Banka Qendrore e Kosovës (BQK) është deklaruar mbi mbylljen e Bankës Kursimore të Serbisë në veri, duke e cilësuar të paligjshëm aktivitetin e saj.
Në një përgjigje me shkrim për KP, Banka Qendrore e Kosovës, ka thënë se ushtrimi i veprimtarisë së kësaj banke në Kosovë është i paligjshëm dhe në kundërshtim me ligjin.
“Sipas legjislacionit në fuqi aktiviteti ose operimi i institucioneve financiare pa licencë është veprim i paligjshëm dhe i palejueshëm. Më saktësisht, ai bie ndesh me Ligjin për Bankën Qendrore të Kosovës, Ligjin për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jo bankarë, Ligji për Sistemin e Pagesave si dhe instrumentet rregullatorë përkatëse”, thuhet në përgjigje.
BQK thotë se askush nuk mund të ushtrojë veprimtari të tillë nëse nuk posedon licencën e lëshuar nga ky institucion dhe si i tillë operimi është i pamundur.
“Legjislacioni është i qartë se askush nuk mund të merret me veprimtari të një banke apo institucioni financiar pa licencë të vlefshme të lëshuar nga BQK-ja (Neni 5 i Ligjit për Banka) dhe se si institucion i pagesave mund të operojë vetëm një institucion të cilit i është dhënë autorizim nga BQK-ja (Neni 2.19 i Ligjit për Sistemin e Pagesave)”, thotë BQK.
Policia e Kosovës të hënën në veri të vendit ka mbyllur gjashtë njësi ilegale të Bankës Postare Kursimore të Serbisë, ndërsa u konfiskuan 1.6 milionë euro, rreth 75 milionë dinarë, dollarë e franga.
Aksioni i 20 majit i Policisë së Kosovës për mbylljen e gjashtë degëve të Bankës Postare Kursimore ka zgjuar reagime të shumta nga institucionet vendore e ndërkombëtare.
Ndërkaq Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu zhgënjimin për veprimin e institucioneve të Kosovës duke thënë se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se ai “përshkallëzon tensionet”.
Poashtu edhe nga Bashkimi Evropian thonë se “Operacioni i së hënës dëshmon sërish se autoritetet e Kosovës kanë prioritet veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara sesa bashkëpunimin me miqtë dhe aleatët e saj”.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se secili veprim i institucioneve është i bazuar mbi ligjshmërinë dhe shtrirjen e sovranitetit në çdo cep të vendit.
BQK ka vendosur nga 1 shkurti që euroja të jetë monedha e vetme për pagesa zyrtare në Kosovë, duke ndaluar dinarin serb, e cila është kundërshtuar nga Serbia.