Shpërthen në lot, Kuvendi në këmbë për Bogujevcin: Mesiq alarmon për rrezikun që i kanoset Kosovës

Aktuale

Shpërthen në lot, Kuvendi në këmbë për Bogujevcin: Mesiq alarmon për rrezikun që i kanoset Kosovës

Nga: Bota sot Më: 12 qershor 2024 Në ora: 08:10 Përditësuar në ora: 12:11 më 12.06.2024
Kuvendi i Kosovës

Tahiri: Liria ka emër dhe ai emër është UÇK

Shefi i grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se 25 vjet më parë në Kosovë ndodhi mrekullia.

Gjatë fjalës së tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të vendit tonë, ai përmendi heronjtë e luftës, dëshmorët e të gjallët që dhanë shumë për liri.

“25 vjet më parë këtë vend ka ndodh mrekullia, pas shekuj përpjekjesh e betejash e pas mijëra mijëra shqiptarëve të vrarë, të burgosur, Kosova dhe qytetarët e saj më në fund u çliruan, pra ishim të lirë. Kosova dhe qytetarët e saj përjetë do të kujtojnë këtë datë që pa dyshim është data më e rëndësishme në historinë tonë. E kemi për detyrë t’iu përulemi të gjithë atyre dëshmorëve e heronjve ndër breza, duke filluar nga Adem Jashari, Shkëlzen e Luan Haradinaj, Zahir Pajaziti, e Agim Ramadani që luftuan për liri që sot po e  gëzojmë. E kemi obligim t’i kujtojmë edhe gjithë luftetarët trima të UÇK-së që kanë rënë në betejat e tyre, por edhe këta që janë gjallë, që ia kthyen pushkët regjimit më të egër të pushtetit i cili deshi të na shfarojë. Padyshim në këtë ditë s’kemi si të mos kujtojmë mijëra veprimtarë të fushave të ndryshme, Adem Demçain me shokë që në etapa të ndryshme të historinë sonë e vendosën një gur në kalanë e lirisë. Kujtojmë kontributin e pamohuar të gjithë atyre nga lëvizjet e hershme kombëtare e deri te lëvizja pacifiste e presidentit Ibrahim Rugova. S’kemi si të mos i përmendim edhe Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të tjerë të cilët kanë dhënë kontribut të madh në luftën e drejtë për liri dhe shpresoj qe drejtësia do të triumfojë edhe për ta. Mirënjohje e përjetshme aleatëve tonë. Falenderojmë shtetet mike që janë me ne në çdo rrugëtim tonin dhe kanë qenë me ne e na kanë ndihmuar në çlirimin e Kosovës”, tha Tahiri.

Tahiri tutje tha se liria ka emër dhe ai emër është UÇK e cila u ndihmua nga NATO-ja.

“A ka mund të bëhet më mirë, sigurisht se po. Ka disa zëra në këtë vend që thonë se nuk është bërë shumë për 20 vjet, por e vërteta është krejt ndryshe. Ky vend u ndërtua nga asgjëja, nga hiri, ky vend ishte i shkatërruar dhe këtë hir e lanë pushtuesit tanë. Sot Kosova është e barabartë me vendet që kanë traditë mbi 100 vjeçare shtetërore, jemi të lirë dhe shtet që respekton të gjithë. Të punojmë bashkë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, në Këshillin e Evropës, në BE, në Kombet e Bashkuara dhe natyrisht të përmbyllim marrëveshjen për njohjen e ndërsjell me Serbinë. Këto nuk arrihen pa partnerit të fortë me aleatë perëndimor, para se gjithash me ShBA dhe vendet e BE-së. Liria ka emër dhe ai emër është UÇK e cila u ndihmua nga NATO-ja dhe sot 25 vjet më vonë jemi bashkë e të lirë”, tha Tahiri.

Krasniqi në Ditën e Çlirimit përmend ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në seancën solemne të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës përmendi ish-krerët e UÇK-së që janë në Hagë, duke thënë se lufta e tyre nuk u ndal kurrë.

Si u shpreh se beteja e tyre për lirinë tonë po vazhdon ende, duke thënë se ata janë testament i gjallë i sakrificave dhe i përpjekjeve të pandalshme që kërkon liria dhe shteti.

“Këto 25 vjet na kanë mësuar se liria nuk është kurrë e garantuar dhe nuk mund të merret si e mirëqenë, për të duhet luftuar dhe atë duhet mbrojtur çdo ditë, për të duhet punuar ndërshëm e me zell që t’ua kalojmë brezave pasuese si trashëgimi, e kush e di këtë gjë më mirë se ne këtu, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe shokët e tyrë në Hagë , që kanë thuajse katër dekada që luftojnë për liri dhe mbrojtjen e saj”.

“Lufta e tyre nuk u ndal kurrë, sot jemi në vitin 2024, tashmë ata janë burra të thinjur, ndërsa beteja e tyre për lirinë tonë po vazhdon ende, këta burra janë testament i gjallë i sakrificave dhe i përpjekjeve të pandalshme që kërkon liria dhe shteti. E dimë e jemi të bindur që shumë shpejt ata do t’i kemi në mesin tonë, andaj sot në këtë ditë të shënuar, për të cilën secili prej tyre ka kontribuar shumë, ua dërgojmë urimet dhe të falat tona e të mbarë popullit të Kosovës, u themi se ju jeni heronjt të luftës e të paqes dhe se askush, me asgjë nuk mund ta ndryshojë kurrë këtë të vërtetë. Qëndroni të fortë, sepse padyshim dielli do të lind përsëri”, u shpreh ai.

Krasniqi gjithashtu bëri një falënderim për të gjithë ata që kanë kontribuar në çlirimin e Kosovës, ku tha se pa sakrifikcën dhe gjakun e tyre, Kosova nuk do të ishte e lirë.

“Meqë liria para së gjithash është vullneti për të qenë përgjegjës ndaj vetvetes, sot më shumë sesa një fjalim të zakonshëm, e ndjej obligim të bëj vetëm disa falënderime të cilat jo vetëm në këtë 25 vjetor të lirisë, por duhet t’i bëjmë përjetësisht brez pas brezi, vit pas viti. Për ata burra dhe ato gra, ato familje të cilat patën vullnetin, guximin dhe besimin për të marrë përgjegjësi për vetveten, rrjedhimisht edhe për të ardhmen e ndritshme të popullit dhe të vendit tonë”.

“Të respektuara familje të dëshmorëve dhe të martirëve të luftës sonë çlirimtare, përulje dhe nderim të bijat dhe bijtë më të mirë ia falët kësaj toke, ia falet lirisë. Është e pakët të thuhet ajo që dihet, se pa sakrifikcën dhe gjakun e tyre, asnjë nga ne nuk do të ishin sot këtu, e as Kosova nuk do të ishte e lirë. Të nderuar veteran dhe invalid të UÇK-së, faleminderit që pa menduar dy herë vendosët jetërat tuaja në rrezik, për një Kosovë pa robëri dhe një qiell pa re, duke thyer kufinjt e ëndrrave të fëmijeve tanë”.

“ Ju të burgosur politik, intelektual, gazetar e publicist, mësimdhënës, mjek e infermier, minator, artist, sportist, fermer, ndërmarrës, të gjithë ju qytetar të devotshëm të Kosovës, faleminderit për qëndresen dhe kurajon e jashtëzakonshme që keni treguar vit pas viti, dekadë pas dekade, duke qëndruar në këmbë edhe atëherë kur dorëzimi dukej si alternativa e vetme”.

Gashi i LDK-së: UÇK-ja luftoi me guxim për të drejtat dhe liritë e popullit

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha në seancën solemne për nder të 25 vjetorit të çlirimit, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, luftoi me guxim për të drejtat dhe liritë e popullit.

Sipas tij, ndërhyrja e NATO-s, erdhi si arsye për ta ndalë gjenocidin që po bëhej ndaj popullit të Kosovës.

“Sot përkujtojmë dhe nderojmë një nga momentet më të rëndësishme, ditën e çlirimit të Kosovës.

Çerek shekulli më parë, populli ynë jetonte në kushtet më të rënda. UÇK-ja me guxim luftojë për të drejtat dhe lirinë tonë duke i treguar botës se populli shqiptarë nuk di të poshtërohej kurrë. Ndërhyrja e NATO-s që erdhi për ta ndalur gjenocidin ishte jetike për arritjen e qëllimit tonë të shenjt, lirinë, demokracinë dhe paqen”, ka thënë ai.

Fjala e presidentit Begaj me rastin e festës së çlirimit të Kosovës

Në përvjetorë të tillë të shenjtë për shqiptarët ne përulemi me nderim para martirëve dhe figurave të shquara që, me jetën dhe veprën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, lanë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën dhe historinë e kombit shqiptar.

Sot nderojmë Ibrahim Rugovën, arkitektin e Pavarësisë së përjetshme të Kosovës, simbolin e rezistencës paqësore, elitës intelektuale, që me filozofinë e tij të paqes vendosi çështjen e Kosovës në të gjitha kancelaritë perëndimore.

Sot nderojmë Adem Demaçin, veprimtarin qëndrestar të çështjes kombëtare, i palodhur në betejën e tij për mbi pesë dekada, sfiduesin lapidar të 28 viteve në burgjet e ish-Jugosllavisë.

Sot përulemi përpara Jasharëve, familjes simbol të martirizimit për Kosovën e pavarur, flakadanë të lirisë së saj.

Nderojmë kryetrimin Adem Jashari, legjendë e gjallë e atdhedashurisë.

Burra të tillë rrallë i lind historia.

Sot është dita të kujtojmë të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata që i falën Kosovës së lirë e të pavarur jetën dhe ata që amanetin e bashkëluftëtarëve ua transmetuan brezave të rinj: Liria nuk është dhuratë. Ajo duhet të mbrohet.

Kosova nuk ishte vetëm.

Qindra vëllezër të tyre nga Tirana, Tropoja, Kukësi, Kruma, Kavaja, Vlora, Berati, Tepelena, Çamëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe nga e gjithë Diaspora shqiptare iu bashkuan luftës. Në themelet e lirisë së Kosovës, ata u flijuan, si Ushtar Kavaja, Komandant Shpendi, Komandant Tahiri, trima që nuk iu frikësuan vdekjes.

Shqipëria hapi zemrën dhe dyert e shtëpive për të mbrojtur vëllezërit e motrat nga Kosova,të dëbuar me forcë si pasojë e valës së spastrimit etnik e gjenocidit të Millosheviçit.

Kosova nuk ishte vetëm!

Bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht partnerët strategjikë, si Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Bashkimi Evropian dhe NATO ishin mbështetësit e fuqishëm e të palëkundur të kauzës së saj.

Ndërhyrja e tyre ndaloi spastrimin etnik, gjenocidin, dhe i dha të drejtë shpirtit të një populli qëndrestar që kërkonte një të drejtë të mohuar; lirinë.

Ata ishin hartuesit dhe zbatuesit e projektit të shtetformimit të Kosovës.

Dy shtete, një popull, një komb, një gjak, një gjuhë, një shqiponjë dykrenare, një histori, një ëndërr dhe aspiratë Euroatlantike.

Historia e vjetër dhe e re ka dëshmuar se shqiptarët, kudo që ndodhen, përbashkohennën simbolet e tyre identifikuese.

Në sfidat e kohërave, epokave dhe  padrejtësive gjeopolitike, shqiptarët kanë ruajtur të shenjtë dhe të pacenueshme ndjenjën e shqiptarisë.

Shqiptarët kanë nevojë për të ruajtur dhe forcuar kohezionin e tyre kombëtar dhe socio-kulturor edhe sot.

Në një kohë kur Serbia dhe aleatët e saj kanë mobilizuar kapacitete diplomatike, mediatike,në një fushatë thellësisht keqdashëse për të njollosur luftën e drejtë e parimore të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës, ne kemi nevojë më shumë se kurrë të jemi bashkë, ne kemi nevojë më shumë se kurrë për njëmanifest krenarie kombëtare, që nuk ka pse të na kompleksojë.

Nuk mund të lejojmë të vendoset shenja e barazimit mes krimit të programuar serb dhe luftës për dinjitet, mbijetesë e liri të shqiptarëve në Kosovë.

Nuk mund të lejojmë që krimi të shfaqet si virtyt, në një kohë kur bota demokratike, miqtë tanë, po bëjnë çmos të eliminojnë pengesat e ndryshme për të thjeshtëzuar bashkëjetesën shqiptaro-serbe sipas modeleve evropiane.

Historia na njeh ne shqiptarët si paqedashës,që e duam dhe e çmojmë fort lirinë.

Si të tillë, sot kemi përgjegjësi të madhe për të ruajtur dhe forcuar paqen, sigurinë dhe zhvillimin në një hapësirë që frymon vlerat demokratike evropiane.

Aspiratat tona për integrimin Euroatlantik të faktorit shqiptar janë më të forta se kurrë, dhe ne do të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur për të realizuar këtë objektiv.

Sot ne përballemi ende me përpjekje për të penguar shtetin e ri të Kosovës, që lufton për të konsoliduar identitetin shtetëror, hapësirëndhe vendin e vet në Evropë.

Jemi të vetëdijshëm se kauza e Kosovës nuk ka përfunduar, por jemi të palëkundur në bindjen tonë se realiteti, Republika e Kosovës,e pavarur dhe sovrane, është e padiskutueshme dhe e patjetërsueshme.

Shteti shqiptar e ndjen detyrë dhe mision të mbështesë çdo përpjekje të qeverisë së Kosovës, të institucioneve të saj për të faktorizuar Republikën e Kosovës si shtet që respekton të drejtat dhe liritë e njeriut, i qëndron frymës Euroatlantike, që mban e trashëgon miqësitë që na janë gjendur në ditët tona më të errëta, duke besuar, duke dëgjuar, duke ndjekur e këshilluar nga partnerët strategjikë, SHBA-të dhe BE-ja.

Shqipëria ka punuar dhe do të punojë për të shfrytëzuar të gjitha kapacitet e veta dhe hapësirat institucionale ndërkombëtare ku bënpjesë për të zgjeruar numrin e vendeve për njohjen e shtetit të Kosovës dhe integrimin e saj tij në organizmat ndërkombëtarë, si dhe për të zbuluar të gjithë të vërtetën, ende të panjohur, të krimeve dhe gjenocidit të bërë në Kosovë, të atyre mijëra viktimave të torturuar e të zhdukur, dhunimeve e masakrave të pangjara në historinë moderne të njerëzimit.

Shpreh bindjen se të përulur para sakrificës së dëshmorëve, të përgjegjshëm para historisë dhe guximtarë përpara të ardhmes, Kosova do të ndërtojë një shoqëri ku të mbizotërojë paqja dhe prosperiteti.

Kosova nuk është vetëm. Kosova nuk do të jetë vetëm.

Kosova është histori suksesi.

Çdo betejë juaja, është beteja jonë! Çdo sukses juaji, është sukses i gjithë shqiptarisë!

Gëzuar Ditën e Çlirimit!

Mesiq: Arkitektura e kufijve në rajon u kompletua me pavarësinë e Kosovës, por ka rrezik ende nga projekte megashtetërore

Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit, ka deklaruar se arkitektura kufitare në rajon u kompletua me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Mesiq tha se Bashkimi Evropian është shtëpi e përbashkët e rajonit dhe NATO-ja një ombrellë e përbashkët e sigurisë dhe ekonomike.

“Pikërisht këtë po e theksoj këtu, në Prishtinë, në Republikën e Kosovës, duke shënuar 25 vjet nga çlirimi i Kosovës, para së gjithash falë UÇK-së, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht të aleancës së NATO-s dhe SHBA-së”, deklaroi Mesiq.

Edhe pse mendohej se koha më e vështirë kishte kaluar, shtoi ai, ka ende nevojë për veprim dhe prani të bashkësisë ndërkombëtare në rajon, jo vetëm në Kosovë por edhe në Bosnje-Hercegovinë.

“Ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm të përballemi me shumë sfida, në fakt sfida të vjetra që janë ridizajnuar. Mund të them lirisht se arkitektura kufitare në rajon u kompletua me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht, ka ende kërcënime dhe rreziqe nga të ashtuquajturat projekte megashtetërore. Paqja dhe stabiliteti duhet të jenë vendet tona të shenjta që duhet të sigurojnë prosperitetin e të gjithëve ne. Përgjigja më e mirë për të gjitha sfidat dhe kërcënimet është perspektiva euroatlantike”, shtoi ai.

Nikolla: Çlirimi i Kosovës është vepër e popullit të saj dhe vullnetit të partnerëve

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lendita Nikolla, në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, ka thënë se kjo është vepër e popullit të saj.

Në seancën solemne, ajo theksoi se Kosova e lirë dhe e pavarur është edhe rezultat i vullnetit të partnerëve ndërkombëtarë.

“Çlirimi i Kosovës është vepër e popullit të Kosovës. Ne kemi mbijetuar gjithmonë në të gjitha udhëkryqet e historisë. Ky çlirim erdhi nga bijtë e saj, Kosova e lirë dhe e pavarur është rezultat i vullnetit të partnerëve. Gjatë këtyre 25-vjetëve, Kosova po ndërtohet si një shtet modern. Shqipëria mbështetë fuqishëm Kosovën”, tha Nikolla.

Kryekuvendarja shqiptare shtoi se çdo sukses i Kosovës, është edhe sukses i Shqipërisë dhe anasjelltas.

Konjufca: Ky politikan ia shpalli vdekjen Jugosllavisë

Në seancën solemne me rastin e 25 vjetorit të Çlirimit, në Kuvendin e Kosovës është ftuar edhe ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, derisa e ka ftuar presidentin Mesiq për ta marrë fjalën, e ka përshkruar atë si njeriu që ia ka shpallur vdekjen Jugosllavisë.

“Po ia japë fjalën atij që si president ia shpalli vdekjen Jugollsavisë. Presidentit kroat nga viti 2000-2010, shkëlqesinë e tij z.Mesiq”, ka thënë Konjufca.

Pas kësaj deklarate të Konjufcës, kryeministrit Albin Kurti shihet që i shkon buza në gaz.

Konjufca tutje ka treguar se Stipe Mesiq gjatë këtij viti do të mbush 90 vjet.

Begaj: Shqiptarët të bashkohen, Serbia është mobilizuar për ta njollosur luftën tonë, s’mund të lejojmë të vendoset shenja e barazimit

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj tha se shqiptarët në rajon duhet ta ruajnë e forcojnë kohezionin e tyre kombëtar, social e kulturor.

Begaj në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për 25 vjetorin e çlirimit të vendit pëmendi mobilizimin e Serbisë “për të njollosur luftën e drejtë e parimore të shqiptarëve”.

Shqiptarët kanë nevojë për ta ruajtur dhe forcuar kohezionin e tyre kombëtar, social e kulturor edhe sot, në një kohë kur Serbia dhe aleatët e saj kanë mobilizuar kapacitetet diplomatike, mediatike në një fushatë thellësisht keqdashëse për të njollosur luftën e drejtë e parimore të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës, ne kemi nevojë më shumë se kurrë që të jemi bashkë, ne kemi nevojë më shumë se kurrë për një manifestë krenarie kombëtare, kjo nuk ka pse të na kompleksojë”, tha ai.

Begaj tha se shqiptarët s’mund të lejojnë të vendoset barazimi mes “krimit të programuar serb dhe luftës për dinjitet, mbijetesë e liri të shqiptarëve në Kosovë”.

Ne nuk mund të lejojmë të vendoset shenja e barazimit mes krimit të programuar serb dhe luftës për dinjitet, mbijetesë e liri të shqiptarëve në Kosovë. Nuk mund të lejojmë që krimi të shfaqet si virtyt në një kohë kur bota demokratike, miqtë tanë, po bëjnë çmos që të eliminojnë pengesat e ndryshme për të thjeshtëzuar bashkëjetesën shqiptaro-serbe sipas modeleve europiane”, tha ai.

Begaj tha se shqiptarët kanë përgjegjësi për ta ruajtur paqen.

“Isha gjysëm e gjallë e zemërthyer që s’e kisha pjesën më të madhe të familjes”, Saranda Bogujevci përlotet në Kuvend

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, e cila është edhe e mbijetuar e masakrës së marsit të vitit 1999 në Podujevë, është emocionuar gjatë fjalimit të saj në Kuvend, me rastin e shënimit të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Bojujevci u përlot derisa foli për 12 qershorin e vitit 1999.

Para 25 viteve, isha një vajzë e brishtë, gjysëm e gjallë, me zemër të thyer që nuk kisha pjesën më të madhe të familjes…më falni”, tha Bogujevci, e përlotur.

Ajo u duartrokit nga të gjithë në Kuvend.

“Por, sot para jush dhe bashkë me ju ndihem e privilegjume e shumë krenare që I shërbej popullit dhe vendit tonë. Çdo 12 qershor festoj bashkë me ju fitoren e humanitetit përballë mizorisë”, e vazhdoi pastaj fjalimin.

​Osmani në Kuvend: Kosova meriton anëtarësimin në NATO

Me intonimin e himnit shtetëror dhe kombëtar dhe një minutë heshtje për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës ka nisur seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, në nder të 25 vjetorit të çlirimit nga forcat pushtuese serbe, ku pjesëmarrës ishin edhe personalitete dhe figura të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se më 12 qershor 1999 forcat e NATO-s sollën dritë shprese për Kosovën, duke shpëtuar popullin nga shfarosja që synonte regjimi serb i Millosheviqit.

Ajo nënvizoi se NATO në vitin 1999 dha mbështetjen vendimtare për lirinë e Kosovës, andaj sot, 25 vjet pas çlirimit, Kosova synon dhe meriton anëtarësimin e plotë në këtë aleancë ushtarake.

Osmani: NATO në qershor të vitit 1999 solli dritë shprese për Kosovën

“Më 12 qershor 1999, ku forcat e NATO-s shkelen në tokën tonë, ata nuk ishin vetëm ushtarë, por ata ishin shpëtimtarë. Ata sollën me vete premtimin e lirisë. Sigurinë se bota nuk kishte harruar për popullin e Kosovës dhe vendosmërinë për t’i dhënë fund mizorive të kryera kundër popullit tonë. Hyrja e NATO-s në Kosovë ishte një dëshmi e fuqisë së solidaritetit ndërkombëtar dhe besimit të palëkundur në të drejtën universale të një populli për të qenë i lirë. Liria është më shumë sesa fjalë. Liria është vet thelbi i qenies sonë. Është ajri që e thithim, është ëndrra që guxuam të ëndërrojmë dhe është e ardhmja që aspiruan dhe për të cilin luftuan dhe dhanë jetën çlirimtarët tanë. Çlirimi i Kosovës nuk ishte thjesht një fitore ushtarake por ishte mbi të gjitha triumf i shpirtit njerëzor mbi tiraninë. Ishte triumf i të mirës ndaj të keqes dhe triumf i drejtësisë mbi shtypjen”, tha ajo.

Osmani përmendi siç tha rezistencën e ish presidentit Ibrahim Rugova, heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari dhe tërë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët u shndërruan në gurë themel të lirisë së Kosovës.

Osmani: Kujtojmë rezistencën e presidentit Rugova për liri dhe heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari

“Në këtë ditë do të kujtojmë rezistencën këmbëngulëse të presidentit Rugova për liri, pavarësi dhe demokraci. Si dhe aleancat e fuqishme që ai ndërtoi së bashku me shumë e shumë veprimtar të tjerë të cilat i gëzojmë edhe sot. Do të kujtojmë çdo ditë të jetës sonë por edhe brezat që vijnë pas nesh heroizmin e papërsëritshëm të komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë familjes Jashari të cilët u shndërruan në gurë themelin e lirisë që e gëzojmë sot. Do të jetojmë përherë me kujtimin e të gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbi 13 mijë të vrarë gjatë luftës në mesin e të cilëve 1133 fëmijë të vrarë vetëm në luftën e fundit në Kosovë”, shtoi Osmani.

Presidentja Osmani theksoi edhe partneritetin dhe aleancat me shtetet mike të Kosovës, për të cilat tha se duhet mirëmbajtur dhe mos të merren si të mirëqena.

Osmani: Partneriteti dhe aleancat me vendet mike duhet mirëmbajtur çdo herë

“Aleancat dhe partneritetet me shtetet janë po aq determinuese për të garantuar dhe mirëmbajtur lirinë e fituar duke mos e marrë asnjëherë si të mirëqenë. Prandaj sot derisa nderojmë ushtarët e NATO-s që kontribuuan këto 25 vite, nderojmë mbi të gjitha stoicizmin e popullit tonë dhe Ushtrinë tonë çlirimtare me bindjen tonë se liria nuk është dhuratë por është paguar çmimi më i lartë që mund të paguajë një popull...NATO në vitin 1999 na dha mbështetjen vendimtare për lirinë tonë, andaj sot synojmë dhe meritojmë anëtarësimin në këtë organizatë ushtarake, me ushtrinë tonë që është e gatshme të bëhet kontribuuese për paqe kudo në glob”, theksoi Osmani.

Kosova shënon ditën e çlirimit ku 25 vjet më parë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara. E gjatë gjithë këtyre viteve, institucionet tona nuk kanë zyrtarizuar si festë zyrtare shtetërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat