Përdorimi i inteligjencës artificiale në fushatën presidenciale në SHBA

Amerika

Përdorimi i inteligjencës artificiale në fushatën presidenciale në SHBA

Më: 8 maj 2024 Në ora: 20:04
Trump, Biden

Në fushatën presidenciale të këtij viti në Shtetet e Bashkuara, kandidatët Joe Biden dhe Donald Trump po përdorin inteligjencën artificiale për të tërhequr votuesit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Scott Stearns, ky është një nga ndryshimet më të mëdha në mënyrën se si ekipet e fushatave të kandidatëve po komunikojnë një pjesë të votuesve amerikanë.

Për ekipet e fushatave të kandidatëve mënyra më ekonomike për komunikimin me më shumë votues është përmes përdorimit të inteligjencës artificiale, një nga ndryshimet më të mëdha në politikën amerikane këtë vit.

"Modelet po përmirësohen shumë shpejt. Të krijohet përshtypja sikur çdo javë del një model i ri, që është dukshëm më i mirë se modeli i mëparshëm", thotë Scott Babwah Brennen nga Universiteti i Karolinës së Veriut.

Këto modele janë mjete të fuqishme për ekipet e fushatave në nivel kombëtar dhe në atë lokal, thotë analistja politike Betsy Hoover.

"Mendoni për ekipet e fushatave që nuk kanë personel për krijim të përmbajtjeve dixhitale. Për shembull, programet e inteligjencës artificiale ua mundësojnë atyre të kenë vetëm një person që mund të merret me këtë punë, nëse duan. Inteligjenca artificiale mund të luajë një rol të madh në fushatën e një kandidati që garon ndaj një rivali me përvojë dhe gjendje shumë më të mirë financiare", thotë ajo.

Firma e zonjës Hoover investon në zhvillimin e teknologjisë për Partinë Demokrate dhe kauzat e majta. Ajo thotë se shfrytëzimi "në mënyrën e duhur" i teknologjisë është shumë i rëndësishëm.

"Unë nuk e di saktësisht se çfarë standarde kanë ekipet e fushatave të kandidatëve republikanë, por e di që demokratët kanë standarde të larta për mënyrën se si do të përdoret kjo teknologji e re. Kështu që nuk jam vërtet e shqetësuar se do të jemi mbrapa nëse përdorimi i inteligjencës artificiale do të jetë etik dhe i përgjegjshëm”, thotë ajo.

Në vitin 2016, zoti Trump përdori reklama në nivel të pashembullt në mediat sociale me mesazhe të krijuara veçmas për secilin votues në çdo shtet, duke punuar me firmën britanike të mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave, “Cambridge Analytica”.

Brad Parscale ishte këshilltari i lartë i fushatës së zotit Trump për analizimin e të dhënave dhe operacioneve dixhitale.

Firma e tij, “Campaign Nucleus”, menaxhon faqen e internetit të ekipit të fushatës së zotit Trump këtë vit.

Zoti Parscale tha në konferencën e konservatorëve “FreedomFest” në fillim të këtij viti, se inteligjenca artificiale mund të analizojë të dhënat e votuesve për të krijuar reklama në masë me tekst dhe email për secilin votues dhe të ndihmojë për votat e atyre që votojnë në mungesë.

“Brenda disa vitesh, kandidati mund të jetë në gjendje ta zhvillojë fushatën përmes celularit, të nxjerrë deklarata për shtypin, të dërgojë emaile, të grumbullojë fonde, të gjitha këto të krijuara nga inteligjenca artificiale”, thotë zoti Parscale.

Por ekzistojnë shqetësime për përdorimin e inteligjencës artificiale. Një anketë e Institutit Amerikan të Shtypit dhe agjencisë së lajmeve Associated Press tregon se 42 për qind e votuesve amerikanë janë të shqetësuar se mediat do të përdorin inteligjencën artificiale për të krijuar raportime gjatë fushatës për zgjedhjet e këtij viti./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat