“Mos po doni me këtë ‘harxh’ me shpërnda edhe Kuvendin?”, Konjufca tregon “pyetjen” e Tahirit të PDK-së

Aktuale

“Mos po doni me këtë ‘harxh’ me shpërnda edhe Kuvendin?”, Konjufca tregon “pyetjen” e Tahirit të PDK-së

Nga: Bota sot Më: 23 maj 2024 Në ora: 07:20 Përditësuar në ora: 20:00 më 23.05.2024
Kuvendi i Kosovës

​Kuvendi pa kuorum për statutin e ri të Universitetit të Prishtinës

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum në vendimmarrje për të miratuar statutin e ri të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Megjithëse në sallën plenare ishin të pranishëm 62 deputetë të mazhorancës në votim morën pjesë vetëm 54.

Në fjalimin e saj, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha statuti i ri do të përmirësojë cilësinë në Universitetin e Prishtinës dhe do të fuqizojë të drejtat e studentëve.

Pas kësaj, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca mbylli punimet e seancës së sotme plenare. 

​Kuvendi miratoi Projektligjin për kripto-astetet

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për kripto-astetet.

Në seancën e sotme plenare, legjislativi miratoi në parim edhe Projektligjin për shpronësimin e pronës së paluajtshme.

Ndërkaq, drita e gjelbër iu dha edhe Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028.

Krahas këtyre, Kuvendi dështoi sërish të miratojë Komisionin hetimor për zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti. 

“Mos po doni me ketë ‘harxh’ me shpërnda edhe Kuvendin?”, Konjufca tregon “pyetjen” e Tahirit të PDK-së

Pika për statutin e Universitet të Prishtinës është zhvendosur si pika e fundit në rendin e ditës, gjatë seancës të së enjtes.

E më këtë rast, kryekuvendari Galuk Konjufca shfrytëzoi rastin për humor, duke treguar edhe një “pyetje” të deputetit të PDK-së, Abelard Tahirit.

“Ka kërkesë nga disa gupet parlamente që të bëjmë zhvendosje të kësaj pike, të pikës së statutit të UP-së. E zhvendosim me dashtë. Abelrad Tahiri po më pyet ‘mos po doni me qit harxh me shpërnda edhe Kuvendin’”.

E pak më herët, përmes një postimi në Facebook, UP-ja ka ftuar deputetët e Kuvendit ta votojnë statutin e universitetit.

“Statuti po ndryshohet pas më tepër se dymbëdhjetë (12) vjetësh dhe duke marrë parasysh përmbajtjen dhe shpejtësinë me të cilën kanë lëvizur dinamikat dhe trendet në arsimin e lartë, status quo-ja ka qenë zgjidhje qartazi e paqëndrueshme dhe ndryshimet të ngutshme e të domosdoshme. Në të vërtetë, shumë prej kritereve dhe kërkesave statutare nuk kanë ndryshuar që nga statuti i miratuar në vitin 2003”, thuhet në njoftim e tyre.

Miratohet marrëveshja për burgjet me Danimarkën

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.

Me vota 86 pro, asnjë abstenim dhe 7 kundër, Kuvendi i Kosovës e miraton marrëveshjen ndërkombëtare me Mbretërinë e Danimarkës.

Në sallë ishin të pranishëm 94 deputetë.

Kosova dhe Danimarka e nënshkruan letër-pëlqim për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez në Kosovë në dhjetor të vitit 2021. Në prill 2022, dokumenti u shndërrua në Traktat, sipas së cilit ishte paraparë që transferimi i të burgosurve të bëhej në fillim të vitit 2023.

Udhëheqësit dhe gardianët në burgun e Gjilanit do të jenë nga shteti i Danimarkës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Autoritetet në Danimarkë kanë thënë më herët se kapacitetet e burgjeve të tyre janë mbushur 100%, pasi numri i të burgosurve është rritur për gati 20% nga viti 2015.

Kalon edhe marrëveshja e bashkëfinancimit për hartimin e projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren

Kuvendi i Kosovës ka kaluar edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren.

Marrëveshja kaloi me 82 vota për, nga 93 deputetë sa ishin në sallë. Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim.

“82 vota për, kështu që kalon kjo për tunelin Tetovë-Prizren”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.

​Kuvendi miraton tri marrëveshje ndërkombëtare

Sot, në vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës ka miratuar tri marrëveshje.

Ratifikimin i Marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale për infermier, kirurg veterinar, farmacist dhe mami në kontekstin e Marrëveshjes së tregtisë të lirë të Evropës Qendrore, është marrëveshja e parë që u votua.

Ndërkaq, pas kësaj, pro u votua edhe për ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Po ashtu, ani pse pati debate mes pozitës dhe opozitës, me 80 vota u miratua edhe për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE) për Projektin “Banimi social adekuat”.

Propozimin për këtë marrëveshje, e cila vlerën totale e ka 25 milionë euro, e bëri Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ai tha se qëllimi kryesor i këtij projekti është zhvillimi i sistemit të menaxhimit të banimit social në Kosovë dhe ngritja e numrit të njësive të numrit social në vend.

Murati potencoi se nga miratimi i kësaj marrëveshje do të përfitojnë familjet e cenueshme dhe ato me të ardhura të ulëta, të cilat nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit.

Përveç kësaj, ai shtoi se përmes qirave të përballueshme mund të përfitojnë edhe familjet me të ardhura të ulëta deri tek ato me të ardhura të mesme, të cilat e kanë të vështirë të përballojnë çmimet e tregut për banim.

“Qëllimi kryesor i këtij projekti është zhvillimi i sistemit të menaxhimit të banimit social në Kosovë dhe ngritja e numrit të njësive të numrit social në vend. Me këtë rast, marrëveshja përfshin disa komponente kyçe për arritjen e qëllimit të projektit. Përkatësisht marrëveshja përfshinë ngritjen e numrit të njësive të banimit social që mund të bëhet duke rinovuar banesat sociale ekzistuese, shndërrimin e banesave ekzistuese në banesa të reja sociale, ndërtimin banesave të reja të banimit social e të tjera. Nga kjo komponentë mund të përfitojnë familjet të cenueshme dhe ato me të ardhura të ulëta të cilat nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit. Po ashtu, përmes qirave të përballueshme mund të përfitojnë edhe familjet me të ardhura të ulëta deri tek ato me të ardhura të mesme të cilat e kanë të vështirë të përballojnë çmimet e tregut për banim…Marrëveshja e Kredisë ka vlerën totale prej 25 milionë euro dhe do t’i mundësojë Qeverisë së Republikës së Kosovës që të zhvillojnë sistemin e banimit social në vend”, tha Murati.

Lidhur me këtë, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha kritikoi qeverinë për trajtimin e këtij projektligji, për çka tha se ende nuk është sjellë në kuvend ligji për banim social.

Për këtë, Hoxha tha se ky draftligj ekziston që nga viti 2019.

Si çështje të rëndësishme, deputetja e PDK-së, përmendi faktin se si do të bëhet përzgjedhja e familjeve përfituese.

Hoxha: Si do të bëhet përzgjedhja e familjeve përfituese?

“Ne po e trajtojmë një projektligj për mundësi për kredi për banim social adekuat përderisa ligjin për banim social ministri që është këtu prezent nuk e ka sjellur në kuvend. Draftligji ekziston që nga viti 2019, procesi për ligjin po ashtu ekziston në faqen zyrtare të ministrisë, por që ne atë ligj nuk e kemi trajtuar në kuvend nuk e kemi miratuar. Për mua ka shumë rëndësi se në bazë të cilave kritere do të bëhet përzgjedhja e familjeve, në çfarë mënyrë do të operohet me komunat të cilat do të jenë bartëse qoftë të procesit të ndërtimit në situata të caktuara ose edhe menaxhimit të stokut të këtyre banesave”, tha Hoxha.

Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti tha se pavarësisht që do ta mbështesin këtë marrëveshje, duhet dhënë sqarime rreth saj.

Hoti: Të bëhemi serioz kur i diskutojmë këto gjëra që janë të rëndësishme për plot familje

“Debati për këtë marrëveshje nuk është shtjerrur plotësisht në komision dhe jemi dakorduar që të vijmë këtu në Kuvend. Nëse do të kaloni vetëm proforma në fund të fundit edhe ju mbështesim këtë . Por, nuk kalohet marrëveshja pa i dhënë sqarimet që kërkojnë grupet parlamentare. Unë e bëra një listë të gjatë të pyetjeve. Tani, ministri doli na ngatërroi me atë që edhe shërbyesit civil do të përfitojnë prej kësaj. Por, këtu në projekt nuk shkruan për atë. Janë familjet me asistencë sociale dhe familjet me të ardhura të ulëta nën mesatare. Ti nuk e gjen një shërbyes civil që ka të ardhura në mesatare. Të bëhemi serioz kur i diskutojmë këto gjëra që janë të rëndësishme për plot familje”, tha Hoti.

Hyn në rend dite marrëveshja me Danimarkën për burgjet

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 81 vota për, 1 kundër dhe asnjë abstenim e përfshin në rend dite marrëveshjen me Danimarkën për burgjet.

Edhe kjo marrëveshje me muaj të tërë nuk kishte arritur të kalojë në Kuvend në mungesë të kuorumit.

Kjo marrëveshje herën e kaluar nuk mori votat e mjaftueshme, për t’u kthyer sërish në Qeverinë e Kosovës.

Më pas Qeveria e Kosovës sërish votoi pro kësaj marrëveshje, ndërsa marrëveshjen e votoi sot edhe Komisioni për Legjislacion.

Kjo marrëveshje hyri sot në rend dite në seancën e Kuvendit, ndërkaq pritet t’i marr votat e nevojshme për tu miratuar.

Traktati, i nënshkruar nga Ministrat e Drejtësisë të të dy vendeve më 26 prill 2022 në Prishtinë dhe më 16 maj 2022 në Kopenhagë, synon të përmirësojë kapacitetet dhe bashkëpunimin në fushën e drejtësisë midis Kosovës dhe Danimarkës.

Në marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Danimarkës thuhet se Qeveria e Kosovës do t’i ofroj Mbretërisë së Danimarkës, kapacitetet e burgut, gjegjësisht institucionit korrektues që gjendet në Gjilan për 300 të burgosur, për qëllimin e ekzekutimit të dënimeve daneze dhe do të bëjë rregullimet e nevojshme për çdo lehtësi për të siguruar që ai është në përputhje me ligjet dhe standardet daneze.

“Qeveria e Danimarkës synon të paguajë një tarifë vjetore për përdorimin e një burgu prej 15,000,000 euro në varësi të numrit të të burgosurve për të cilin objekti është bërë i përshtatshëm në përputhje me rregullat dhe rregulloret daneze, me një tarifë të reduktuar për 12 muajt e parë të vitit përdorimi i burgut si periudhë tranzicioni.

Qeveria e Danimarkës synon gjithashtu të paguaj një tarifë fillestare prej 5,000,000 euro për të mbuluar periudhën e tranzicionit derisa burgu të jetë përfunduar dhe plotësuar me personel. Këto tarifa do të mbulojnë të gjitha kostot që lidhen me një marrëveshje të tillë”, thuhet në marrëveshjen mes dy shteteve. 

Deputetët në Kuvend e votojnë edhe një marrëveshje ndërkombëtare

Me 93 vota për, Kuvendi i Kosovës ka votuar Projektligjin për ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (“Marrëveshja”) – neni 1.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha para deputetëve se ratifikimi i kësaj marrëveshje ndërkombëtare është e rëndësishme për Kosovën.

Të rëndësishme e pa edhe kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja.

Miratohet Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve për infermierë, kirurgë veterinarë, farmacistë dhe mami me Evropën Qendrore

Kuvendi i Kosovës ka vazhduar e seancën e jashtëzakonshme ku në rend dite janë ratifikimi i tri marrëveshjeve ndërkombëtare.

Në këtë mbledhje është miratuar për shqyrtim Projektligji nr.08/L-301 për ratifikimin e Marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale për infermier, kirurg veterinar, farmacist dhe mami në kontekstin e Marrëveshjes së tregtisë të lirë të Evropës Qendrore, të cilin e prezantoi ministri i shëndetësisë, Arben Vitia.

Vitia tha se më tre nëntor 2022 Kosova ka nënshkruar Marrëveshje, të cilat janë të plotfuqishme nga 1 qershori 2023, bazuar në direktiva për njohjen e kualifikimeve. Kjo marrëveshje ua mundëson që profesoni të ushtrohet lirshëm në secilat prej 6 vendet e Ballkanit perëndimor.

Nga 95 deputetë të pranishëm,  me 93 vota pro Kuvendi e miratoi këtë Marrëveshje.

Sot mblidhet Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës sot do të mblidhet për dy seanca.

Njëra është vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme, e në rend të ditës janë ratifikimi i tri marrëveshjeve ndërkombëtare.

Seanca pritet të fillojë nga ora 10:00.

Ndërkaq duke filluar nga ora 10:30, Kuvendi do të mbajë seancë plenare, ku në rend të ditës ka 23 pika për shqyrtim dhe miratim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat