A nuk e meriton një katastrofë Serbia dhe Vuçiqi!?

Aktuale

A nuk e meriton një katastrofë Serbia dhe Vuçiqi!?

Nga: Idriz Morina Më: 4 dhjetor 2022 Në ora: 17:30
Edi Rama dhe Vuçiqi si gjithnjë bashkë

Pse qenka sërish punë e Edi Ramës, ta mbrojë Serbinë nga një katastrofë?

A nuk paska punë të tjera Qeveria e Shqipërisë, kryeministri Edi Rama, apo veçse ta mbrojë Serbinë dhe Vuçiqin, këtë antishqiptar të madh, dhe përgjegjës për krimet masive që Serbia i ka kryer në Kosovë dhe në vendet e tjera fqinje të saja.

Për Edi Ramën nuk ka asnjë rëndësi gjenocidi

Që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, Edi Rama, si asnjëherë tjetër, të gjithë diplomacinë e Shqipërisë e ka përdorur për t’i dalur në mbrojtje Serbisë dhe presidentit të saj Vuçiqit, për ta shfajësuar për mbështetjen që ajo po ia jep Kremlinit, për krimet dhe gjenocidin në Ukrainë. Këtë sjellje Serbia po e bën, për shkak të detyrimeve ndaj Rusisë, e cila e ka përkrahur atë në të gjitha luftërat ku Serbia kreu gjenocid përfshirë Kosovën. Edhe për Edi Ramën, nuk ka asnjë rëndësi gjenocidi që e ka kryer Serbia ndaj shqiptarëve.

“Unë nuk emocionohem nga asnjë lloj deklarate që bëjnë politikanët brenda apo jashtë vendit tonë për qëllime të politikës së tyre të brendshme. Serbia do jetë në samit dhe presidenti i Serbisë nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse të vijë në samit, jua them me bindje sepse e kundërta do të ishte katastrofë për Serbinë dhe atë vetë natyrisht”, tha Rama.

Po të ishte një politikan që mbron interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, nëse nuk do të mund ta bënte një kurth që ta pengonte pjesëmarrjen e Vuçiqit dhe të Serbisë, në mënyrë që të bëhej e pashmangshme katastrofa, të paktën do të gëzohej, që Beogradi do të pësonte nga mungesa në samit.

E para askush se beson se do të ndodhte ndonjë katastrofë, për Serbinë, as për Vuçiqin. Por, thjesht Rama, ka treguar se do të ndihej i poshtëruar dhe i dështuar, në misionin e tij, për t’i kthyer të gjitha institucionet dhe Shqipërinë në favor të Serbisë, si asnjëherë tjetër në histori.

Po ashtu, Rama do të ndihej apo ka filluar të brengoset, se ky refuzim i Vuçiqit, nëse ndodhë, ai do ta humbte besimin tek vartësit e vet, se ai ka raporte speciale me të dhe se ato janë aq miqësore, sa që as presidenti i Serbisë, nuk mund t’i mohojë, dhe se me të vërtetë ai është njëshi, apo i dërguari special i Beogradit në Tiranë.

Në anën tjetër është edhe më i habitshëm fakti, se si Edi Rama këmbëngulë që Vuçiqi të marrë pjesë në samitin BE-Ballkan në Tiranë, kur vet presidenti i Serbisë, një ditë pasi e ka dhënë deklaratën, të premten, ka pohuar se Bërnabiqi dhe miqtë ndërkombëtarë po këmbëngulin, që të marrë pjesë Serbia.

Pra, Edi Rama e ka hallin, tek detyrat e tij, si “Kalorës i ortodoksisë”, se më nuk do ta ketë besimin e shqiptarëve, pasi do ta kuptojnë edhe më naivët, se ai është vënë hapur në mbrojtje të Serbisë, dhe pavarësisht të gjithave, ai nuk gëzon as respekt minimal!

Po ashtu Rama, mund të ketë frikë, se nëse Serbia nuk merrë pjesë në samit, nuk do të mund ta mbrojë Serbinë, si duhet nga rreziku për sanksione, madje, mund të detyrohet ta mbrojë pak Kosovën!

Gënjeshtra për neutralitetin

Ai sot de fakto doli kundër Granit Gjakës, vetëm se nuk e pati guximin ta fajësojë atë, dhe të thotë se ai e kishte provokuar ekipin serb, veçmas sepse ata po humbin, dhe se mbase sipas tij, serbët se durojnë dot humbjen.

Me pohimin e tij, se ai nuk është një kryeministër i Zvicrës dhe se nuk don të ndërhyjë, pavarësisht që bëhet fjalë për thirrje raciste ndaj shqiptarëve, moslejim të valimit të shqiponjës, flamurit shqiptar, por edhe të Kosovës, pavarësisht që FIFA, askujt tjetër nuk ia ndalon është dëshmi se Ramës nuk i intereson, as fati i Kosovës, por as i Shqipërisë.

Po, të ishte në pyetje mosndërhyrja, ai nuk do të fliste me aq ngulm në mbrojtjes të Serbisë dhe të Vuçiqit. Po, të ishte neutral, e kishte rastin ta shprehte po sot, por ai është kundër Kosovës, dhe neutral për Zvicrën, dhe pro Serbisë!

“Nuk kuptoj realisht pse duhet të flisja, nuk jam kryeministër i Zvicër, jam kryeministër i Shqipërisë, do t’i fryja zjarrit të një nacionalizmi më falni për shprehjen qesharak. Por, nacionalizmi është gjithmonë sa qesharak aq i rrezikshëm”, ka thënë Rama të dielën.

Por, katër vite më parë, kur dy futbollistët e shquar shqiptarë, që luajnë për kombëtaren e Zvicrës, Granit Gjaka dhe Xherdan Shaqiri, kur e bënin shqiponjën gjatë fitores kundër Serbisë, Edi Rama e kishte shpërndarë, atë foto, duke e quajtur “Foto e ditës” në anglisht madje, “Photo of the day”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat