Gani Kryeziu bir i denjë i nanës Gjakovë

Dokumentare

Gani Kryeziu bir i denjë i nanës Gjakovë

Nga: Eugen Shehu Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 16:30
Gani Beg Kryeziu

Midis emrit Gjakovë dhe fatit të njerëzve të saj,ka një lidhje të çuditshme,Toponomastika,kësaj radhe rreket të hyje në historinë tragjike të qytetit verior të Shqipërisë i cili ka mbijetuar duke ecur nëpër lumenj gjaku,ndër themelet e kësaj mbijetese,padyshim,një vend të nderuar zënë dhe vëllezërit Kryeziu.Ganiu,Saidi dhe Hasan Kryeziu,do të mbeten përgjatë rrjedhave të Luftës së Dytë Botërore,ndër figurat kryesore të shqiptarizmës jo vetëm në Gjakovë por në krejt Kosovën.

Këta martirë,me jetën dhe veprën e tyre,dëftuan se mbi gjithshka,mbi familje,të ardhme,kulla e livadhe,patën vetëm lirinë e trojeve amtare.Përpara kësaj lirie,si përpara një altari të shnejtë,ata u përkulën deri në çastin e mbramë të jetës.Ndër katër vëllezërit Kryeziu,jo vetëm për erudicionin por sidomos për fjalën e urtë dhe të prerë,u dallua Ganiu.

U lind në kullën e madhe të Kryezinjëve në Gjakovë,më 1899.Mësimet e para i mori në shkollën e qytetit mes shokësh e miqësh.Por coptimi i kufinjëve shqiptarë,në vitin 1913,do të hapte plagë në zemrën e njome të djaloshit nga Gjakova,dhuna dhe pressioni serb,do të vërshonin në Gjakovë si në krejt viset e Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare,duke dashur të shuaj me zjarr e hekur shpirtin shqiptar të revoltës,ngase shihnin tek Ganiu,djalin e heshtur por të zgjuar ,prindërit e dërgojnë të shkollohet në vitet 20-të në Francë.Ganiu ndonëse ishte student i shkëlqyer në Francë e më pas në Itali,jeton kurdoherë me mallin për Gjakovën dhe Kosovën.Është kjo arsyeja që ndonëse me trup të shkurtër,me fjalë të rralla,por të prera,kthehet në vendlindje duke bërë punë nga më të rëndomtat.I heshtur nga natura,ai pati marrë prej studimeve universitare,zakonin e të lexuarit të shumtë dhe librat nuk i ndau askurrë nga vetja.Por librat nuk do ta ndalonin dot prej aksionit.Kur italia fashiste pushtoi Shqipërinë,Gani Kryeziu së bashku me disa shokë të tij organizuan në sheshin në qendër të qytetit,një demostratë të madhe.Nën palët e flamurit kuqezi,zëri i Ganiut kumboi duke ngritur peshë zemrat e gjakovarëve.Më pas,në ditët e para të prillit,ai ndërmerr edhe nismën për organizimin e një formacioni luftarak me djem të Kosovës,i cili do të shkonte për të luftuar në Shqipëri.Por rezistenca shqiptare kundër okupatorit italian,ishte vetëm 2-3 ditë. Dhjetra apo qindra nacionalistë,të paarmatosur,të papërkrahur,nuk mund të bënin ballë dhjetra mijëra ushtarëve italianë,të armatosur deri në dhëmbë,të përforcuar edhe me tanke,autoblinda dhe avionë luftarak.Njësia luftarake kosovare e komanduar nga Gani Kryeziu,në të vërtetë nuk vajti dot në shtetin amë,por kjo s’do të thotë se vëllezërit Kryeziu e pushuan rrezistencën.”Kur në muajin prill 1941 hynë hitlerianët dhe ushtria jugoslave kapitulloi brenda disa ditëve… planin e kryengritjes do ta realizonin ; Gani Kryeziu për Kosovën,Abaz Kupi e Muharrem Bajraktari për Shqipërinë e Veriut,Mustafa Gjinishi për Shqipërinë e mesme.Lidhja me Shqipërinë e Jugut do të bahej nëpërmjet qëndresës së SOE në Bari të Italisë”.( Gazeta “Albania “ më 7 nëndor 1995 ).

E vërteta është se në muajt maj-gusht 1941,Ganiu,së bashku me vëllanë e tij,Saidin,kryen mjaft punë që kishin të bënin me rezistencën e armatosur të popullit të Kosovës,kundër okupatorëve italianë. Jo vetëm në Gjakovë,por pothuaj në krejt zonën italiane të pushtimit,ata nisën të ngrenë grupet e rezistencës nacionaliste.Në pamje të parë,programmi i përcaktuar prej vëllezërve Kryeziu,dukej se nuk cenonte drejtëpërsëdrejti interesat italiane në Shqipëri.Por kjo shfaqje ishte vetëm në aspektin e parë,ku kërkohej flamuri shqiptar,të flitej gjuha shqipe,të këndohej hymni kombëtar i flamurit nëpër shkolla dhe të mos nderohej prej nxënësve ala romana.Më tej këto kërkesa u parapanë prej italianëve si sulme të pastra të nacionalistëve shqiptarë,të cilët përgadisnin shkallë shkallë rezistencën e tyre kombëtare.Duke vepruar gjërësisht jo vetëm në Gjakovë,por edhe Ferizaj,Pejë,Prishtinë etj,vëllezërit Kryeziu bien në sy të shërbimeve sekrete italiane.Është kjo arsyeja që në shtatorin e vitit 1941,dy vëllezërit Kryeziu arrestohen dhe dy muaj më pas,dërgohen në internim,në ishujt Ventotene të Italisë.Koha e qëndimit në internim,do të sihte për Kryezinjtë,një shkollë tjetër e nacionalizmit të ndershëm shqiptar.Dihet tanimë se nga krejt kundërshtarët e vet të vendosur,italianët dërguan si të internuar rreth 90 shqiptarë prej të cilëve 3-4 ishin komunistë ndërsa të tjerët,simpatizantë apo luftëtarë të radhëve të para të nacionalizmit.Një varg letërkëmbimesh që Ganiu dhe Saidi,patën gjatë kësaj kohe,me vëllanë e tyre Hasanin,dëshmojnë se vuajtjet në internim jo vetëm që nuk i friguan bijtë e Gjakovës,por përkundrazi i mbrojtën ato me shpirtin e pamposhtur të rezsitencës kundër okupatorit.Rrënimi i ushtrisë italiane prej aventurave të Duçes,solli në disfatën e kapitullimit,në shtator të vitit 1943,me kte rast edhe dënimet me vuajtje burgimi në disa vite,ata nuk i vuajtën dënimet deri në fund.Ndër kushtet e kapitullimit të ushtrisë italiane ishte edhe ai i kthimit të bijve të Shqipërisë,të cilët e kishin kundërshtuar deri me armë në dorë pushtimin e trojeve amtare.Kësisoj edhe vëllezërit Kryeziu lirohen nga internimi,tanimë të vendosur për të luftuar okupatorin e ri që po dukej në horizontet e atdheut të tyre.Në librin,memorie të Reginald Hilbbert, “Fitorja e Hidhur” –Tiranë 1994,autori ish pjesmarrës me misionet ushtarake angleze në Shqipëri,pos të tjerave thotë se Seksioni D anglez,i drejtuar nga Xhulian Emeri,vendosi kontakte me dy-tri organizzata që vepronin asaj kohe në Jugoslavi.Ndër të tjera këto organizzata të cilat merrnin përsipër t’u kundërviheshin gjermanëve,më e fuqishme ishte ajo e Gani Kryeziut në Kosovë,për shkak të reputacionit të madh që Kryezinjtë kishin si në Kosovë ashtu edhe në Veriun e shtetit amë. E vërteta është se okupimi italian,i cili qoftë edhe mekanikisht,i zhduki për disa kohë kufijtë që ndanin shqiptarët prej shqiptarëve,mundi të bashkojë mjaft atdhetarë shqiptarë në ide dhe veprime. Kështu ,Gani Bej Kryeziu,duke patur edhe lidhje fisnore të mëparshme,i zhvilloi ato në rrafshin e ideve nacionaliste,veçams,si do të kishte miqësi të thellë me Muharrem Bajraktarin dhe Abaz Kupin duke lehtësuar kështu bashkëpunimin mes tyre.

Në dhjetorin e vitit 1943,në shtëpinë e Kryezinjëve,në Gjakovë,mbërrin misioni ushtarak anglez i përfaqsuar nga Peter Kemp i cili kishte për qëllim organizimin e popullit të këtyre anëve në rezistencën kundër fuqive të RAIHUT të Tretë.Në shtëpinë e Kryezinjëve,për tri javë rresht,u bisedua gjatë,plani për organizimin e kësaj rezistence në të cilën do të përfshiheshin të gjithë shqiptarët pa dallim në ide e grupime politike.Ndërsa në janarin e vitit 1944,Peter Kemp,merr një letër nga Gani Kryeziu i cili i bën të ditur lirimin e tij si edhe vendosmërinë për të bashkëpunuar me misionin anglez në Kosovë,me ç’rast u bë e mundur në fillim të muajit shkurt 1944.Vëllezërit Kryeziu,në planin e tyre për organizimin e rezistencës,kundër forcave ushtarake të RAIHUT të Tretë parashihnin një varg masash të domosdoshme,me ç’rast edhe bashkëpunimin e ngushtë të gjitha forcave politike shqiptare.Është kjo arsyeja që ata pranuan në shtabin e tyre luftarak edhe Zai Fundon,komunist i cili pasi e kish kuptuar rrezikun e bolshevizmit,u kthye kundër tij.Miqësia e Ganiut me Zai Fundon ishte lidhur sidomos në ishullin e Ventotenes ku të dy ishin internuar prej okupatorit italian.Gani Kryeziu është njeri i aksionit dhe nis menjëherë nga organizimi dhe mobilizimi për luftë i forcave vullnetare të Shqipërisë verilindore.Në kujtimet e veta,Peter Kemp shkruan pos të tjerave ; “Gani Beg Kryeziu,ishte shtashkurtër dhe i shëndoshë,me ballë të lartë e të spiktaur,tipare të forta dhe shprehje të sinqertë e të vendosur.Ai fliste qartë,pa zbukurime dhe stërhollime,me fjali të shkurtëra dhe të prera.Megjithatë arrinte të merrte vendime pa vonesë dhe t’i zbatonte ata me shpejtësi e guxim.Ai në të njejtën kohë ishte një palnifikues i zgjaur dhe i kujdesshëm… Me këta aleatë shanset tona për të organizuar një rezistencë në Kosovë u arrit pa masë.Gani Beg Kryeziu është i vetmi njeri në këto anë të Shqipërisë që dëshiron me të vërtetë të luftojë kundër gjermanëve dhe ka guximin e mundësinë ta bëjë këtë,i vetmi njeri që mund të ngrejë kosovarët në luftë”.( Peter Kemp, “Pa flamurë apo emblemë “ Londër 1958, faqe 48 ).

Në pranverën e vitit 1944,Ganiu së bashku me vëllezërit e tij,pasi mobilizojnë deri në 800 luftëtarë në Gjakovë,kalojnë në Bytyç,Gash e Krasniqe. Më tej,në majin e vitit 1944,në bashkëpunim të ngushtë me Muharrem Bajrakatarin,mundin të organizojnë,më shumë se 2500 burra me armë në dorë,për të luftuar kundër okupatorit gjerman.Veçanërisht,aftësitë luftarake të vëllezërve Kryeziu e posaçërisht të Ganiut,shkëlqen në luftimet kundër gjermanëve në vendet e quajtura Kam dhe Kepenek,në Shqipërinë Veriore.Duke qenë se ato përbënin nyje strategjike të pozicioneve të prapavijave germane,qoftë malësitë e Kamit,qoftë të Kepenekut,mbanin të dislokuara një arsenal të tërë mjetesh luftarake dhe veshmbathjesh së ushtrisë germane.Pas luftimeve të aspra disa ditore,forcat vullnetare shqiptare të komanduara nga Gani Beg Kryeziu, Muharrem Bajraktari, Mehmet Bajaraktari,Ali Ibrahimi dhe Bajram Uka, i mposhtën aty si edhe rrëmbyen armatime e paisje luftarake për formacionet e tyre.Ajo çka vlen të mos harrohet,kur flitet për Gani Beg Kryeziun,asht fakti se ai ka ditur të bashkëpunojë sa me nacionalçlirimtarët e Kosovës,aq edhe me nacionalistët e saj,sa me Muharrem Bajraktarin aq edhe me Zai Fundon,ndonëse ky i fundit, komunistët e Tiranës do ta ndëshkonin me plumb në ballë si “tradhëtar”, në këtë bashkëpunim,biri i gjakovës,nuk pa as parimet e Kominternit dhe as ato të rrymave të tjera politike.Kredoja e tij, përmblidhet në ato pak fjalë,përpara se të fillonte beteja në Junik ; “Unë e dua Shqipninë e Kosovën pa Gjerman.Këtë e kam diftue me vepra,jo me fjalë,Po une e dua Shqipninë dhe Kosovën edhe pa serb.Dhe këtë e kam diftue me vepra”.Pikërisht kjo ide e tij,se Kosovën e donte pa serb,u artikulua jo pa egërsi në Beograd.Po të kemi parasysh se në verën e vitit 1944,komunistët jugosllav ishin ulur këmbekryq në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë nacionalçlirimtare shqiptare,madje e dirigjonin skajshëm atë,mund të kuptoje fare mirë armiqësinë e klikës së Tiranës ndaj Gani Beg Kryeziut.Këtë fakt e spjegon mjaft bukur edhe ish ushtaraku i lartë anglez,pjesmarrës në shtabin e Kryezinjëve kur kumton ;”Lëvizja e Kryezinjëve,po të vazhdonte me këto përmesa,mund të çonte në një kryngritje të përgjithshme nazionaliste kosovare.Por kjo mund të ishte tepër shqetsuese e ndoshta e rrezikshme për reputacionin e udhëheqësve komunistë si në Jugoslavi ashtu edhe në Shqipëri” (Reginald Hilbert”Fitorja e Hidhur”Tiranë 1994,fq 311 ).

Klikat e Tiranës dhe të Beogradit,natyrisht i trembeshin përmasave që mund të merrte revolta kosovare e udhëhequr prej Gani Beg Kryeziut,ngase populli shqiptar,si në Lidhjen e Dytë të Prizrenit,ashtu edhe në programin e forcave nacionaliste,ishte shprehur qartë se kërkonte bashkimin e trojeve shqiptare.Urat e ngritura në vitin 1941 midis shqiptarëve në trojet e tyre etnike, pamvarsisht prej faktorëve ndërkombëtarë,i patën ndërgjegjsuar shumicën e shqiptarëve se bashkimi i tyre do të ishte i afërt.Nga ana tjetër,Tirana dhe Beogradi,u trembeshin Kryezinjëve edhe për faktin se angloamerikanët parapëlqenin më së shumti të bashkëpunonin me këta,se sa me shtabet e tyre luftarake të cilët në çdo rast ishin të ndërvarur prej Moske dhe kishin si qëllim ngadhnjimin e bolshevizmit ekstrem.Janë arsyet e më sipërme ato çka çuan në goditjen e madhe të Kryezinjëve prej komunistëve të Tiranës,Së pari komunistët e klikës së Tiranës,u përpoqën të kompromitojnë lëvizjen “Kryeziu”.Ata kërkuan të hyjnë në bisedime me Ganiun,kinse për të vazhduar bashkëpunimin kundër gjermanëve dhe për të njësuar veprimet luftarake.Ganiu dërgon tek Enver Hoxha,Saidin,të vëllanë.Diktatori Hoxha,ndonëse ka qenë tejet i kujdesshëm në manipulacionet e veta historike,pohon se nuk është marrë dot vesh me Said Kryeziun.Ndërsa misionarët ushtarkë britanike,tepër të interesuar për lëvizjen “Kryeziu” pohojnë se klika e Tiranës i ka thënë Saidit se nëse Ganiu do të hidhej përfundimisht në kampin e tyre të internacionalizmit proletar,ai do të meritonte jo vetëm grada e karrierë,por edhe poste me rëndësi në udhëheqjen e lartë komuniste.Është e natyrshme që Saidi t’u jepte përgjigjen e merituar të shiturve tek Beogradi,duke vënë më pas në dijeni,vëllanë e tij,ganiun lidhur me ofertat e ndyra komuniste.Fill pas kësaj në shtatorin e vitit 1944,atëhrë kur komanda e ushtrisë nacionalçlirimtare,vendos të marrshojë drejt Shqipërisë Veriore dhe Lindore,komandat e shtabeve vartëse porositen në mënyrë të prerë që të fillojë menjëherë terrori i kuq,tanimë,nuk ka asnjë kompromis me krerët nacionalistë,ngase luftës po i vinte fundi dhe çështja e pushtetit nuk mund të diskutohej me këto grupime politike.Me porosi të Enver Hoxhës,shtabi i brigadës së V sulmuese i komanduar nga Shefqet Peçi,merr si detyrë likuidimin e menjëhershëm të Muharrem Bajrakatrit dhe forcave të tij.Disa ditë më pas,më 12 shtator 1944,Enver Hoxha i drejtohet me një radiogram tepër sekret Dali Ndreut,komandantit të Korparmatës së Parë Nacionalçlirimtare,duke e urdhëruar në mënyrë të prerë ; “Të përgaditen dhe të nisen menjëherë për në Kosovë,Brigadat e I dhe III.Brigada e I të kalojë e para në Malësitë e Gjakovës dhe të Pejës.Brigada e III ta ndjek të parën menjëherë dhe mundësisht të bjerë në kontakt me forcat e Kryeziut dhe ta detyrojë ate,të mbajë qëndrim.Me këtë të veprohet si me Muharrem Bajraktarin”.( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë, fondi 41 , dosja 158 , fleta 3 ).

Kur në Tiranë mbërijnë radiogramet e shtabit të Korparamtës së Parë Nacionalçlirimtare,rreth përpjekjeve për të bindur në bisedime Gani Kryeziun që të ingranohet në lëvizjen komuniste, atëherë qëndrimi i Enver Hoxhës bëhet krejt kategorik.Natyrisht duke patur parasysh edhe këshillat e mjeshtërve të Beogradit,ai dërgon radiogramin e dytë i cili përmblidhet : “Mos kërkoni më nga Ganiu të dorzohet,por me çdo kusht dhe me ashpërsi të sulmohet dhe të vritet.Duhet të veroni sa më parë,se Ganiut,mund t’i vijn në ndihmë kosovarët”(Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë, fondi 158 , fl 14 ).

Forcat e Korparamtës së parë,sulmuan pas shpine çetën kosovare të Kryezinjëve,me ç’rast vranë disa dhjetra bij të Gjakovës martire,ata mundën të zënë rob Said Kryeziun,oficerin anglez të ndërlidhjes Simkoks,si edhe Zai Fundon.Këtë të fundit,Shevqet Peçi e pushkatoi pa gjyq,ndërsa Saidi dhe Simkoks,falë ndërhyrjes së forcave aleate u dërguan në Bari të Italisë.Ndërkaq,duke bashkërenduar detyrat midis tyre,shtabet e Beogradit dhe Tiranës,përdorën tjetër mënyrë për eleminimin e Gani Beg Kryeziut.Duke iu trembur vrasjes së menjëhershme të këtij luftëtari të sprovuar nga ndonjë revoltë e popullit të Kosovës,ata rrethojnë kullën e tij në Gjakovë në janarin e vitit 1945 dhe kërkojnë të bisedojnë.Kur Ganiu zbret shkallëve,disa nacionalçlirimtarë shqiptarë,në marrëveshje me OZNËN jugoslave,i lidhin duart burrit të Gjakovës duke kërkuar që të dorëzoheshin edhe trimat e tjerë në kullë.Përballë qindra komunistëve të armatosur deri në dhëmbë,të cilët mbanin të rrethuar kullën,trimat e tjerë të Gani Beg Kryeziut dorëzuan armët duke menduar gjithsesi se nuk patën kryer asnjë faj ndaj kombit të tyre.Por ata kishin “tradhëtuar” Hoxhën dhe Titon,prandaj duheshin ndëshkuar.Në natën e ftohtë të 14 janarit 1945,ata trima të Gani Beg Kryeziut,pushkatoheshin në fshatin Hereç të komunës së Deçanit.Dergjeshin këtu midis gjakut;

“Hasan Kryeziu,Xhevat Kryeziu nga Gjakova,Selim Male Dula nga Paci,Brahim Musli Demaliaj nga Vladi,Shaban Sadik Saraçini nga Berisha,Shpend Zeqir Prengjoni bashkë të birin Sali Prengjoni,Uk Arif Prengjoni dhe Halil Prengjoni nga Zherka,Mete Rexhe Saraçini,Col Isuf Koka,Sadri Gjonpapaj nga Berisha,Sali Shpend Mujaja nga Paçi,Mus Avdyl Neza nga Liniqi,Mus Zenel Alimetaj,Ali Miftar Zhuta nga Kapeneku,Ram Osmani,Shpend Salili,Mehmet Musa nga Gashi,Smajl Sadik Koka nga Berisha,Rexhe Mehmeti nga Poci,Ahmet Ali Mehmetaj nga Vladi, Zenel Miftar Zhuta dhe Shaban Ali Bajrami nga Kepeneku”.(Gazeta “Albania”,9 nëndor 1995).

Masakra e Hereçit,është një tjetër akuzë për bashkëpunimin kriminal jugoslavo-shqiptar.Ndërsa heshtja që mbajti për këta shtetas të vet,vendos në bangën e të akuzuarve Hoxhën,Shehun, Peçin, Alinë dhe kriminelë të tjerë të këtij formati.Gani Kryeziut i bëhet një gjyq formal dhe dënohet me pesë vjet burg.Edhe në këtë rast vazhdoi djellëzia e komunistëve të Beogradit,të cilët nuk donin t’i jepnin dënimin me vdekje,ngase ia kishin frikën ende revoltave të popullit martir të Kosovës së pushtuar nga serbosllavët.

Ndonëse Gani Beg Kryeziu u dënua vetëm me pesë vjet,ky burrë trim, dhe nacionalist i flaktë nuk doli më kurrë nga burgu i tmerrshëm i Sremska Mitrovicës,ku më vitin 1951,prej torturasi shnjerzore mbylli jetën e tij,Pas tij u burgosën dhe kaluan nëpër kalvarin komunist krejt pinjollët e familjes Kryeziu si në jugoslavi ashtu edhe në shtetin amë.Ky ishte shpërblimi i kriminelëve për burrat e ndritur të Kombit tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat