Zëvendësministri i parë i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, gjatë një vizite studimore në Zagreb, është takuar me sekretaren e shtetit në Ministrinë e Shkencës, Arsimit dhe Rinisë të Kroacisë, Zrinka Muzinic Bikic. Vizita u organizua në bashkëpunim me UNICEF-in në Kosovë, ndërsa në delegacion ishin edhe përfaqësues të Ministrisë, Komunës së Kamenicës dhe UNICEF-it.
Gjatë takimit u prezantua modeli kroat i ofrimit të ushqimit në shkolla, si dhe u diskutua për praktikat e mira dhe përvojat e deritanishme. Në takimin dypalësh, Kryeziu dhe Bikic diskutuan për reformat në arsim, programin e mësimit tërëditor në Kroaci dhe planet e Kosovës për zbatimin e këtij modeli në kuadër të Strategjisë së Arsimit 2035+, si dhe për arsimin profesional dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Në kuadër të vizitës, delegacioni nga Kosova zhvilloi takime edhe me përfaqësues të UNICEF-it në Kroaci, të Qytetit të Zagrebit, Institutit Kroat të Shëndetit Publik dhe Universitetit të Zagrebit. Po ashtu, vizitoi një çerdhe dhe një shkollë fillore për të parë nga afër mënyrën e ofrimit të ushqimit për fëmijët dhe nxënësit.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka falënderuar UNICEF-in në Kosovë për mbështetjen dhe organizimin e vizitës, përmes së cilës zyrtarët patën mundësi të njihen me praktikat kroate për sigurimin dhe shpërndarjen e ushqimit në shkolla, përcaktimin e vlerave ushqyese të vakteve dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale.