Flet analisti amerikan: Kurti po gabon me “Ballkanin e Hapur” dhe me “lutjen” ndaj presidentit maqedonas

Aktuale

Flet analisti amerikan: Kurti po gabon me “Ballkanin e Hapur” dhe me “lutjen” ndaj presidentit maqedonas

Nga: A.ZH Më: 15 korrik 2022 Në ora: 20:04
Alon Ben-Meir, Albin Kurti; foto ilustrim nga "Bota sot"

Partitë opozitare në Kosovë kanë shtuar presionin ndaj Qeverisë së Kosovës, që të bëhet pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”.

I fundit që ka kërkuar një gjë të tillë është Enver Hoxhaj, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës.

Hoxhaj ka thënë se Kosova duhet të marrë pjesë në organizatat apo nismat rajonale duke kërkuar mbështetje nga shtetet që të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës dhe partneritetit për paqe të NATO-s.

“Sa kam qenë në postin e ministrit të Jashtëm, ne kemi ndjekur një qasje që qasje që Kosova të jetë pjesë e çdo organizatë, në çdo nismë rajonale. “Ballkani i Hapur” nuk është as organizatë, është një grup joformal i shteteve, sikurse është G7 apo G20. Dhe në pikëpamjen time, për Kosovën do të ishte e lehtë nëse sillet në mënyrë konstruktive, kreative dhe merr pjesë në “Ballkanin e Hapur” dhe kërkon mbështetje nga shtetet që ne të bëhemi pjesë edhe e Këshillit të Evropës, që të bëhemi pjesë e partneritetit për paqe të NATO-s. Nuk mund t’i thuash jo një nisme joformale për bashkëpunim në rajon dhe të kërkosh nga partnerët, nga shtete të ndryshme që të te mbështesin, qoftë në Strasburg, qoftë në Bruksel”, është shprehur Hoxhaj.

I të njëjtit mendim është edhe profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir. Duke folur për gazetën “Bota sot”, Ben-Meir ka thënë se Kosova mund të përfitojë nëse bëhet pjesë e “Ballkanit të Hapur”.

“Në një vëzhgim që kam bërë më herët, kam sugjeruar që Kosova t'i bashkohet nismës “Ballkani i Hapur” thjesht, sepse Kosova mund të përfitojë vetëm dhe nuk është në asnjë mënyrë në kundërshtim me procesin e Berlinit. Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka të drejtë të thotë se “Kosova duhet të marrë pjesë në organizatat dhe iniciativat rajonale”, duke kërkuar mbështetje për t'u bërë anëtare e Partneritetit për Paqe, Këshillit të Evropës dhe NATO-s”, është shprehur analisti për Ballkanin.

Sipas tij, Kosova duhet t’i bashkohet çdo nisme që promovon interesin e saj kombëtar. Profesori më tej ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, edhe për “lutjen” e tij ndaj presidentit të Maqedonisë së Veriut.

“Në të vërtetë, Kosova duhet të luajë një rol në çdo iniciativë që do të promovonte interesin e saj kombëtar me shtetet e Ballkanit dhe shqetësimi i kryeministrit Kurti nuk është realisht i ankoruar në asnjë arsye strategjike. Që ai t'i lutet presidentit të Maqedonisë Kovaçevski "që të dy vendet të punojnë së bashku për të parandaluar promovimin e Serbisë të interesave ruse dhe kineze në rajon" është e gabuar. Të punosh së bashku me Maqedoninë nuk është reciprokisht ekskluzive”, ka thënë Ben-Meir për “Bota sot”.

Ai ka shtuar se “anëtarësimi në “Ballkanin e Hapur” vetëm sa do të forcojë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe nuk do të bllokojë mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës, gjë që Kurti pohon të kundërtën”.

Sipas tij, kryeministri Kurti duhet të tregojë se pse anëtarësimi i Kosovës në “Ballkanin e Hapur”, do të ndikonte negativisht për Kosovën.

“Rregulli i përgjithshëm për Kurtin është mjaft i thjeshtë: Kosova duhet të anëtarësohet dhe të bëhet anëtare e ndonjë organizate ndërkombëtare apo rajonale përderisa një anëtarësim i tillë nuk do ta rrezikojë në asnjë mënyrë pavarësinë e Kosovës. Kurti ende nuk ka treguar se si dhe pse anëtarësimi në “Ballkanin e Hapur” në çfarëdo mënyre, do të ndikonte negativisht në pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar analisti amerikan./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat