Me 80 vota për, është votuar ratifikimi I Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE) për Projektin “Banimi social adekuat”.
Për këtë marrëveshje nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Për qëllimin e këtij projekti, foli ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
“Republika e Kosovës, përkundër që nuk jemi anëtar në Këshillin e Evropës, raporte tashmë kemi me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës dhe në kuadër të thellimit të këtij raporti kemi nënshkruar edhe marrëveshjen e fundit, pra që është për financimin e projektit për “Banimin social adekuat”. Qëllimi kryesor i këtij projekti është zhvillimi i sistemit të banimit social në Kosovë dhe ngritja e numrit të njësive të banimit në vend. Marrëveshja përfshin ngritjen e njësive të banimit social, kjo të bëhet duke renovuar njësitë ekzistuese, shndërrimin e ndërtesave ekzistuese në banesa të reja sociale, ndërtimin e banesave të reja të banimit social e të tjera”, deklaroi Murati.
Lidhur me këtë marrëveshje, sqarime kërkoi deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.
“Për mua ka shumë rëndësi ta kuptoj se në bazë të cilave kritere do të bëhet përzgjedhja e familjeve, në cfarë mënyre do të kooperohet me komunat të cilat do të jenë bartëse qoftë të procesit të ndërtimit në situata të caktuara ose menaxhimit të stokut të këtyre banesave në një të ardhme kur ato ndërtohen, kur krejt këto kritere i përcakton Ligji për Banimin Social”, tha Hoxha.
Edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ngriti shqetësime për këtë marrëveshje.
“Problemi kryesor me këtë marrëveshje është kohëzgjatja nga momenti që është iniciuar e deri tash…Janë humbë të gjitha afatet kohore për këtë marrëveshje…”, tha deputeti Hoti.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, Librun Aliu, tha se nga ky Projektligj do të përfitojnë pesë kategori.
“Siç dihet në vendin tone 75 për qind e ndërtimeve janë pa leje, këto ndërtime janë të papërfunduara dhe kanë nevoje të investohet ne to dhe familjet me asistencë sociale qe kane nevojë t’iu lehtësohet jeta”, u shpreh ai.