Kili arreston punonjësit pyjorë për zjarrin që vrau 137 njerëz në shkurt

Bota

Kili arreston punonjësit pyjorë për zjarrin që vrau 137 njerëz në shkurt

Më: 25 maj 2024 Në ora: 16:47
Foto nga vendi i ngjarjes

Autoritetet në Kili njoftuan arrestimin e një zjarrfikësi dhe të një punonjësi pyjesh si të dyshuar se nisën zjarrin shkatërrimtar ku humbën jetën 137 njerëz në shkurt dhe dëme masive u shkaktuan në bimësi dhe shtëpi banimi.

Një prej të ndaluarve punonte për Kompaninë Kombëtare të Pyjeve e cila supozohet të luftojë zjarret në pyje, tha drejtori i policisë vendase Eduardo Cerna, duke shtuar se të akuzuarit ishin në paraburgim me akuza zjarrvënieje që shkaktoi vdekje.

Zjarri më i rëndë në historinë e vendit shkatërroi zonën e quajtur Valparaíso, rreth 122km larg kryeqytetit kilen Santiago.

Zyrtarët thonë se disa vatra zjarri ishin ndezur qëllimisht teksa temperaturat e larta dhe era bënë që flakët të përhapeshin shpejt.

Më shumë se 16,000 njerëz u prekën nga shkatërrimi i zjarrit gjigant që shkatërroi shtëpi dhe bimësi, në rajonin ku përfshihet dhe rezorti i njohur turistik bregdetar Vina del Mar.

Motivet e mundshëm të të akuzuarve nuk bëhen të ditura teksa Vicente Maggiolo kreu i zjarrfikësve në Valparaiso, tha për mediat: “Jemi të shtangur nga kjo që ka ndodhur, ishte një incident i izoluar. Ne i shërbejmë rajonit të Valparaiso prej rreth 170 vjetësh dhe gjëra të tilla nuk tolerohen.”

Prokurori Osvaldo Ossandón tha se kishte pasur të paktën katër vatra zjarri në distancë të njëjtë nga njëra-tjetra dhe se materiale zjarrvënieje ishin gjetur në shtëpinë e një prej të dyshuarve, shkruan rrjeti BBC.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat