Çka deklaroi para gjykatës gruaja që e goditi për vdekje 26-vjeçarin në Prishtinë

Aktuale

Çka deklaroi para gjykatës gruaja që e goditi për vdekje 26-vjeçarin në Prishtinë

Më: 28 shkurt 2024 Në ora: 16:22
Foto ilustrim

Në vendimin e Gjykatës, thuhet se në seancë dëgjimore, e dyshuara Y.B., e cila shkaktoi aksident me fatalitet në Prishtinë, ka shprehur keqardhje lidhur me rastin duke thënë se asnjëherë në jetën e saj nuk ka rënë ndesh me ligjin.

Ajo ka kërkuar edhe falje publike për rastin që ka ndodhur.

Ndërkaq, mbrojtësi i saj, avokati Nasuf Hasani, thuhet se në atë seancë ka thënë se ndjen keqardhje për rastin që ka ndodhur dhe se nuk ka dëshirë askujt t’i ndodh ky rast.

Tutje, avokati Hasani ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktim të paraburgimit, me arsyetimin se nuk ka ekzistuar dashja për privimin nga jeta të tani të ndjerit Sh.H dhe se kërkesa për paraburgim është masa më e rëndë e mundshme.

Avokati Hasani ka theksuar po ashtu se nuk ekziston rreziku i ikjes apo të ndikimi në prova apo dëshmitarë dhe se e dyshuara do të jetë e gatshme në secilin moment të përballet me drejtësinë.

Ndërkaq, prokurori Eset Rama, thuhet se ka qëndruar pranë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, duke shtuar se nga video-incizimi i kamerave, skica e vendit të ngjarjes, raporti i mjetit, kuptohet se e dyshuara ka vepruar në kundërshtim me rregullat e trafikut.

Lidhur me rastin, sipas prokurori Rama në vend të ngjarjes ka pasur shumë dëshmitarë dhe se ekziston rreziku i ndikimit në ta, pasi që Prokuroria ende nuk i ka dëgjuar të njëjtit dhe se sipas prokurorit e vetmja masë për sigurimin e të dyshuarës në procedurë, është paraburgimi.

Çka thuhet në kërkesën e Prokurorisë për caktim të paraburgimit?

Sipas Dosjes së Prokurorisë,  të siguruar nga “BetimipërDrejtësi”, e dyshuara nga pakujdesia derisa ishte duke vozitur veturën, ka vepruar në kundërshtim me rregullat e trafikut pasi nuk ka përshtatur shpejtësinë e automjetit dhe kushteve të rrugës.

“Me të arritur përballë Ministrisë së Arsimit te semafori, e njëjta duke vazhduar në mënyrë të pakontrolluar dhe me pjesën e përparme të automjetit godet shtyllën e semaforit dhe nga goditja, semafori rrëzohet dhe godet këmbësorin SH.H, me çka tani të ndjerit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, ku si pasojë e lëndimeve, tani i ndjeri ka ndërruar jetë në vend të ngjarjes”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për caktim të paraburgimit.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 370, paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat