-Ku janë sot ish fabrikat e cigareve Durrës, Shkodër dhe Gjirokastër?!

Dokumentare

-Ku janë sot ish fabrikat e cigareve Durrës, Shkodër dhe Gjirokastër?!

Nga: Albert Z. Zholi Më: 27 prill 2022 Në ora: 17:56
Albert Zholi

Rreth 9 vite më parë me agronomin Adem Dauti zhvillova disa intervista se si ishin organizuar ndërmarrjet bujqësore në sistemin monist. Duke qenë agronom dhe kryetar kooperative ai më sillte shumë detaje se si funksiononin ndërmarrjet dhe kooperativat bujqësore. Por mbas e shumë pyetjeve ai më dha disa shënime shumë interesante për kultivimin e duhanit. Askush sot nuk e merr me mend se çfarë rëndësie kishte kjo kulturë bujqësore në sistemin monist. Sipas agronomit Ademi atë kohë kishte tre fabrika moderne për prodhimin e cigareve, që eskportonin cigare të cilësisë së lartë në tërë Europën.

Përparësitë e mbjelljes së duhanit në regjimin komunist...

Së pari ishte se duhani aktivizonte shumë vende pune, madje dhe familjare dhe e dyta pasi duhani shitej në tregjet e jashtme shumë shtrenjtë, mund të them se ishte një ndër treget më të favorshme të tregtisë në sistemin socialist.

Duhani hapte vende pune familjare.

Shumë thjesht. Kryefamiljari çohej në mëngjes kur ishte periudha e vjeljes, dhe që ishte përcaktuar nga specialisti, mbushte disa kosha me fletë duhani dhe i çonte në shtëpi. Këto kosha gruaja dhe fëmijët i shkonin në vargje, i lidhnin dhe i çonin në magazinë dhe paguheshin me peshë.

A mund të vidhej duhani kështu? Kurrë. Kjo për shumë arsye, së pari pasi të gjithë fshatarët kishin në shtëpi aq rrënjë sa u duhej. Së dyti në atë kohë nuk kishte shije të duhanit, që mund të vidhej. Së treti edhe dikush që mund të vidhte, ishte ai që pinte duhan dhe do mirrte aq sa i duhej për vete, pasi s’kishte mundësira të tjera fitime dhe ajo masë që mund të merrte ishte e papërfillshme. Nga ana tjetër atëhere kontrolli ishte shumë i rreptë, sa nuk mund të bëhej një veprim i tillë.

Industria e duhanit.

Po kishte shumë përparësi. Mund të them se ishte një industri shumë përfituese saqë vetëm Elbasani mbillte 7 mijë deri në 8 mijë ha në vit. Pra vetëm tek rrethi i Elbasanit.

Ju do të thoni ku shkonte gjithë ky duhan?

Së pari dua të them se duhani jonë ishte shumë cilësor. Ndaj kërkohej shumë jashtë. Por duhani jonë së pari shkonte në fabrikat dhe uzinat e prodhimit të cigareve tek ne në Shqipëri dhe pastaj shkonte jashtë shtetit, ashtu i fermentuar, por i pa prodhuar si cigare.

Sa fabrika cigareje ishin në atë kohë?

Atëhere ishin tre fabrika të mëdha cigaresh, që kryesisht ishin të destinuara për eksport. Ato ishin në Gjirokastër, në Durrës dhe në Shkodër. Cigaret tona ishin mjaft cilësore dhe ato kërkoheshin shumë në tregun e jashtëm. Thuajse pjesa dërmuese e cigareve me filtër shkonte për eksport. Por kishim dhe uzina të fermentimit të duhanit, të cilat e nisnin ashtu të fermentuar duhanin për eksport. Duhani zinte rreth 30 përqind të eksportit shqiptar, pra një shifër mjaft e lartë.

Duhet të dini: Sa duhan prodhonte rrethi i Elbasanit?

Vetëm rrethi i Elbasanit prodhonte 7 mijë deri në 8 mijë ton duhan. Pra një shifër, që sot nuk mund të imagjinohet.

Duhani nuk kërkonte shumë shpenzime, më pak shpenzime materiale se kulturat e tjera, por donte shumë shpenzime në formë page, sepse kishte kohë përgatitje dhe vjelje. Psh nqs në një ha grurë, kërkonte 100-110 ditë pune në shkallë kombëtare, ndërsa për duhanin do harxhoheshin 600-deri në 700 ditë pune për një hektar.

Lind pyetja pse kërkonte kaq shumë, kaq shumë ditë pune?

Pasi gjethet e duhanit nuk priteshin në një ditë. Nqs gruri ose misri pritej në një ose 2 ditë, duhani zgjaste deri në 40 ditë, pasi gjethe të ndryshme priteshin në ditë të ndryshme, kur u vinte radha. Nuk mund të ishte e pjekur e gjithë bima në një ditë. Pra pritej ose hiqej ajo gjethe që zbehej e që mirrte një ngjyrë jeshile të hapët, ose kishte një ngjyrë dylli në majën e saj. Kur e shikonte specialisti kështu jepte urdhër për prerje.

Thuhej që duhani kishte para të madhe, ishte e vërtetë?

Shumë e vërtetë. Jo vetëm që eksportohej, pro dhe ajo mbushte shumë vende pune dhe në Shqipëri. Procesi i vjeljes zgjaste afërsisht dy muaj, që sillte dhe një punësim familjar si e thamë më lartë. Në Shqipëri kishte dalë një rregullore për duhanin, që ishte shpërndarë kudo në Ndërmarrjet Bujqësore dhe në Kooperativat, për kultivimin dhe ndarjen e saj në klasa. Duhani ndahej në 6 klasa, ku çdo klasë kishte çmimin përkatës. Kjo sipas kualitetit që arrinte deri në 376 lekë për kg të grirë, klasa e parë.

Doni të dini cila klasë dominonte tek ne?

Tek ne dominonte klasa e parë ku kilogrami ishte 200 lekë kilogrami. Kjo ishte masive. Por një kilogram duhan ishte afërsisht një ditë pune, pra punëtori mund të bënte deri në 6 apo 7 kg në ditë dhe merrte shumë pak: tjetrën e merrte shteti.

Po sot çfarë llogarie mund të bëhen me shitjen e duhanit?

Sot me sa kam dëgjuar (s’kam ndonjë letër me vulë) një firmë greke, që ka monopolin e blerjes së duhanit tek ne, po e blen duhanin afërsisht 1 mijë lekë të vjetra kilogramin. E kupton një kilogram duhen, që mund të bësh 100 paketa, shitet me një mijë lekë të vjetra, kur paqeta më e lirë shitet me 2 mijë lekë të vjetra. Pra një cigare kushton 100 lekë të vjetra. Aq sa në socializëm kushtonte gjysmë kg duhan i grirë. E kupton se çfarë metamorfoze! E çfarë do të fitojë me këtë çmim prodhuesi? Asnjë lekë. Mund të ketë humbje.

Me 100 lekë të asaj kohe njeriu blinte 6 paqeta cigaresh, ndërsa sot 1 cigare. E kupton 120 herë më shtrenjtë. Po a është rritur rroga sot 120 herë?

Po sot në Elbasan dhe në zonën e Dumresë që ishte një ndër prodhuesit, e duhanit, sot thuajse nuk prodhohet?

Pra e thamë sot nuk prodhohet, pasi nuk ka treg, nuk ka organizim, monopoli i firmës greke për blerje në shitje deri në 1 mijë lekë kg i grirë. Atëhere pse të prodhohet, kur duhani është kaq i kërkuar dhe blihet kudo në botë? Pra shteti nuk ka mundësuar, apo nuk i ka interesuar ky lloj prodhimi kaq i kërkuar. Pra është thjesht mosinteresim i shtetit, pasi është zaptuar nga monopolet çdo prodhim. Sot ne nuk prodhojmë dot as për tregun vendas ku shqiptarët janë nga pirësit më të mëdhenj të duhanit. Sot çdo gjë eksportohet.

Sot në Shqipëri nuk ka treg?

Jo, s;ka pasi nuk punon asnjë fabrikë, asnjë uzinë fermentimi. Ku do shkoj prodhimi. Ai duhet të jetë i organizuar. Kjo mbase ka shkaqe të fshehura.

Ku janë vendet kryesore të prodhimit të duhanit tek ne?

Janë në Malësinë e Madhe dhe në Dumre. Këto janë vendet kryesore, por ka dhe të tjera.

Kjo firmë si operonte në vendin tonë?

Pasi kishte marrë licencë nga qeveria jonë, ajo lidhi kontrata jo serioze pasi ashtu ishin kushtet e vendit tonë në fillimet e demokracisë. Kjo firmë greke dha një mundësi në fillimet pasi për krizën tonë 4 mijë lekë kg ishte e mirë, por më vonë ato e çuan deri në blerje falas. Pra sot një kg duhan gati për treg, pra në deng, është 1 mijë lekë kg, ku punëtori nuk shet as krahun e punës dhe jo më fitimin, kur nga një kg duhan sot bëhen 100 paqeta dhe fitimi është kolosal.

Sa kuintal për ha duhan prodhohet në vendin tonë?

Në vendin tonë, nuk prodhohet më shumë se 10 kuintal për ha, kur në grurë arrihet 50 kv për ha dhe misër deri në 100 kv për ha. Vetëm në raste të rralla, të një kultivuesi shumë cilësor, prodhimi mund të arrijë deri në 15 kv për ha. Por këtu ndryshon çmimi. Ndërsa për grurin është 600 lekë për kg, duhani shkon dhe 50 mijë lekë për kg.

Sa fiton një fermer duhani me çmimin 1 mijë lekë kg?

Po ja bëjeni llogari në një ha 100 kg, dmth 1 milionë lekë për gjithë vitin. A është fitim ky? Po a e dini se sa kohë fizike dhe sa mund do ky prodhim? Një fitim apo humbje? Pra fitim nuk ka, por del me humbje. Një diçka duhet të dihet, vetëm punimi i tokës me traktor, kushton për një ha 300 mijë lekë. Plus që një ha do 300 ditë pune, atëhere fitim nuk ka fare.

Po firma greke nuk jepte asnjë ndihmë?

Firma jepte vetëm afron dhe plehun, kaq. Të tjerat i ka fermeri. Por me këtë fitim a i intereson atij të prodhojë?

A ka parapërgatitje për duhanin?

Sigurish, këtu është dhe harxhimi më i madh. Pikërisht duhani ka fazën parapërgatitore për farishten, pastaj mbjellja, rritja, vjellja, lidhja, fermetimi, pra një prodhim zgjat më shumë se 12 muaj, më shumë se një vit.

A dilte me fitim duhani në kohën e sistemit komunist?

Duhani në atë sistem ishte kultura më rentabël. Kultura më fitimprurëse nga të gjitha prodhimet ishte duhani. Kërkonte shumë krah pune dhe kishte çmim të lartë. Ndaj sot fermeri s’ka më interes të prodhohet.

Sa përparësi i jepte sistemi komunist duhanit në raport me produktet e tjera bujqësore?

Mund të themi që duhani dhe ulliri ishin si mund të themi monopole të qeverisë së asaj kohe. Ato kishin rëndësi të veçantë si drithërat e bukës. Këto prodhime kryesisht ishin të destinuara për eksport.

Ku është problemi kryesor i duhanit, në aspektin e tregëtisë së tij?

E para që shteti nuk është interesuar apo e ka bërë monopol të një firme, e dyta çmimi i afruar në treg shumë, shumë i ulët thuajse falas. Ja sot tek Tregu i ri gjen duhan të hapur me 50 mijë lekë kg, kur firmat e huaja duan ta blejnë gjysmën e çmimit, që kushton një paqetë. Një kg duhan prodhon 1 mijë cigare, pra ajo shitet po kaq herë më lirë.

Fabrika e cigareveABRIKA “TELAT NOGA” Durrës
 

Fabrika më e madhe e cigareve të vendit, mbetej ajo e Durrësit e ngritur nga rikonstruksioni i fabrikës së vjetër i “Stamles». Megjithëse ishte një fabrikë e madhe me rreth 250 punëtorë, nga krijimi (1924) dhe deri në Çlirimin e vendit, kishte ende karakterin e një punishtjeje, ku me përjashtim të grirjes dhe prodhimit të cigareve, të gjitha proceset e tjera të punës kryheshin me dorë. Punëtorët e «Stamles» -it kanë bërë disa greva, kanë qenë pjesëmarrës të demonstratave e të Luftës ANÇ, gjatë së cilës kanë rënë disa dëshmorë, ndërmjet tyre edhe Telat Noga, militant komunist emrin e të cilit mbajti kjo fabrikë pas shtetëzimit më 1945. Në vitet 50 fabrika u zgjerua dhe u pajis me makineri të reja, u shtua prodhimi dhe më 1957 filloi edhe eksporti i cigareve. Rikonstruksioni i plotë i fabrikës, që përfundoi më 1961, përmirësoi rrënjësisht të gjithë teknologjinë e prodhimit duke mekanizuar dhe automatizuar pjesën më të madhe të proceseve të punës. Më 1966 filloi prodhimi i cigareve me filtër. Në krahasim me v.1938 prodhimi u rrit 57 herë. Ndër cigaret më të njohura ishin: «Arbëria», «DS», «Porti», «Riviera», «Apollonia», «Gent», «Tirana» etj. M’bi 85% e prodhimit eksportohej.

Ku shkuan fabrikat e famshme?

Në vitin 1947 të gjitha fabrikat ekzistuese në Shqipëri u shtetëzuan, shumica u mbyllën, ndërsa më të mëdhave (si S.T.A.M.L.E.S.), iu ndryshua emri dhe u modernizuan. Gjatë regjimit komunist kishte katër fabrika cigaresh që funksiononin në Shqipëri: Fabrika e Tiranës (njohur me emrin "Flora", e cila u mbyll në vitet 1960), Fabrika e Durrësit, Fabrika e Shkodrës dhe Fabrika e Gjirokastrës. Fabrika e Tiranës dhe e Gjrokastrës prodhonin cigare për tregun e brendshëm, ndërsa Fabrikat e Durrësit dhe Shkodrës prodhonin cigare edhe për tregun e brendshëm edhe për eksport. Gjatë viteve 1960 Shqipëria nisi të eksportojë cigare në gjithë vendet e Europës Lindore, në veçanti në Hungari, Poloni, Çekosllovaki, dhe Republikën Demokratike Gjermane. Në vitet 1980 shumica e cigareve të prodhuara në Shqipëri eksportoheshin pasi ky ishte një burim i mirë valutor. Gjatë viteve 1980 Fabrika e cigareve në Durrës nisi prodhimin e disa markave nën liçencën e Bulgartabac (Arda dhe Steuardess) dhe nënshkroi marrëveshje me Monopolin Polak të Cigareve për prodhimin e cigareve "Dukat", të bëra me duhan polak për t’u eksportuar më pas vetëm në Poloni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat