Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu ka thënë se nëse dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk kanë fuqi politike për të nxitur dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti dhe refuzojnë votën e tyre për shpërndarjen e kësaj legjislature, atëherë alternativa e tyre është që kjo qeveri ta përfundojë mandatin qeverisës dhe të shkohet në zgjedhje të rregullta.
Ai ka thënë se nëse këto parti e kanë renditur argumentet për dështimet e kësaj qeverie, alternativen politike nuk duhet ta fokusojnë në formën se si i ndërpritet mandati i kësaj qeverie.
“Nëse LDK dhe AAK si parti opozitare, mendojnë se kjo qeveri i ka sjellë shumë dëme vendit dhe duhet të ndalohet kjo formë e qeverisjes?! Nëse tani i kanë të renditura shumë argumente për ngecjet dhe dështimet e kësaj qeverie, në disa fusha të politik bërjes, si: në zhvillimin ekonomik, në qeverisjen llogaridhënëse, transparente dhe pa korrupsion, fuqizimin e aleancave dhe partneritetit ndërkombëtar, rrugëtimin euroatlantik, anëtarësimin në KiE, dialogun me Serbinë etj.. S’di pse alternativen e tyre politike duhet ta fokusojnë në formë, se si i ndërpritet mandati kësaj qeverisje!? Gjithnjë forma ka rëndësi se si një veprim politik pranohet dhe perceptohet nga publiku, por jo mbi përmbajtjen. Përmbajtja është thelbësore në politikë”, ka shkruar Kryezi në Facebook.
Sipas tij, më shumë se sa forma se si të arrihet ndërprerja e një mandati të një qeverie, politikisht për opozitën është zgjidhje më e mençur ndërprerja e një mandati të qeverisë para kohe, se sa shkuarja në zgjedhje të rregullta.
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar pas takimit me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, se duhet diskutuar me të gjitha partitë për datën e zgjedhjeve. Krasniqi në anën tjetër ka thënë se ka kërkuar nga Kurti që sa më shpejtë të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se shpërbërjen e Kuvendit e përkrahin vetëm nëse dorëhiqet kryeministri Kurti. Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është deklaruar ende lidhur me zgjedhjet.