Vrasja e Liridona Ademajt, Naim Murseli dhe dy të dyshuarit e tjerë dërgohen në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz

Aktuale

Vrasja e Liridona Ademajt, Naim Murseli dhe dy të dyshuarit e tjerë dërgohen në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz

Nga: Bota sot Më: 3 dhjetor 2023 Në ora: 07:13 Përditësuar në ora: 13:41 më 03.12.2023
Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz

Naim Murseli dhe dy të dyshuarit e tjerë dërgohen në Burgun e Sigurisë së Lartë

Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka caktuar nga një muaj paraburgim tre të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.

Sipas Gjykatës, bazuar në arsyetimin e Prokurorisë ka prova të mjaftueshme për të cilat më pas të akuzuarit do të mund të arratiseshin ose të ndikonin në prova.

Media mëson se tre të dyshuarit, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë dërguar në Burgun e Sigurise së Lartë në Dyz.

Në njoftimin e bërë nga Gjykata, u shpalosën detaje rreth këtij krimi të rëndë dhe se si kishte ndodhur vrasja.

Sipas njoftimit, fillimisht bashkëshortja i të ndjerës, Naim Murseli e kishte pajisur me armë Granit Plavën, dhe derisa e gjithë familja ishte në veturë, ai rreth orës 20:20 i del para veturës me maskë në kokë dhe e qëllon nga afërsia me një plumb në qafë viktimën.

Gjithashtu, Gjykata konfirmoi sot se Naim Murseli për të kryer vrasjen e Liridonës i kishte premtuar tashmë ekzekutuesit, Granit Plava një shumë të hollash prej 30 mijë euro pagesë.

Gjykata zbardh detaje të reja: Liridona u qëllua nga afërsia me një plumb në qafë

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarve të tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt.

Sipas njoftimit, është përshkruar momenti kur dhe ishte kryer vrasje.

Fillimisht bashkëshortja i të ndjerës, Naim Murseli e kishte pajisur me armë Granit Plavën, dhe derisa e gjithë familja ishte në veturë, ai rreth orës 20:20 i del para veturës me maskë në kokë dhe e qëllon nga afërsia me një plumb në qafë viktimën.

Njoftimi i plotë i Gjykatës:

Prishtinë, 03 dhjetor 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurit N.M për shkak të veprës penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje, G.P për veprën penale Vrasje e rëndë dhe vepën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe i pandehuri K.K për shkak të veprës penale Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.

Gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, të njëjtit mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe në dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprës penale, e të gjitha së bashku kanë plotësuar bazën ligjore për caktimin e kësaj mase kundër të pandehurve, andaj gjykata ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.M, G.P dhe K.K dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Vrasja e Liridona Ademajt: Nga një muaj paraburgim ndaj tre të dyshuarve

Nga një muaj paraburgim iu është caktuar tre të dyshuarve, Naim Murselit dhe dy të tjerëve për vrasjen e Liridona Ademajt.

Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Kjo u konfirmua nga Mirlinda Gashi, zëdhënëse e kësaj gjykate.

“Vendimi është marrë. Nga një muaj paraburgim për tre të dyshuarit”, tha ajo.

Familja tregon pse nuk morën pjesë në seancën ndaj të dyshuarve për vrasjen e Liridonës

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka zhvilluar të dielën një seancë ndaj tre personave që dyshohet të jenë përfshirë në vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Murselit, më 29 nëntor, në kryeqytetin e Kosovës.

Në mesin e të dyshuarve është burri i saj, i identifikuar si Naim Murseli.

I arrestuar është edhe G.P, i identifikuar nga Policia e Kosovës si dorasi, dhe K.K, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Seanca ka nisur në orën 9:30, dhe ka qenë e mbyllur për mediat.

Ende nuk dihet masa që pritet të përcaktohet ndaj të dyshuarve.

Afër gjykatës janë parë familjarë të Liridonës, por ata nuk janë lejuar të marrin pjesë në seancën e parë.

Vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, ka thënë se është njoftuar që duhet të bëjë kërkesë për të marrë pjesë në seancat e radhës.

Ai ka thënë se i ka dorëzuar kërkesë Prokurorisë për zhvarrosjen e trupit të Liridonës dhe rivarrosjen afër varrezave të shtëpisë së prindërve të saj.

“Liridona është vrarë në mënyrën më mizore, në mënyrën më makabre që mund të jetë. Liridona ishte grua e fuqishme, motër e fuqishme dhe nënë e fuqishme. Doli të bëhet edhe heroinë për fëmijët e vet. Ne po e përmbajmë veten, sepse ajo nuk donte të na shihte neve kurrë kështu”, ka thënë vëllai i saj, pas seancës.

Ai ka thënë se beson që autoritetet e Kosovës do të vendosin drejtësi në këtë rast.

Në hyrje të ndërtesës, është mbajtur një protestë, me mbishkrimin “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.

Vëllai i Liridonës: Fëmijët janë me gjyshërit dhe hala s’e dinë që iu ka vdekur nana, me ardhë te na e kuptojnë

Leonard Ademaj, vëllai i të ndjerës Liridona, ka thënë se aktualisht fëmijët i kanë në kujdes dy gjyshërit, prindërit e Naim Murselit, dhe se ata s’kanë insistuar që t’i marrin meqë gjendja emocionale e familjarave është e rëndë.

“Me fëmijët kemi pasë kontakt. Shoqata sociale ka ardhur dhe ka qenë edhe te ata, që fëmijët janë mirë dhe mos keni merak për ta. Ata nuk kanë telefona që ne me komuniku me ta sepse janë të vegjël. Kujdesin e tyre e kanë gjyshja dhe gjyshi i tyre (prindërit e Naimit).

Kanë ardhur e na kanë pyet. Te ne është gjendja shumë katastrofale dhe fëmijët s’e kanë kuptu hala që nana ka vdekë dhe me ardhë te ne e kanë më të lehtë me e kuptu se çka është duke ndodhur. I kemi lënë te ata sepse janë edhe fëmijët e vëllait të Naimit dhe po e kalojnë kohën me ta pa e kuptu”, tha ai.  

Leonard Ademaj s’ka marrë pjesë në seancë në seancën dëgjimore ku kanë dalë tre të dyshuarit, përfshirë edhe Naim Murselin.

Përfundon seanca ndaj Naim Murselit dhe dy të tjerëve, pritet vendimi i Gjykatës për caktimin e paraburgimit

Pas përfundimit të seancës, avokatët e dy të dyshuarve Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, kanë thënë se klientët e tyre janë mbrojtur në heshtje

Ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarve të tjerë, për vrasjen e Liridona Ademajt.

Seanca dëgjimore është mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa gjykata tash pritet të marrë vendimin për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.

Pas përfundimit të seancës, avokatët e dy të dyshuarve Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, kanë thënë se klientët e tyre janë mbrojtur në heshtje.

Pak para fillimit të seancës Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur një aksion simbolik para Pallatit të Drejtësisë.

Liridona Ademaj, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.

Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave: dorasin G.P dhe N.M, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.

Mediat lokale në Kosovë e kanë identifikuar bashkëshortin si Naim Murseli.

Pak orë më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se në mesin e të arrestuarve për këtë rast, si i dyshuar, është edhe K.K, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Betimi për Drejtësi – medium i specializuar në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë – ka raportuar, bazuar në burime se, i dyshuari Naim Murseli e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen për bashkëshorten e tij.

“Burime të ‘Betimi për Drejtësi’ bëjnë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës”, është thënë në raportimin e këtij mediumi.

Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.

Policia e Kosovës ka thënë se ka kryer bastisje në Gjakovë dhe ka arritur të sekuestrojë armën, me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja.

Dy të dyshuarit për vrasjen e Liridonës mbrohen në heshtje

Gjykata Themelore e Prishtinës pritet që së shpejti të marrë vendim lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademaj-Murseli.

Nga gjykata ku është mbajtur seanca dëgjimore kanë dalur avokatët e dy të dyshuarave për këtë vrasje Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

Skënder Gojani i cili është avokat i Granit Plavës dhe Ahmet Gjinovci avokat i Kushtrim Kokallës, thanë para mediave se pritet të merret vendimi.

“I paraqitem qëndrimet tona dhe prokurorja të vetat, tash pritet vendimi”, tha njëri nga avokatët.

Ata shtuan se klientët e tyre janë mbrojtur në heshtje.

​Seanca për vrasjen e Liridona Ademajt pa praninë e mediave

Mediat nuk janë lejuar të ndjellin seancën fillestare ndaj bashkëshortit të Liridona Ademajt, Naim Murseli si organizator i vrasjes, dorasit Granit Plavës dhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i FSK-së.

Larg mediave është bërë edhe hyrja e të dyshuarve në Gjykatën Themelore në Prishtinë, teksa aty janë parë të hynë edhe familjarët e Liridon Ademajt.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist bashkë me aktivistë feministë të pavarur, kanë mbajtur një aksion simbolik, ku para hyrjes së Gjykatës Themelore në Prishtinë, kanë vendosur pankartën “Nuk ka paqe pa siguri”. I gjithë aksioni është mbajtur para nisjes së seancës gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt. Ndërkohë, sipas orarit të paraparë, tanimë ka nis seanca. Pas seancës gjyqëtari i procedurës paraprake pritet të vendos për një muaj paraburgim për të dyshuarit.

Ka nisur seanca dëgjimore ndaj tre të dyshuarve për vrasjen e Liridonës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë tashmë ka nisur seanca dëgjimore ndaj tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademaj-Murseli.

Të dyshuarit kanë hyrë brenda hapësirave të Gjykatës nga hyrjet ku nuk kanë qenë prezente mediat, si dhe seanca po zhvillohet pa prani të mediave.

Naim Murseli hyn në gjykatë fshehurazi nga mediat

Bashkëshorti i Liridona Ademajt, i dyshuar për organizimin e vrasjes së viktimës, ka hyrë në Gjykatën Themelore të Prishtinës nga një hyrje tjetër dhe larg mediave.

Ndërkohë, ende nuk ka informata nëse janë në gjykatë apo do të sillen edhe dy të dyshuarit tjerë, dorasi Granit Plavës dhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i FSK-së.

Seanca është paraparë të nisë në orën 09:30.

Aty ka arritur edhe vëllai i Liridona Ademjajt, Leonardi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat