LVV e PDK bashkëpunim vetëm për shpërndarje të Kuvendit

Aktuale

LVV e PDK bashkëpunim vetëm për shpërndarje të Kuvendit

Më: 23 maj 2024 Në ora: 18:57
Memli Krasniqi dhe Albin Kurti

Partitë opozitare në vend po i kërkojnë me ngulm kryeministrit Albin Kurti dorëheqjen.

Për të shkuar në zgjedhje të parakohshme fillimisht duhet të shpërndahet Kuvendi.

E për këtë janë shprehur të gatshëm Partia Demokratike e Kosovës.

Por nga kjo parti janë kundër një koalicioni të mundshëm me partinë në pushtet.

Deputeti i kësaj partie, Hajdar Beqa thotë se bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje do ta kenë vetëm për ta shpërndarë parlamentin.

“ Urojmë sa më shpejt të shkojmë në zgjedhje, është në interes të vendit, dhe të marrim legjitimitet të ri. Kjo është kërkesa e Partisë Demokratike, ne presim që mazhoranca t’i mbajë fjalët e veta, le të mbetë mbrapa qëndrimeve që i ka pas se do ta ndihmon opozitën për shpërndarje të parlamentit, dhe mendoj se është moment i duhur për me shku në zgjedhje” , ka thënë Beqa.

Deputeti opozitar nuk pret dorëheqje nga kryeministri Kurti.

“ Unë mendoj se ky kryeministër duhet të jep vetë dorëheqje, por ne e shohim që karakteret e tilla, kanë problem me dhënë dorëheqje me i pranu dështimet”

Edhe nga LDK-ja nuk dhanë dritë të gjelbër për ndonjë koalicion.

Deputetja Rrezarta Krasniqi bën të ditur se partia e saj është duke punuar që të dalë e para, nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

“Ne jemi duke punuar që partia jonë të del e para, dhe nuk kemi nevojë të kemi koalicione, ndërsa pas zgjedhjeve disa struktura të cilat vendosin, por tash nuk ka asgjë sepse jemi duke punuar, shpresoj se do të dalim të parët sepse kemi një plan-program shumë të mirë jemi gati që sot me shkua në zgjedhje, por kryeministri Kurti duhet të jep dorëheqje dhe mos të bëhet asnjë mocion tjetër”, ka thënë ajo.

E partia në pushtet konsideron se nuk mund të ketë koalicion me partitë opozitare meqë thonë se në agjendën parlamentare nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët me opozitarët.

“Unë nuk e besoj, unë besoj që ne duhet të shkojmë në zgjedhje dhe duhet të tentojmë me çdo kusht të fitojmë me çdo kusht mbi 50% sepse do kemi sfida, përndryshe kemi pas sfida në zbatim të agjendës tonë parlamentare, do ishte shumë vështirë, kështu që nuk jam për koalicione, gjithsesi në çdo rrethanë jam kundër çdo koalicioni me PDK-në” , ka thënë Muja.

“Topi është në anën e opozitës, kurdo që do të dakordohen të gjitha partitë ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje”

Partitë opozitare në vend i dhanë zë kërkesës për zgjedhje të parakohshme, pasi sipas tyre, Qeveria Kurti ka dështuar në menaxhim të shtetit në të gjitha aspektet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat