Abdixhiku paralajmëron ata që s’do të angazhohen për LDK-në: S’do të keni vend në parti

Aktuale

Abdixhiku paralajmëron ata që s’do të angazhohen për LDK-në: S’do të keni vend në parti

Më: 9 dhjetor 2023 Në ora: 11:44
Lumir Abdixhiku

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur sot para nisjes së mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë prej ku edhe do të dalë Kryesia e re e LDK-së. Abdixhiku ka thënë se strukturat që janë zgjedhur deri tani, kanë për obligim që ta shtrijnë dhe përhapin programin e LDK-së në secilin cep të Kosovës.

Ai ka thënë se meritat për ringritjen e shpejt të LDK-së dhe për konsolidimin e partisë s’ka kush ua merr anëtarëve të strukturave të LDK-së që janë angazhuar deri më sot.

Kjo mbledhje na vjen pas konventës programore. LDK dëshmoi vlerat e saj identitare të organizimeve të brendshme si kulmim i demokracisë dhe mobilizimit të demokracisë. Ne sot bashkërisht bartim përgjegjësinë për shtrirjen e programit tonë gjithandej nëpër Kosovë. Në zemër të veprimit tonë politik, qëndron organizimi partiak. Aktivizimi politik nuk kufizohet në salla si këto, e aq më pak në beteja të brendshme. Bëhet tek njerëzit tanë, bëhet në çdo qytet, çdo fshat në çdo anë. Ata po e presin lidhjen tonë, punën tonë. Le ta themi qartë LDK sot po kalon momente të mira, të unitetit të brendshëm, të konsolidimit e të prezantimit publik. Këto momente na vijnë sepse kemi punuar fort për to. Kemi punuar në momente të vështira, kur pak kush ka besuar në ringritjen tonë të shpejt, kemi punuar në momente të rënda kur shumë kush nuk e ka dashur konsolidimin tonë të shpejt.

Për këtë dua që të jeni krenar, sepse do të mbaheni në mend si gjenerata politike që bëri këtë rikthim dhe këtë konsolidim, s’ka kush që ua merr këtë meritë”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se rrugës do të ketë edhe cinikë që s’iu duket asgjë puna që po bëhet, por thotë se marrja me njerëz të tillë është humbje kohe.

“Rrugës do të ketë cinikë që përçmojnë punën tuaj dhe do të ketë ankues që s’mjaftohen kurrë por që vetë s’bëjnë asnjë punë. Ajo çfarë kam kuptuar është se marrja me ta është humbje kohe”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku ka këkruar angazhim nga strukturat e partisë, degët e nëndegët, duke thënë se ata që nuk angazhohen dhe që s’punojnë nuk kanë vend në parti.

“Kuvendi e konventa është fundi i një pune të gjatë, por është fillimi I shtrirjes organizative nëpër Kosovë dhe nëpër botë. Kryesitë tona nëpër degë e nëndegë, duhet të jenë platforma planifikimi të organizimit të përjavshëm, e ku takimi me qytetarë është matësi i vetëm i punës partiake. Një kryesi e një dege ose nëndege që refuzon të kuptoj nevojën e madhe për mobilizim partiak dhe zgjedh komfortin e komentatorit nga distanca, nuk meriton të mbetet në pozicionin që ka dhe s’do të lejohet të qëndrojë aty”, ka thënë Abdixhiku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat