Avokati: Krivaqa e ka dashur Marigona Osmanin, është goditur shpirtërisht nga humbja e saj

Aktuale

Avokati: Krivaqa e ka dashur Marigona Osmanin, është goditur shpirtërisht nga humbja e saj

Më: 24 maj 2024 Në ora: 15:16
Pamje nga seanca e parë e rigjykimit për vrasjen e Marigona Osmanit, 24 maj 2024.

Avokati i Dardan Krivaës, Skënder Musa, është shprehur se klienti i tij e ka dashur Marigona Osmanin dhe se është “goditur shpirtërisht nga humbja e saj”.

Krivaqa, i cili është dënuar për vrasje mizore, sipas avokatit Musa, ka pasur qëllim të krijojë familje me të ndjerën.

“Dardan Krivaqa e ka dashur Marigona Osmanin, kanë jetuar së bashku, kanë pasur për qëllim të krijojnë familje. Është i goditur shpirtërisht nga humbja e saj. Dardani është frikësuar nga avokati sipas detyrës zyrtare, andaj nuk ka folë, ka mendu që është si prokurori. Të gjitha krimet ndodhin në botë, por edhe në Kosovë, veçse prokuroria dhe policia duhet të hetojnë mirë rrethanat, t’i marrin parasysh provat fajësuese dhe shfajësuese dhe të marrin dënim të drejtë dhe logjik“, tha ai.

Gjykata Themelore e Ferizajt, të premten, më 4 gusht 2023, e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit.

Ndërsa, i dyshuari tjetër, Arbër Sejdiu, u dënua me 15 vjet burgim për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.

Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt. Dy persona, tash të dënuarit Krivaqa e Sejdiu, e kishin dërguar trupin e pajetë të viktimës në spitalin e qytetit dhe më pas ishin larguar në drejtim të panjohur.

Fjala e gjyqtarit: Si u shkaktua vdekja e Marigona Osmanit?

“Gjatë dy ditëve rresht, kohë pas kohe, në vazhdimësi, me një shkop të drurit e godet viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psikike. Nga pasojat e kësaj dhune ekstreme të shkaktuara nga shtypja, goditjet, apo përplasjet me ndonjë mjet të fortë dhe të rëndë mprehës, shkaktohet vdekja e së ndjerës Marigona Osmani, e cila ka ardhur si rrjedhojë e politraumës, lëndimeve të shumëfishta.

Politrauma dhe vdekja kanë ardhur drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasoja të gjakderdhjes së jashtme dhe të brendshme, nga thyerjet e ashtit të nofullës së poshtme, thyerjet e brinjëve djathtas dhe majtas, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputjes parciale të palcës së kurrizit në qafë, dhe të ndjerën, [Krivaqa] me ndihmën e të pandehurit Arbër Sejdiu e dërgon në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty”.

“Nga kjo vepër penale janë shkaktuar pasoja të rënda në familjen e së ndjerës dhe është shkaktuar shqetësim i madh edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë gjyqtari Sahit Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat