Panairi i 3-të Vjetor “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Bronx - Nju Jork

Amerika

Panairi i 3-të Vjetor “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Bronx - Nju Jork

Beqir SINA - New York Nga Beqir SINA - New York Më 20 maj 2024 Në ora: 16:30
Foto nga vendi i ngjarjes

Mbi 5 mijë shqiptarë dhe mbi 100 shoqata dhe biznese shqiptare u bashkuan për të festuar kulturën, historinë dhe trashëgiminë kombëtare në rrugën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Bronx.

(Për fotografi klikoni në Facebook)

Video link

BRONX NY: Panairet dhe festivalet e rrugës në Bronx (NYC) janë të shumta, sipas mediave lokale. Ato përgjithësisht fillojnë në prill, duke përfshirë disa nga tregjet e komuniteteve gjatë gjithë vitit, të cilat megjithëse nuk janë saktësisht panaire rrugësh, përmbajnë disa nga elementet e përvojës së panairit të rrugës, duke përfshirë një ofertë eklektike të mallrave dhe artikujve ushqimorë nga vendet prej nga vijnë komunitetet që i organizojnë.

Në hartën e panaireve të rrugëve në qytetin e Bronx-it, për të tretin vit me radhë, është vendosur edhe Panairi Vjetor “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Bronx - Nju Jork. Kjo traditë festive nisi në vitin 2022 me rastin e bashkëemërtimit të rrugës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në New York. Panairi shqiptar është një aktivitet që u ndoq nga mijëra të pranishëm, familje dhe fëmijë shqiptarë, të cilët përjetuan gëzimin e muzikës tradicionale shqiptare, vallëzimit, ushqimit e shumë të tjera.

Ndërkohë, organizatorët thonë se qëllimi i këtij aktiviteti është të përkujtojë historinë dhe trashëgiminë e pasur, si dhe gatimet e larmishme tradicionale shqiptare. Panairi i 3-të Vjetor "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" u mbajt të dielën, më 19 maj, nga ora 12:00 deri në orën 18:00.

Ky panair u zhvillua këtë vit për nder të 6 majit 1405, ditës së lindjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut - Mbretit të Shqiptarëve (Gjergj Kastrioti-Skënderbeu lindi më 6 maj 1405 dhe vdiq më 17 janar 1468). Ai është heroi kombëtar dhe figura më e shquar në historinë e shqiptarëve, i njohur edhe si themelues i shtetit mesjetar shqiptar.

Panairi u organizua nga Shoqata Shqiptare Amerikane e Open Hand Inc. (AAOHA) dhe u sponsorizua nga Belmont Business Improvement District. Panairi zhvillohet në "cepin" e Crescent Avenue dhe Arthur Avenue, ku tre vjet më parë u vendos edhe tabela e sinjalistikës Gjergj Kastrioti - Skënderbeu. Ky aktivitet mbahet çdo vit në bashkëpunim me ish-këshilltarin e bashkisë së Nju Jorkut, zoti Mark Gjonaj - Kryetari i Këshillit Koordinues të Diasporës.

Marrëdhënia e fortë mes komunitetit shqiptar dhe italian, që përshkon të gjithë lagjen e Bronxit, Little Italy, për shumë vite, shqiptarët kanë jetuar dhe blerë në bizneset italiane. Por sot shqiptarët në këtë lagje janë vetë pronarë të bizneseve, duke përfshirë edhe bizneset më të frekuentuara si: Prince Coffee, Gurra Restaurant, House, Déa-An Authentic Eatery, Bato Coffee & Wine, Çakor Restaurant, Caffe Parissien, si dhe restoranti i famshëm Çka Ka Qellu dhe dhjetëra biznese të tjera përgjatë rrugëve të biznesit në qytetin e Bronx-it, Crescent Ave dhe Arthur Avenue.

“Rëndësia jonë kulturore për Bronx-in është mënyra më e mirë se si mund të manifestohet, edhe përmes këtij lloj panairi në rrugë, dhe, kështu, është mënyra më e mirë për të nderuar këtë ngjarje ta bëjmë atë nën emrin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, tha një zëdhënëse e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të Open Hand, shoqata që është edhe organizatori i panairit dhe njëherësh shoqata humanitare e njohur për dhënien e ndihmave ushqimore për familjet në nevojë në Bronx që nga viti 2014.

Panairit Gjergj Kastrioti Skënderbeu i jepet një jehonë e madhe, pasi tashmë është bërë një festë e të gjitha gjërave shqiptare duke përfshirë fjalimet patriotike nga folësit, zbukurimin e dy anëve të rrugës me simbolet kombëtare shqiptare, sheshin e hijeshuar me flamujt kuq e zi, ndërsa në fasadat e ndërtesave përballë sheshit ku mbahet panairi vendosen postere gjigande me figurën e Skënderbeut dhe një flamur kuq e zi sa e gjithë fasada e pallatit.

Grupet e ndryshme të valltarëve të shkollave shqip dhe shoqatave, këngëtarë të përzgjedhur të komunitetit të artistëve performuan përpara skenës së panairit me muzikë dhe kërcime, duke demonstruar edhe veshjet tradicionale nga Shqipëria, Kosova dhe të gjitha trevat shqiptare.

Në Panairin e 3-të Vjetor “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Bronx - Nju Jork, të dielën morën pjesë më shumë se 5 mijë shqiptarë dhe më shumë se 100 shoqata dhe biznese shqiptare. Ky event i përvitshëm i jep mundësinë komunitetit shqiptaro-amerikan të bashkohet dhe të festojë traditat dhe kulturën e pasur me argëtim, ushqim, lojëra dhe shumë më tepër.

Sipas shtypit lokal, ky është një nga festivalet më të mëdha për të nderuar trashëgiminë shqiptare në Bronx, lagjen Belmont ose si quhet ndryshe Italinë e Vogël, që banorët e lidhin zonën me trashëgiminë italiane, por sot kjo lagje ka ndryshuar ngaqë ka një prani të madhe shqiptare me 62 biznese shqiptare.

“Kjo ka një domethënie të veçantë për shqiptaro-amerikanët sepse po ndodh në zonën e Arthur Avenue, e cila është një pikë shumë e fortë për komunitetin shqiptar, sepse kjo zonë është një zonë ku shqiptarët u vendosën nga vitet 1960”, i tha Ismer Mjeku, pronar i Bato Cafe & Wine, televizionit të qytetit BronxTV12.

Prezantuesit e veshur me kostume popullore sollën në skenën e panairit të tretë dhjetëra artistë, politikanë, nxënës shkollash për atë që mund të quhet koncerti që u organizua në nderim të Heroit Mbarëkombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Sheshi përgjatë gjithë ditës “ziente” nga shqiptarët që vinin nga e gjithë zona e “Tre Shteteshit” për të kënaqur duke festuar trashëgiminë, kulturën dhe traditat e Shqipërisë përmes ushqimit, muzikës dhe shfaqjeve kulturore.

Në tubim morën pjesë edhe zyrtarë të lartë amerikanë, si udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, Presidentja e Borough Bronx, Vanessa L. Gibson, senatorja e shtetit Nathalia Fernandez, si dhe kryetari i Bashkisë së Nju-Jorkut, Eric Adams.

Drejtuesi i këtij festivali, zoti Mark Gjonaj, falënderoi komunitetin për kontributin që japin në këtë qytet, i cili thuhet se ka mbi 30 mijë shqiptarë. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë të gjithë shqiptarët e Amerikës, duke vënë në pah kontributin e tyre të madh në çështjen kombëtare. Ai falënderoi edhe bizneset dhe shoqatat për mbështetjen e vazhdueshme të panairit, si dhe ftoi të përshëndesnin këtë panair Ministren e Jashtme të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ambasadoren Suela Janina, shefe e Misionit të Përhershëm të Shqipërisë në OKB, dhe Konsullen e Nderit, Emina Çunmulaj.

Panairi vazhdoi deri në mbrëmje vonë me këngë dhe valle nga grupet e komunitetit dhe u mbyll me përshëndetjen: "Mirëupafshim në Panairin Vjetor të 4-të Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Bronx - Nju Jork".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat