Kush është profesori Sami Repishti i Universitetit Adelphi të New York-ut?

Amerika

Kush është profesori Sami Repishti i Universitetit Adelphi të New York-ut?

Nga: Prof. Gjon Frani Ivezaj Më: 31 mars 2024 Në ora: 17:20
Sami Repishti

Shpesh në diasporën shqiptaro amerikane, për dekada me radhë kanë vepruar figura të shquar, të cilët, me veprimtarinë e tyre të panderprerë atdhedashëse kanë dhënë një ndihmesë shumë të madhe çëshjes shqiptare të shtetit amë dhe në trojet e tjera etnike. Një nga këto personalitete më të ndritura të komunitetit tonë është edhe intelektuali antikomunist dhe pedagogu i Universitetit, profesori i shquar Sami Repishti, i cili, qysh kur erdhi në SHBA dhe deri në ditët tona, po punon pa u lodhur për dekada me radhë, për çështjen shqiptare në forma të ndryshme, si në tubimet e shpeshta dhe atikuj të shumtë sensibilizues për Qeverinë, Senatin dhe Kongresin Amerikan.

Sami Repishti (1925), lindi në Shkodër, në një familje patriotike me tradita dhe kulturë tradicionale qytetare. Sipas kujtimeve të botuara të prof. Sami Repishtit, mësojnë, se gjyshi i tij, ka nënshkruar Memorandumin e 13 qershorit 1878 të Lidhjes së Prizrenit, Shkodër.

Babai hafiz Ibrahim Repishti, ishte një besimtar me bindje, duke qenë një udheheqës shpirtëror i lagjes së vet. Ai si vullnetarë kishte marrë pjesë në rezistencë me armë në dorë, në brojtje të qytetit nga agresioni malazez në vitet 1912-1913, duke qenë komandant i tyre.

Gjithashtu ai bashkë me atë Gjergj Fishtën O.F.M., atë Ambroz Marlaskaj O.F.M., Luigj Gurakuqin, e të tjerë ishte deputet në Parlamentin e Shqipërisë në Tiranë, gjatë vitëve 1923-1924. Kështu 11 vite më vonë, ai ishte viktimë e terrorit fashist italian në vitin 1943. Për këto ngjarje të historisë së qytetit antik të Shkodrës dhe Shqipërisë, prof. Sami Repishti shkroi një libër me kujtime, ku, një vend të rëndsishëm në hyrje të autobiografisë zë edhe historia e familjes së tij.

Prof. Sami Repishti, shkroi librin “Pika e Loti” (tregime burgu, Shkodër, 1997), me 340 faqe, ku, në hyrje ka perkushtimin e tij: “Gruas shqiptare, fisnikërisë së kryqezueme pa faj! Bashkëshorteve, nanave, bijave e motrave tona, vuetja dhe përkrahja e të cilave i dhanë lëvizjes demokratike shqiptare përmasën e saj ma njerëzore.” Libri, është i konceptuar në formë autobiografie, me 32 pjesë, të përmbledhur si përjetime jetësore historike brenda 340 faqeve të veprës.

Autori, shkruan: “Dëshmorëve të lirisë dhe viktimave të tiranisë, të të gjithë vendeve e të të gjitha kohëve. Mendjeve fisnike, që transformojnë tragjedinë tonë kolektive, në nji kryqëzatë kundër Torturës, në çdo vend e në çdo kohë, me mirënjohjen ma të thellë.”

Autobiografi, bëri 10 vjet burg (1946-1956), në Shqipërinë komuniste të diktatorit Enver Hoxha, në burgjet e Shkodrës, në kampet e punës së detyruara të vdekjes së Bedenit dhe Maliqit, Beratit, Fierit, Lushnjës dhe Tiranës.

Autobiografi shkodran dhe sot shqiptaro amerikanë prof. Sami Repishti kujton, se kushëriri i tij, është ekzekutuar nga nazistët pushtues gjermanë, në kampin famkeq të Mat’hauzen-it në vitin 1944. Në vitin 1937, Samiu 12 vjeçar festonte 25-vjetorin e Ditës së Pavarësisë, ku, djepi i kulturës, qyteti Shkodra menjëherë e griti Flamurin Kuq e Zi në kështjellën e lashtë historike “Rozafa”.

Një ditë 17-vjeçari, gjendet para një të papriture. Ai mbarimin e provimeve të matures, sëbashku me 28 shokët e klasës dhe ekipin pedagogjik të mësuesve, i ka si kujtim të përjetshëm në fotografi.

Në Tiranë, niset për të marrë pjesë në një konkurs, për shkollën e lartë jashtë shtetit. Rreth 112 kandidatura, konkuronin për 28 bursa studimi të profesioneve të ndryshme. Mbas 2 ditëve, ai merr vesht se ka fituar një bursë studimi pranë Universitetit të Firencës në Itali. Gjatë vjeshtës përgatitet për të udhëtuar drejt Italisë. Me një anije mallrash, kaloi ujërat e kaltra të Detit Adriatik e u afrua pranë portit të Brindizit.

Ai kujton se më shumë se 200 studenta shqiptarë, u mblodhën në sheshin “Michelangelo”, duke demostruar para syve të policisë fashiste vendase. Shpalosja e flamurit kuq e zi dhe këndimi i himnit nacional ishte kulmi i tubimit. Pushtimi i Shqipërisë nga nazistët gjerman, do të gjej Samiun, si gjithnjë neutral ndaj erërave të egra politike të kohës.

Nacionalistët në Shkodër, shikoheshin me dyshim nga komunistët, ndërsa vetë nacionalistët i shikonin komunistët si shërbëtorë të pansllavizmit rus, dy epitete negative që sundonin në qytet.

Samiu, kujton: “Çdo ditë sillte diçka të re. Në kaosin e qytetit, shumë të rij ishin dalldisë mbas jetës së luksit të siguruem nga fitimet e mëdha në tregti e spekullimet e ndryshme. Shumë të reja u përfshinë në vorbullën e qytetit që nuk flinte ma. Shkujdesja e pabesueshme ishte ba normë për shumë bashkëqytetarë, që nuk dëshirojshin me dijtë për asgja, veç dëfrimeve të jetës së tyne të shthurun…” 

Ekipi i zyrës së Samiut, përbëhej nga elementë “indiferentë” në politikë, por “zyrtarë” të rregullt. Fryti i punës së tyre dukej qartë, në rindërtimin e urave të vogla, shtrimin e një rruge të demtuar ose përmirësimin e ndërtesave qeveritare. Në prill 1945, u organizua në Shkodër një demostratë para ndërtesës së prefekturës. Parakaluesit, bërtisnin: “Duam Triesten”. Askush nuk kërkonte Kosovën.

Ata mbanin parulla të udhëheqësve jugosllavë, sovjetikë e ndonjë shqiptarë. Ata, kërkonin antarësimin e Shqipërisë në OKB dhe aneksimin e Triestes së Italisë drejt oreksit të Jugosllavisë së Josif Broz Titos. Pamja e qytetarëve robot, që ishin mbledhur, manifestonin e shpërndaheshin me urdhër i la një përshtypje të keqe shkodranit Repishti.

Samiu, përfshihet në grupin kundërkomunist, që vepronte në mënyrë aktive e klandestine në Shkodër. Gjatë muajit maj 1946, u zhvilluan demostratë e para kundërkomuniste, të qeta, spontane, nën sytë e vëzhgimit të Sigurimit. Asokohe ishte momenti i funeralit të Aqipeshkvit katolik imzot Gaspër Thaçit, ndërsa mbahej në gjendje arresti në shtratin e vdekjes. Proçesioni mortor elektrizoi Shkodrën nga kathedralja e shën Shtjefinit deri tek vorrezat e qytetit të Rrmajit. Turma të mëdha njërëzish katolikë dhe muslimanë ndiqte arkivolin, në heshtje e dinjitet, kundër dikturës së kuq që ishte instaluar në Shqipëri.

Samiu, kujton me shumë respekt fjalët e vendosmërisë së atë dr. Gjon Shllakut O.F.M., gjatë takimit të paharruar: “Nuk do të provokojmë; nuk asht roli jonë. Por njikohësisht, nuk mund të heqim dorë nga Feja e nga Kisha e Romës. Ata janë Jeta e Nana e Jonë. Pa Ata, qënia jonë si klerikë s’ka kuptim.”

Gjatë atyre ditëve, Samiu me shokë kishte hedhur në mënyrë ilegale 2 trakte e kishin protestuar me anë të një Memorandumi, shkruar në gjuhën franceze, për manipulimin e votimeve, duke sensibilizuar autoritetet “aleatë” syleshë e veshshurdhër, që kishin vizituar Shqipërinë ato ditë. Megjithatë, grupi ku bënte pjesë Sami Repishti, kishte arritur një sukses, sepse forcë e Sigurimit të uritur ishin hedhur në sulm.

Vuatjet dhe torturat në burg 

Me 22 tetor 1946, në vendin e punës së tij mbërrijnë forcat e Sigurimit dhe marrin nën pranga të riun Sami Repishti. Shokët e shikonin me keqardhje, por nuk kishin mundësi t’a ndihmonin. Në kuesturën komuniste, fillon rutina e dhunës sistematike fizike. Për 14 muaj, Samiu iu nënshtrua hetimeve intensive. Qëllimi i Sigurimit, nuk ishte e vërteta, por procesi i detyruar, me pranu atë që nuk di, duke plotësuar planet e parapërgatitura të diktatorit.

Dhoma e qelisë së ftohtë, pranë Kuvendit Françeskan në Shkodër, ku qendroi Samiu, kishte një shtrat fjetje e asgjë më shumë. Aty më parë kishte fjetur një frat i kishës katolike, por që nga plumbat e togës së pushkatimit kishte përfunduar në morg, e prej aty në ujërat e ftohta të lumit Kir, ku komunistët i hidhnin kufomat e personaliteteve të shquara antikomunistë. Ai qëndroi i lidhur në këmbë, kurse duart ia zgjidhën. Çdo ditë kishte metoda të reja torture sfilitëse ndaj Samiut.

Akuzave të Sigurimit dhe kapitenëve xhelatë, Samiu, u jepte përgjigjen mohuese. Sërisht përtokë në kolaps, para se vdekja ta merrte në krahët e saj.

Sipas një akuze të parafabrikuar thuhej, se: “Sami Repishti, ishte përpjekur për të rrëzuar pushtetin popullor me focë”, në lidhje me “agjentët e fuqive të huaja

Një klerik katolik dhe një hoxhë të lidhur bashkë me zinxhirë

Grupi i të burgosurve, ku qëndroi S. Repishti, kishte 22 vetë, të lidhur me zinxhirë dy e nga dy, e të rrethuar nga dy rreshta roje partizanësh të armatosur. Kështu dy të burgosurit e parë ishin klerikë shkodranë: një fraçeskan katolik dhe një hoxhë (imam) mysliman. Të tjerët ishin katundarë, tregtarë, dy studentë e një ipeshkëv katolik shqiptar.

Ata sapo dolën në rrugë, turma histerike e përgatitur nga partizanët çirrej: “Trathtarë! Trathtarë! Plumbin ballit! Plumbin ballit!”

Gjyqi u zhvillua në sallën e kinemasë së Shkodrës. Tashmë, në vendin, ku dikur qëndronte orkestra frymore e qytetit (ish-Banda e Bashkisë), kishin vendosur 22 karrige për të pandehurit dhe pak më larg qëndronin “avokatët”, që nuk kishin të drejtë të takonin klientët e tyre. Rezultati i dënimeve me burgime, në pretencën e Gjyqit Ushtarak, dhënë nga Prokurori, që përfaqësonte diktaturën e hurit e litarit, ishte skandaloz e për faqe të zezë.

Nga 9 të akuzuar, duke përfshi edhe Ipeshkvin trim, u dënuan me vdekje-pushkatim. Të tjerët, morën dënime prej 15 vjet heqje lirie deri në burgim të përjetshëm. Qytetari shkodran Sami Repishti, dënohet nga pretenca e gjyqit me 15 vjet heqje lirie.

Më 28 nëntor 1947, kolona e të burgosurve shoqërohej në të dy anët nga forcat partizane të armatosura, që mbronin të burgosurit e lidhur më zinxhirë. Ai sërisht në burg, takohet dhe bisedon me atë Ciprijan Nikën (1900-1948), njeriun diturak, zotërues i disa gjuhëve të huaja, shumë bujar e fisnik në shpirt dhe kaloi disa ditë në qelitë e Sigurimit.

Atij i ka mbetur e ngulitur në kujtesë, burrëria e fratit të patundur, për ideale të shenjta Atdhe-Fe: “Biri im, me vrasjen time, komunistët duen me vra të vërtetën!” Frati atë Çiprijani, i la amanet të riut bashkëvuajtës Sami Repishtit, që të tregoj të vërtetën, kurdo që të dalë nga burgu, tregoje të vërtetën e futjes së armëve në kishë nga një seminarist i përjashtuar nga shkolla, për shkelje të rregullave të Kuvendit.

Mbas lirimit nga burgu, Samiu niset në qytetin e lindjes me një makinë të rastit. Shkodra, tashmë ishte kthyer në qytet karantine mjerimi, ku afishet e propagandës komuniste gjendeshin kudo. khyri në shtëpi, motra e njoftoi se banonin në një dhomë përdhese dhe pjesa tjetër e shtëpisë ishte e zënë nga qeraxhinj, të vendosur aty nga qeveria.

Pasuria e gjithë familjes ishin tre krevatë, një tryezë, disa karrige e divani. Vëllai i Samiut prej disa kohe ishte arratisur nga Shqipëria., ndërsa vëllai tjetër ishte me shërbim ushtarak. Nëna e motra, shikonin Samiun, por nuk flisnin. Me kokë të ulur poshtë, nëna tha: “Nuk kemi bukë… nuk kemi triska… e motra nuk gjen punë…!” Nga burgu i qelisë drejt një burgut të madh kolektiv deri sa ai arratiset nga Shqipëria dhe më vonë ai sërisht arratiset edhe nga kampi i Gerovës drejt Italisë.

Këtu ai qëndron në kampin e refugjatëve ndërkombëtare, ku, më pas niset drejt botës së lirë dhe demokratike të SHBA-së…

Sami Repishti, PH.D. City University of New York, “Lotë – Lavdi e Lumnim”

Sikurse e cekëm edhe më lart, profesor Sami Repishti në çdo kohë dhe situatë, që i është krijuar mundsia, ka shkruar kujtime me ngjarje të hidhura të kohës së tij, të cilat i ka botuar në shumë revista dhe gazeta të botës shqiptare.

Para 4 vitëve, në vitin 2016, me rastin e ceremonisë së Lumnimit të 38-martirëve të klerit kaotlik shqiptar, Shkodër, në muajin nëntor të vitit 2016, nën kujdesin e Botimeve Françeskane, Shkodër, ka botuar librin “Lotë – Lavdi e Lumnim” gjithsej 140 faqe, të cilat janë mirëpritur shumë mirë nga kritika bashkëkohore shqiptare, dhe nga shtresa e bashkëvuajtësve të tij, të cilët sot janë në moshë të thyer.

Prof. Repishti dhe Kisha Katolike Zoja e Shkodrës në New York

“Por Kisha e juej “Zoja e Shkodrës” këtu në SHBA është gjithashtu edhe nji monument i gjallë, nji permendore, që ngrihet si dokumenti i nji memoriali të shkruem, për karakterin e saj kombëtar gjithëshqiptar, në kuadrin e universalizimit të Kishës nanë Katolike Apostolike Romake. Kisha e juej asht nji vepër, që po skalitet në gur, nji shkamb i shqiptarizmit, nji objekt, që shenon punën tuej dhe vullndetin e të gjithë besimtarëve si ju, të mbeten deshmitarë të shqiptarizmit, dhe të identitett kombëtar gjithëshqiptar.” – Prof. Sami Repishti, New York.

Profesor Sami Repishti, ka qenë dhe mbetet edhe sot e kesaj dite, miku dhe bashkëpunëtori me i ngushtë e i dashur i kishës katolike shqiptare Zoja e Shkodrës në Hartsdale New York.

Në një shkrim dedikuar sakrificave të klerit katolik apostolik roman shqiptar, prof. Sami Repishti shkruante: “…. për 38 martirët e fesë katolike dhe kolegët e tyne të masakruar nga terrori komunist…. për atë madhështi të pa shkallë, që përvuejtënia falë vetëm për njerëzit e kushtuem, për atë qetësi që buron vetëm nga shpirti i qenieve njerëzore pa kërkesa, për atë hir që rrezatojnë vetëm ata që idenë e kanë afsh zemre e përpjekjen për atë ide, qellim të vetëm të jetës së tyne…. Sherbim për Zotin dhe krijesën e Ti, je që unë dëshmova gjatë viteve të burgut të përbashkët, me mirënjohjen dhe respektin tim ma të thellë!”

Ai, si një intelektual i përgatitur dhe shumë largpamës, atdhedashës dhe si një shqiptar i devotshëm, ka qenë dhe është i pranishëm në të gjitha ngjarjet kombëtare, kulturore, përkujtimore të figurave te shquara të klerit katolik dhe atdhetare, që ka organizuar vazhdimisht prej disa dekadash, Qendra Kulturore Nënë Tereza, pranë kishës katolike Zoja e Shkodrës në New York.

Gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burg në Shqipëri, ai ka parë nga afër me sytë e tij persekutimin e shumë figurave të shquara të klerit katolik, me të cilët ka ndarë vuatjet, kujtimet dhe mbresat e një jete shumë të vështirë, plot plagë e vuajtje në qelitë e tmerrshme të burgjeve të vdekjes, të regjimit komunist të dikatatorit Enver Hoxha.

Këto episode dhe kujtime të dhimbshme, ai i ka shkruar dhe referuar në shumë takime kulturore dhe historike, që shpesh janë mbajtur në ambientet e kishës Zoja e Shkodrës në New York.

Kështu 21 vjet më parë, ai ka mbajtur një fjalim shumë domethënës, gjatë kohës së celebrimit për Konsakrimin e kishës katolike shqiptare Zoja e Shkodrës, më 25 prill 1999 në New York, kumtesë e cila më vonë u botua edhe në faqet e revistës kulturore fetare Jeta Katolike, që prej vitit 1966 vazhdon të botohet, nën perkujdesin e Qendrës Kulturore Nënë Tereza, me drejtor botues meshtarin e palodhur dom Pjeter Popaj dhe kryeredaktorin e saj Mark K. Shkreli, redaktorin Klajd Kapinova dhe Simon Vukel.Dhe aktivisti dhe kryetari i këshillit të kishës tonë zoti, Tonin Mirakaj.

Po ashtu 15 vjet më parë prof. Sami Repishti, më 2 maj 2005, mban një fjalim në ambientet e kishës katolike shqiptare në New York, me temë: Papa Gjon Pali II: “Mos Kini frike!”, pra, një muaj mbas kalimit të Atit të Shenjt në amshim.

Me këtë rast, ai i bën një përshkrim dinjitoz, duke e përkujtuar papën polak Karol Wojtyla, i cili, ishte një antikomunist i vendosur, një intelektual, shkrimtar (poet) dhe figurë e shquar e historisë së papatit në Selinë e Shenjt në Vatikan.

Ata që kanë njohur nga afër këtu në New York, jetën dhe veprën e profesorit shkodran Sami Repishti, kanë ndjekur me kujdes edhe kumtesën e tij për kohën e perskeutimit të përbindshëm bolshevik, gjatë diktaturës ateisto-komuniste në Shqipëri, në harkun kohor të vitëve 1944-1990.

Prof. Repishti, shkruan një artikull tjetër shumë të bukur, në revistën Jeta Katolike në New York, me titull: “Surgite, Mortui! – Le të Ngrihen të Vdekurit”, një punim me ngjarje të jetuara historike, i cili, në vetvete përmban kujtime të kohës së zezë në Shqipëri, kur diktatura e protelariatit bënte kerdi (masakra) mbi popullin e pafajshëm shqiptarë.

Temat e preferuar e prof. Repishtit ishin bashkëvuajtesit e tij klerikët katolikë franceskanë dhe jezuitë, të cilët historikisht nder shekuj kanë qenë ajka e vërtetë e kombit tonë. Këto prelatë dhe klerikë të thjeshtë të dy Urdhërave të famëshme Franceskane dhe Jezuitëve nga qyteti i lashtë i Shkodrës, vinin nga dy shkolla të së njejtës kulturë përparimtare kristiane.

Prof. Sami Repishti edhe mbas viteve 1990, është munduar të mos shkëputet nga vendlindja e tij Shkodra, duke shkruar shpesh kujtime për qytetin, impresionime dhe banorët e tij. Me shumë interes janë edhe letërkembimet e prof. Sami Repishtit, me mikun e tij të vjetër imzot Rrok Mirditen, Arqipeshkëv Metropolitan Tiranë-Durrës, i cili, disa vite më parë ka ndërruar jetë.

Leterkembimi i përket periudhës së muajve korrik-gusht të vitit 2003. Repishti-Mirdita, janë një pasuri e madhe për studiuesit, sepse aty sheh sesi dy intelektualët i trajtojne tematikat shqiptare dhe kulturore në terësi.

Mons. Mirdita e falënderon nga zemra prof. Repishtin, për vizitën që ai i bën në Selinë e Arqipeshkvisë Metropolitane Durrës-Tiranë (sot Tiranë-Durrës), në kryeqytetin e Shqipërisë. Prof. Repishti e falënderon Monsinorin, për dhurimin e librit të tij: “Për një Shqipëri me Zotin”.

Sami Repishti Profesor në Universitetin e New York-ut

Ishte pjesëtar i rezistencës, kundër pushtuesve italian e gjerman në Shqipëri, si student, kundërshtoi diktaturën komuniste të prosavendosur në vendin e shqiponjave. Më 1946 u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burgim të rëndë, kryesisht për kërkesën e tij për demokraci dhe zgjidhjen e problemit dardan. Nëna, vëllai dhe motra e tij, vuajtën në kampet e internimit në Berat dhe Tepelenë.

Më 1959, u arratis në ish Jugosllavi, ku, u burgos përsëri, e mbas shumë vuajtjesh, emigron në ShBA (1962), ku, jeton edhe sot me familjen. Ai ka bërë studimet e mesme në Shkodër, dhe ata universitare në Firenze (Itali), në Paris (Francë) dhe ka dokturuar pranë departamentit të Frëngjishtës në City University of New York në vitin 1977.

Intelektuali i shquar dhe njohës i shumë gjuhëve të huaja prof. Sami Repishti, për 25 vjet me rradhë, ka dhënë mësim në gjimnazet amerikane dhe në Adelphi University.

Prof. Sami Repishti, ka qenë kryetar i departamentit të Gjuhëve të Huaja për gjimnazet e qytetit Malverne, New York, dhe pedagog i jashtëm porsavendosur pranë Aldephi University (N.Y.). Në vitin 2020, prof. Repishti, është autor i më shumë se 770 studimeve dhe artikujve me tema shqiptare dhe të Drejtat e Njeriut, kryesisht për shqiptarët në ish Jugosllavi dhe çamët, të botuar në shtypin amerikanë dhe shqiptarë.

Ka qenë koordinator për ish Jugosllavinë dhe Shqipërinë, pranë Amnesty Internacional në ShBA, për periudhën e vitëve 1979-1982. Është i pari shqiptaro amerikan, që ka dëshmuar para Kongresit Amerikan, për Kosovën në prill të vitit 1965, dhe ka vijuar me dëshmi të shumta para komisioneve kongresiane dhe qendrave studimore amerikane, kryesisht për problemin kosovar.

Në vitin 1986, kërkoi hapjen e Zyrës Amerikane në Prishtinë, që u realizua me sukses në vitin 1996, dhe atë kosovar në Washington D.C., që u aprovua nga Presidenti i ShBA-së William Jeferson Clinton më 1993. Që nga viti 1965, vazhdon të jetë njeri nga aktivistët më të njohur për kontaktet e vijueshme me përfaqësuesit e Kongresit, Departamentit të Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë, në mbrojtje të interesave të mbarë popullit shqiptar, pa ngjyra ideologjike.

Prof. Repishti, është bashkëthemelues i Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane (1986) dhe drejtor ekzekutib (1989-1992), themelues dhe president i Kosova Relief Fund, USA., Inc. (1978 dhe sot); bashkthemelues i Amerrican Friends of Albania dhe sekretar/arkëtar i saj (1992-1996); bashkëthemelues i Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NAAC, 1996) dhe president i parë (1996-1998).

Ai është antar i Bordeve drejtuese të disa organizatave shqiptaro amerikane. Vazhdon të merret me studime shqiptare dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Është i martuar me Diana Cipin, një vajzë gjirokastrite dhe ka dy fëmijë një djalë Daren me profesion mjek dhe vajzën Ava avokate. Ai ka pesë nipa e mbesa.

Se fundi, dua të them me shkrimin tim modest në perkushtim të intelektualit të shquar prof.Sami Repishtit,për ne shqiptarët kudo që jetojmë është simboli i shqiptarit të madh,i atdhetarit të pamposhtur,i cili sfidoi tri diktaturat më të mëdha të shek.XX; diktaturën fashiste, diktaturën naziste dhe atë komuniste.Profesor Samiu është shembulli i intelektualit rrallë të atdhetarit vetmitarë,i cili vuri gjithcka,pasurinë,familjen,jetën e tij për të mirën e kombit vetë Shqipërisë,që ne shqiptarët sot të jetojmë si kombet e tjera të qytetruara në paqe dhe qetësi,duke vlerësuar kontributin madhor,për mendimin tim,professor,Sami Repishti, qëndron në krye të intelektualëve dhe është krenaria e diasporës shqiptaro-amerikane.Profesor,Sami Repishti është dhe mbeti në zëmrat e të gjithë shqiptarve, symbol i genies së races s’onë ,intelektuali ma i nderuari i të gjithë kohërave,dhe shquet edhe si nji nga polemistët ma të mprehët të kohës,e prijës i idealeve më të larta kombëtare,model i kësaj bote të qytetruar,profesor, Sami Repishi mbeti figure e madhe , e pjesë e gjerdanit të artë të histories së lavdishme, e përsonaliteti i shquar i kohës,njeriu i famëshëm në enciklopedinë e komunitetit Shqiptaro Amerikan.

Ne, sot ndjehemi krenar për atë që prof. Sami Repishti i ka lënë si trashegimi kulturore, patriotike dhe shkencore kombit shqiptare dhe diasporës sonë në SHBA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat