Kastrati i ashpër me Kurtin: Në kohën e tij shqiptarët po ikin nga Kosova

Aktuale

Kastrati i ashpër me Kurtin: Në kohën e tij shqiptarët po ikin nga Kosova

Më: 20 maj 2024 Në ora: 15:09
Ardian Kastrati, deputet i PDK-së

Në një video-postim deputeti i PDK-së Ardian Kastrati ka thënë se pohimi i kryeministrit, Albin Kurti për 87 mijë vende të reja të punës është super mashtrim.

Kastrati mes tjerash ka thënë se demanti më i fortë për këtë pohim është ikja masive e qytetarëve nga vendi.

“Po të kishte vende pune njerëzit nuk do të shkonin në Perëndim për të kërkuar punë”, ka thënë ai.

“MASHTRIMET DHE RRENAT E RADHËS: Albin Kurti paska thënë që i ka krijuar 87.000 vende të reja të punës dhe e ka rritur buxhetin për 3 vite 1 miliardë euro. E vërteta është që buxheti është rritur për shkak të rritjes së çmimeve, dhe jo për shkak të rritjes së volumit të ekonomisë. SUPER MASHTRIM!”, ka thënë Kastrati.

Lidhur me pretendimin e Kurtit për rritjen 1 miliard euro të buxhetit Kastrati ka konstatuar se rritja nominale ekonomike nuk ka ardhë si rezultat i rritjes së volumit ekonomik por si pasojë e rritjes së çmimeve.

Për ilustrim ai ka marrë shembull një familje katër anëtarëshe me dy rroga mesatare nga 500 euro në arsim.

Për ta mbrojtur konstatimin e tij ai ka ftuar për krahasim se sa i ka paguar përmes TVSH-së familja katër anëtarëshe buxhetit të shtetit për konsumin e tyre mujor në kohën kur çmimet ishin më të ulëta dhe sa i paguajnë ata tani buxhetit të shtetit kur çmimet janë gati 100% më të shtrenjta, ndërsa pagat mbesin të njëjtat.

Sipas Kastratit, buxheti është rritur si pasojë e rritjes së çmimeve  dhe këto çmime i kanë paguar vet qytetarët nga xhepi i tyre.

“Kësisoj, në njërën anë është rritur buxheti i shtetit i cili ka mbetur i pashfrytëzuar si turrshi për shkak paaftësisë së qeverisë me realizu projekte , por në anën tjetër është varfëruar kuleta e qytetarëve ” ka përfunduar Kastrati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat