Gjykata vendos për Sinan Vllasaliun, i akuzuar për shmangie nga tatimi

Aktuale

Gjykata vendos për Sinan Vllasaliun, i akuzuar për shmangie nga tatimi

Më: 22 maj 2024 Në ora: 15:24
Sinan Vllasaliu

Gjykata Themelore e Prishtinës ka refuzuar aktakuzën ndaj këngëtarit Sinan Vllasaliu i cili ngarkohej nga Prokuroria se ka dëmtuar shtetin me 24 mijë e 270 euro e 98 centë, duke iu shmangur tatimeve gjatë viteve 2011-2015.

Shpallja e aktgjykimit është bërë të martën nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj të akuzuarit Vllasaliu për shkak të parashkrimi absolut të veprës penale.

Gjykatësja Krasniqi-Jashancia tha se sipas dispozitës ligjore të nenit 362 paragrafi 1 pika 1.1 dhe 1.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës gjykata merr aktgjykim refuzues për shkak se prokurorja e shtetit në fjalën e saj përfundimtare e bërë ri cilësimin e veprës penale “Shmangie nga tatimi” nga neni 313 paragrafi 2 siç ka qenë, në veprën e njëjtë penale por tani me paragrafin 1.

“Ligjvënësi ka paraparë se vepra penale “Shmangie nga tatimi” nga neni 313 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës është e dënueshme me dënim me gjobë dhe me dënim me burgim deri në 3 vjet. Nisur nga pretendimet e aktakuzës, kohës së kryerjes së veprës penale që është periudha kohore prej vitit 2011-2015 bir që prej datës  31.12.2015 deri me datë 31.12.2021 është arritur ndalesa absolute në fuqi me ligjin dhe për këtë arsye gjykata bie aktgjykim refuzues pasi ka kaluar afati i parashkrimit absolut”, tha gjykatësja Krasniqi-Jashanica.

Ndryshe, në seancës e fundit për këtë rast të mbajtur më 17 maj 2024, prokurorja Elza Bajrami, në fjalën përfundimtare pasi ka bërë rikualifikimin e veprëspenale nga neni 313 paragrafi 2 në paragrafin 1, ka thënë se është vërtetuar se ka pasur shmangie nga tatimi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 2 maj 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Sinan Vllasaliu po ngarkohet me veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

Aktakuza thotë se i pandehuri Vllasaliu në cilësi të këngëtarit dhe të pronarit të biznesit “N.P.T. “Tusido” me seli në Prishtinë në vazhdimësi për vitet fiskale 2011, 2012, 2013, 2014 dhe 2015 që ndërlidhen me pagesën e tatimit, tarifave apo kontributeve tjera pranë Administratës Tatimore të Kosovës me qëllim të përfitimit të paligjshëm, nuk ka deklaruar apo ka deklaruar pjesërisht qarkullimin real nga aktiviteti i tij ekonomik.

Për këtë veprim, ai ngarkohet se ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë të përgjithshme në vlerë prej 24 mijë e 270 euro e 98 centë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 313, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat