INPO: MASHT-i të anulojë tenderin për monitorimin e mediave kritike

Aktuale

INPO: MASHT-i të anulojë tenderin për monitorimin e mediave kritike

Më: 24 maj 2024 Në ora: 15:35
Foto ilustrim

Organizata INPO kërkon nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) që të anuloj procedurën e prokurimit me titull “Kontraktor individual për monitorim të mediave, qasje në dokumente publike dhe financiare”, e cila është në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e prokurimit për kontraktimin e shërbimeve të veçanta.

Në njoftimin për media thuhet se bazuar në analizën e dokumenteve të tenderit, INPO ka gjetur se ky tender nuk i plotëson kërkesat e nenit 57, të Rregullores Nr.01/2022 për prokurimin publik, paragrafët e së cilit lejojnë kontraktimin e shërbimeve të veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave rekrutuese sipas Ligjit për Zyrtarët Publik dhe që janë shërbime profesionale të kategorive dhe profesioneve të veçanta që nuk parashihen brenda organogramit apo pozitave të punës brenda institucionit.

Sipas termave të referencës së dosjes së tenderit, i kontraktuari do të ketë këto detyra:

Monitorimin dhe analizimin e paraqitjes së Ministrisë dhe titullarit në media, monitorimin e lajmeve të cilat atakojnë institucionin dhe ndërlidhen me proceset në arsim;

Përgatit dhe shpërndan te stafi drejtues raportin ditor të monitorimit të mediave;

Pranon, regjistron dhe bënë trajtimin fillestar të kërkesave për qasje në dokumente publike;

Bashkë me mbikëqyrësin përgatitë raportin vjetor të kërkesave për qasje në dokumente publike dhe raportet të tjera sipas kërkesës;

Hartimin e Planit të rrjedhjes së parasë (CASH PLANIT) dhe përgatitje të lëndëve për pagesë;

Kryen edhe detyra tjera profesionale në pajtim me ligjet dhe rregulloret aktuale të cilat me arsye mund të kërkohen kohë pas kohe nga mbikëqyrësi.

INPO i rikujton Ministrisë se trajtimi i kërkesave për qasje në dokumente publike dhe punët e tjera administrative dhe organizative për rrjedhjen e parasë, nuk janë shërbime të veçanta dhe janë detyra dhe përgjegjësi të zyrtarëve publik brenda administratës publike, ndërkaq shpenzimi i parasë publike për monitorimin e mediave të cilat e atakojnë Ministrinë apo janë kritik ndaj Ministres, është keqpërdorim i parasë publike dhe detyrës zyrtare.

“INPO fton Ministrinë që të anulojë këtë procedurë të prokurimit me qëllim të ruajtjes së integritetit të prokurimit dhe kërkon që të sigurohet se shpenzimi i parasë publike bëhet vetëm për qëllime të interesit publik dhe sipas autorizimeve ligjor”, thuhet tutje në reagim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat