzuari Qukovci tha se në momentin kur ishte kryer vepra penale kishte qenë gjendje lufte dhe sipas tij, nuk ka pasur qëllim që t’i bëj keq fëmijës së tij.

“Dashta me cek se në momentin kur u kry vepra jemi kon në gjendje lufte, diku në 24 orë kanë qenë 24 bombardime, gjasat për me pshtu kanë qenë te vogla, unë jam njeri i fundit qe muj me ju bo keq fëmijëve të mi, jam pendu shumë nuk ja ka vlejt ajo çka kam bo. Fëmija janë në kujdesje të nënës, kërkoi nga gjykata të ketë parasysh këto rrethana e të më shqiptoj dënim më të butë”, tha i akuzuari Qukovci para se të shpallej aktgjykimi.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Qukovci, u pajtuan edhe mbrojtësi i tij, avokati Argjent Tigani dhe prokurori i rastit Afrim Shefkiu.

Avokati Tigani i propozoi gjykatës që si rrethana lehtësuese për të mbrojturin e tij të merr faktin se Qukovci ka pranuar fajësinë para shqyrtimit gjyqësor, pastaj faktin se i akuzuari është penduar dhe se nuk e ka ditur që veprimet e tij përbëjnë vepër penale.

Ndërsa, prokurori Shefkiu ka thënë se pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit është i plotë dhe në pajtim me provat materiale të propozuara në aktakuzë.

Ndryshe, kjo seancë është ndaluar të incizohet pasi gjykatësja Musliu-Selimaj ka thënë se paraprakisht duhet të bëhet kërkesë dhe se rasti ka të bëjë me një anëtarë të familjes.

Për këtë arsyeje, ajo lejoi që të incizohet vetëm një minutë në fillim të seancës.

“Paraprakisht nuk ka kërkesë për incizimin e kësaj seance, mund të merrni vetëm fillimin e kësaj seance një minutë dhe e ndërpreni çdo videoincizim, kemi të bëjmë edhe me një rast të ndejshëm sepse kemi të bëjmë edhe me anëtarë të familjes”, tha gjykatësja Musliu-Selimaj.

Ndryshe, ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme në dhjetor të vitit 2020.

Pas përfundimit të gjykimit të parë, në dhjetor të vitit 2019, Qukovci ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” dhe për veprën penale “keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës”.

Për veprën e parë ai ishte dënuar me katër vjet burgim kurse për veprën e dytë, dy vjet e gjashtë muaj burgim dhe 500 euro gjobë ashtu që dënimi unik i shqiptuar ndaj tij kishte qenë pesë vjet e gjashtë muaj burgim dhe 500 euro gjobë.

Pas ankesës së PSRK-së, Gjykata e Apelit ia kishte ashpërsuar dënimin Qukovcit, ashtu që për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist e kishte dënuar me pesë vjet gjasthë muaj burgim kurse për keqtrajtim të fëmijës e kishte dënuar me tre vjet burgim.

Dënimi unik i shqiptuar nga Apeli për të akuzuarin kishte qenë shtatë vjet e gjashtë muaj burgim.

Por më pas, kundër këtyre aktgjykimeve kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kishte paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Argjent Tigani, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljes së ligjit penal.

Supremja kishte vendosur të anulojë aktgjykimet e kundërshtuara sa i përket veprës penale të “keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijëve” dhe çështjen ia ka kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

“Duke pasur parasysh situatën konfliktuoze në shtetin e Sirisë është e qartë se Kosova nuk ka marrëveshje me ketë shtet për bashkëpunim në çështjet penale, mirëpo, me qellim të aplikimit të drejtë të ligjit penal ndaj tani të dënuarit për ketë vepër penale gjykata e shkallës së parë duhet që në rigjykim në përputhje me Ligjin për bashkëpunim ndërkombëtar në çështjet penale përmes rrugëve diplomatike të kërkojë nëse është e mundur transferimi i kësaj çështje penale në Kosovë apo ndihmë juridike të ndërsjelle -shkëmbimi i të dhënave mes organeve kompetente lidhur me legjislacionin penal (a është e dënueshme kjo vepër penale edhe me ligjin penal S.), e pastaj të merr vendim në këtë çështje përkitazi me ketë vepër penale” – thuhej në aktgjykimin e Supremes.

Visar Qukovci ishte shpallur fajtor edhe për veprën penale “Organizmi dhe pjesëmarrje në grup terrorist”. Për këtë vepër penale, Qukovci ishte dënuar nga shkalla e parë më katër vite burgim. Por, pas ankesave të PSRK-së, Gjykata e Apelit ia kishte rritur dënimit  Qukovcit në pesë vjet e gjashtë muaj burgim.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 10 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Visar Qukovci për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2 të KPRK-së dhe “Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës”, nga neni 250, paragrafi 4 të KPRK-së.

Fillimisht, ai akuzohet se më 28 qershor 2014, së bashku me tani të ndjerin Arbnor Ukzmajli, me paramendim dhe me dashje dhe me përgatitje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS” në Siri ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit, ku ka kaluar në territorin e Maqedonisë, pasi ka marrë udhëzimet për mënyrën e rrugëtimit nga Irfan Aqifi.

Sipas aktakuzës, thuhet se kanë udhëtuar përmes rrugëve ilegale nëpër Bullgari e Turqi, ku më pas kanë arritur në Siri dhe në pjesën kufitare janë pritur nga pjesëtarët e ISIS-it, dhe pas identifikimit dhe regjistrimit në formular, si pjesëtar i kësaj organizate ka vijuar trajnim përkatës ku edhe më pastaj ka punuar si infermier në spitalet ushtarake të ISIS-it.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se gjatë kësaj kohe ka qenë i pajisur me uniformë ushtarake, pushkë automatike, si dhe me jelek me eksploziv, duke propaganduar përmes fotografive dhe incizimeve, organizatën terroriste ISIS, e që edhe më 29 dhjetor 2017, është arrestuar nga Forcat Demokratike Siriane, ku ka qëndruar deri më 19 prill 2019, me ç’rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat