Rasti “Toka”, Novakoviq thotë se po akuzohet shkaku se refuzoi të dëshmojë për Azem Sylën në EULEX

Aktuale

Rasti “Toka”, Novakoviq thotë se po akuzohet shkaku se refuzoi të dëshmojë për Azem Sylën në EULEX

Më: 23 maj 2024 Në ora: 17:25
Azem Syla

I akuzuari Vidosav Novakoviq gjatë dhënies së mbrojtjes ka deklaruar të enjten para Gjykatës Themelore në Prishtinë se në këtë proces gjyqësor po akuzohet pasi ka refuzuar të japë dëshmi për të akuzuarin Azem Syla në Prokurori të EULEX-it.

Novakoviq tha se kur e kishte ftuar në veri të Mitrovicës, prokurorja nga EULEX-i, Marta Saviq për të dhënë dëshmi lidhur me Sylën, ai (Novakoviq) i kishte thënë se nuk e njeh dhe se nuk ka çfarë të dëshmojë për të, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Këtu gjendem sepse kam refuzuar të dëshmoj për të akuzuarin Azem Syla nga ana e prokurores së EULEX-it e cila më ka ftuar që të jap dëshmi për të akuzuarin”, tha Novakoviq.

I akuzuari thotë se nuk ka kryer asnjë veprim të kundërligjshëm dhe se Prokuroria e EULEX-it ka ngritur aktakuzë pa kurrfarë baze.

Më pas, i njëjti shfrytëzoi të drejtën të mbrohet në heshtje.

Të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje e shfrytëzoi edhe i akuzuari Shpresim Uka, i cili tha se për këtë është konsultuar me mbrojtësin e tij, avokatin Afrim Salihu.

Kurse, i akuzuari Ramadan Mavraj, gjatë dhënies së mbrojtjes tha se dy njësitë kadastrale që i kishte blerë, njërën në vitin 2007 dhe tjetrën më 2009, i kishte paguar sipas çmimit që ishte në atë kohë në treg.

Këto prona të paluajtshme, i akuzuari tha se i kishte blerë për nevoja të kompanisë “Albesi”, ku punonte së bashku me vëllanë e tij M.M.

“Qëllimi ka qenë për zgjerimin e veprimatrisë së kompanisë ndërtimore, na u dashke ma shumë për nevoja (të kompanisë)”, tha i akuzuari.

Sipas tij, të gjitha pagesat ishin bërë përmes xhirollogarisë së tij personale bankare. Mavraj thotë se tokat i kishte blerë nga Hajredin Gashi, por që nuk e kishte pyetur përse po i shiste.

Ai tha se ka vetëm fletën poseduese dhe kopjen e planit për të vërtetuar se a kishte qenë toka në pronësi të Gashit.

Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Ilaz Syla, avokati Haxhi Millaku i kërkoi falje trupit gjykues për mosprezencën në seancën e kaluar dhe iu kërkoi që ta revokojë gjobën prej 500 euro që ia ka shqiptuar kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti.

Sipas tij, mbrojtësi i të akuzuarit Shpresim Uka, avokati Afrim Salihu përmes e-mailit kishte njoftuar se nuk do jetë në seancë dhe se kishte kërkuar të dërgohet dikush zëvendësim, andaj Millaku kishte menduar se seanca do të shtyhej. Megjithatë, gjykatësi Hoti meqenëse nuk ka pasur njoftim për shtyrje të seancë, ishte e nënkuptueshme që do mbahej.

Kurse, i akuzuari Shaban Syla së bashku me avokatin e tij Agron Kajtazi, ky i fundit i caktuar sipas detyrës zyrtare (në vend të avokates Adelina Hoxha) kërkuan që të vazhdojë senaca dhe mos të zvarritet më tej rasti.

Avokati Kajtazi kërkoi të mos të përfshihet emri i të akuzuarit Syla, gjatë deklarimeve të të akuzuarve për shkak se sapo e ka marrë lëndën, në të kundërt do të shfrytëzojë të drejtën për të kërkuar ndërprerjen e seancës që të njëjtit t’i japë kohë dhe mundësi që t’i shqyrtojë shkresat e lëndës.

Në seancën e 10 qershorit 2022, Azem Syla dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

Ndryshe, në këtë rast ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Azem Syla dhe të tjerët po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsion e krimin e organizuar.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, F.G, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U., Sh.M., Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura. Por, gjykatësi Hoti, jashtë seancës ka bashkuar procedurën për të akuzuarin Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, ku për këtë të fundit ka thënë se provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive. Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat