Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur testin me shkrim për kandidatët të cilët kanë aplikuar në procesin e rekrutimit të 34 prokurorëve të rinj të shtetit, që do të shërbejnë në prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës, prej të cilave 10 pozita janë të rezervuara për komunitetin serb.
Sipas njoftimit, testi është mbajtur në ambientet e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, në një proces të organizuar mbi parimet e transparencës, integritetit, meritokracisë dhe mundësive të barabarta për të gjithë kandidatët.
Testit me Shkrim iu nënshtruan 100 kandidatë, ku prej tyre 48 janë femra dhe 52 meshkuj, përfshirë edhe tre kandidatë nga komuniteti serb dhe një nga komunteti boshnjak.
Bëhet e ditur se procesi është udhëhequr nga Kryesuesi i Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, Arian Gashi, së bashku me anëtarët e tjerë të Komisionit.
“Hartimi i testit me shkrim është bërë sot, në ditën e mbajtjes së tij, në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve vendorë dhe ndërkombëtarë nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET, të cilët kanë monitoruar edhe tërë mbarëvajtjen e procesit të testit me shkrim, praktikë kjo që synon të garantojë integritetin e testimit dhe të forcojë besueshmërinë në objektivitetin dhe paanshmërinë e procedurës së përzgjedhjes, duke kontribuar në mbikëqyrjen e pavarur dhe transparencën e procesit”, thuhet në njoftim.
Pas përfundimit të testit me shkrim, procesi i rekrutimit do të vazhdojë me fazat e radhës, në përputhje me procedurat dhe kriteret e përcaktuara.