Komuna e Mitrovicës së Veriut gjen shkelje milionëshe të cilat i ka bërë Lista Serbe - kryetari jep detaje

Aktuale

Komuna e Mitrovicës së Veriut gjen shkelje milionëshe të cilat i ka bërë Lista Serbe - kryetari jep detaje

Më: 15 qershor 2024 Në ora: 22:51
Erden Atiq

Kryetari i komunës së Mitrovicës së veriut, Erden Atiq në një intervistë ka thënë se hapja e Urës së Ibrit, nuk i pengon aspak komunës sepse kjo do t’i ndihmonte bashkimit me komunën jugore të Mitrovicës. Sipas Atiq, tashmë ky vendim i takon ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. I pari i komunës veriore të Mitrovicës tha se tashmë kanë iniciuar lëndë në prokurori për shkeljet që janë gjetur gjatë qeverisjes së Listës Serbe, duke u nisur nga tenderët që i janë dhënë bashkëpunëtorëve të Millan Radoiciq, për të shtruar rrugë në këtë komunë e që nuk ka ndodhur.

I ndanë vetëm materiali i betonizuar që është vendosur në vitin 2011.

Ura e Ibrit e cila i ndanë qytetarët jugor nga ata veriorë, është bërë temë aktuale pasi institucionet e Kosovës po bëjnë thirrje për hapjen e saj, që qytetarët të lëvizin lirshëm.

Ngjashëm mendon kryetari i komunës së veriut të Mitrovicës, Erden Atiq, i cili për Tëvë1 thotë se është i gatshëm të ndërmarrë veprimet e nevojshme për hapjen e urës.

Por kërkesat e BE-së janë për koordinimin e vendimit e që sipas Atiq, këtë nuk ua kanë thënë ndërkombëtarët asnjëherë atij në takim.

“Sa i përket urës së Ibrit, e pat marrë shumicën e votave në Asamblenë komunale të komunës së veriut të Mitrovicës, tash përgjegjësia është në ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Neve si komunë nuk është se na sjellë telashe për arsyeje se është një rrugë kyçe me komunën tjetër asaj të jugut. Me takimet që unë i kam pas si kryetar komune, asnjëherë nuk është diskutuar ura e ibrit”, ka deklaruar ai.

Ditëve të fundit në këtë komunë të banuar kryesisht me serb, ka filluar edhe largimi i objekteve të cilat kanë uzurpuar pronën publike. Sipas të parit të kësaj komune, të gjitha ndërtimet pa leje do të rrënohen.

“Ka hy në fuqi rregullorja e re komunale, e cila e përcakton shfrytëzim e hapësirave publike, tarifat e metrit katror e tjera. Dhe kemi filluar menjëherë me aplikim e kësaj mase, si dhe rrënimin e objekteve afariste të cilët e kanë shfrytëzuar, e kanë uzurpuar pronën publike ose e kanë ndërtua pa leje edhe gradualisht jemi duke i liruar këto hapësira”

Më 24 shtator në Banjskë, ish nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojçiq, kreu sulm paraushtarak në Zveçan, e për këtë Listës Serbe tashmë i ka rënë ndikimi në veri.

“Sa i përket Listës Serbe, u dëshmua, nënkryetari i tyre organizoi sulm terrorist ku u vra dëshmori i fundit të Republikës së Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku, tash kjo e tregon natyrën e një entiteti e cila është gjithçka përveç, subjekt politik. E ka humbur ndikimin”.

Komuna veriore e udhëhequr tashmë nga shqiptarët, ka deponuar në prokurori dëshmi për keqpërdorim të parasë publike dhe dhënien e tenderëve të bashkëpunëtorëve të Millan Radoiçiq, për çka edhe kanë nisur hetimet.

“Ditët edhe muajt në vazhdim kanë me vazhdua denoncimet nga ana jonë, ka pas keqpërdorime të mëdha milionëshe. Duke filluar nga punësimet, nepotizëm, keqpërdorim të parasë publike, shpallje të tenderëve 3-4 herë, buxhet për rrugët që nuk janë shtruar, tenderë po po”.

Më 19 maj 2023, Erden Atiq mori detyrën si kryetar legjitim i kësaj komune, ndonëse kishte një dalje të vogël të qytetarëve për të votuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat