Përkujtimore në 96 - vjetorin e lindjes dhe 4-vjetorin e vdekjes

Dokumentare

Përkujtimore në 96 - vjetorin e lindjes dhe 4-vjetorin e vdekjes

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 28 korrik 2022 Në ora: 10:42
Prof. Dr. Nikollë Ujkaj

Më 16 janar të këtij viti janë mbushur katër vite të ndarjes nga jeta, në moshën 92-vjeçare të bashkëvendësit tim, Prof. Dr. Nikollë Ujkaj, njëri ndër pedagogët më të njohur nga Malësia e Madhe në Universitetin e Prishtinës. Për punën e tij të palodhur shumë produktive , shkencore dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm dhe të çmuar në qarqet shkencore në Kosovë dhe më gjerë për fat të keq dihet fare pak, ashtu siç ndodh me shumë personalitete tjera shkencore nga Malësia , të cilët pjesën më të madhe ose krejt veprimtarinë e vet e kanë ushtruar larg vendlindjes, jashtë Malit të Zi, në Kosovë, Shqipëri e shtete tjera.

Fatin e hidhur të shumë figurave të shquara shqiptare të cilët që nga fëmijëria e hershme u detyruan të lënë familjen dhe trojet stërgjyshore të shkollohen, arsimohen dhe të punojnë larg vendlindjes e pati edhe Nikollë Ujkaj, i cili u lind në vitin 1926 në fshatin Cem të Trieshit, në një familje të njohur trieshjane ( shqiptare) nga fshati Bëkaj të Trieshit. Babai tij Sokol Luci Ujkaj ( 1888-1955) , ka qenë ndër të rrallët malësorë të shkolluar të asaj kohë. Ai ka kryer shkollën e oficerëve në Cetinë dhe ka pasur gradën kapedan i klasit të parë. Ishte organizator dhe pjesëmarrës i luftës kundër ushtrisë turke në vitin 1912 me malësorët ( shqiptarët) në Malësi, në rrethimin e Shkodrës, në Kosovë dhe vende të tjera.

Shkollimi fillor i mesëm dhe universitar

Nikollë Ujkaj u shkollua jashtë vendlindjes dhe gjirit familjarë. Shkollën fillore e përfundoi me sukses të shkëlqyer në fshatin Rahojë të Kuçit në gjuhën jo amtare. Me të njëjtin përkushtim dhe sukses kreu gjimnazin në Tivar, prej ku vazhdon mësimet dhe studimet në Prishtinë (Kosovë), në Nish ( Serbi) , në Shkup ( Maqedonia e Veriut), në Beograd ( Serbi) dhe në Romë (Itali).

viti 1952-54 përfundoi studimet si student i gjeneratës në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Nish – dega Gjeografi-Histori . Në vitin 1960 u diplomua në Fakultetin e Shkencave Natyrore, në Shkup në Katedrën e Gjeografisë . Në vitin 1967 përfundon studimet pasdiplomike në Fakultetin e Shkencave Natyrore në Beograd, në , në të cilin mbrojti edhe magjistraturën në lëmin e turizmit “ me temë “ Komuna dhe Turizmi” . Po në këtë universitet mbrojti tezën e doktoraturës me titull “ Valorizimi ekonomik i mundësive potenciale të zhvillimit të turizmit në regjionin e Pejës” në vitin 1973”.

Në vitin 1984 qëndron në Romë të Italisë , si bursist i qeverisë italiane, ku gjurmoi dhe projektoi punimin shkencor” Zhvillimi i turizmit në Itali dhe mundësimi i planifikimit të ofertës turistike të Jugosllavisë në tregun italian”.

Kontributi dhe aktiviteti i tij profesional dhe shkencor

Dr. Nikollë Ujkaj gjatë punës dhe karrierës të tij të suksesshme afro dyzet vjeçare ka ushtruar detyra të ndryshme dhe ka mbuluar pozita të rëndësishme në disa institucione me rëndësi në Kosovë, Serbi e Maqedoninë e Veriut dhe në Tuz ( Malësi). Ka punuar si sekretar dhe edukator në Gjimnazin e Prishtinës dhe në Drejtoratin Krahinor për Arsim dhe Kulturë. Ishte njëri prej themeluesve të Bibliotekës Krahinore, e cila me themelimin e Universitetit të Prishtinës u shndërrua në Bibliotekën Universitare. Ka punuar si mësimdhënës në Shkollën Ekonomike në Prishtinë dhe në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë . Një vit shkollor ka punuar edhe në Shkollën Fillore “ Mahmut Lekiq” në Tuz, pastaj në Shkollën Fillore “ Liria” në Shkup, ndërsa në vitin 1963 zgjidhet si ligjërues në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë dhe pastaj gradualisht avancohet si ligjërues i lartë, prof.inordinar dhe prof. ordinar. Në këtë universitet ka dhënë lëndën “ Ekonomika e Turizmit”. Ka qenë shef katedre për degën ekonomike të këtij fakulteti. Njihet si pedagog me kulturë të gjerë dhe njohuri të thella profesionale .

Dr. Nikollë Ujkaj ka qenë i angazhuar edhe në organizata turistike të Kosovës, Serbisë dhe Jugosllavisë. Ka qenë anëtar i Lidhjes Turistike të Kosovës, Serbisë dhe i sesionit të punonjësve shkencorë në turizëm pranë Lidhjes Turistike të Jugosllavisë. Në të gjitha këto detyra me rëndësi shoqërore dhe qeverisëse me përgjegjësi dhe me përgjegjësi ai derdhi tërë energjinë e vet intelektuale e kombëtare e derdhi në të mirën e institucioneve ku ka punuar. Ishte autor i afro 50 punimeve shkencore , të cilat i ka botuar në revista të ndryshme më të njohura të asaj kohë, si: “ Rilindja”, “ Përparimi” ( Prishtinë), “ Štampa” e Beogradit e të tjera.

Me punën e tij të palodhur shumë produktive dhe shkencore, me mendjen e tij prodhuese e origjinale të shkencëtarit la vulën e vet për kohën në të gjitha vendet ku ka punuar dhe vepruar. Për kontributin e tij të madh në fushën arsimore dhe shkencore është dekoruar me Medaljen për Punë me Kurorë të Artë nga Kryesia e Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë dhe me Pllakatën e Artë nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës .

Largimi nga Universiteti i Prishtinës

Duke e ditur dhe vlerësuar Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës si institucion të rëndësishëm arsimor , kulturor dhe shkencor në Kosovë, për popullin shqiptar Prof. Dr. Nikollë Ujkaj , tërë potencialin e vet intelektual e vuri në shërbim të këtij fakulteti dhe kontribuoi në afirmimin dhe rritën e tij. Gjithmonë, që nga ditët e para të punës së tij në universitetin e Prishtinës qëndroi pranë tij , u ngarkua me punë e obligime, por edhe hapte detyrime e angazhime për të tjerët, me qëllim të përparimit shkencor dhe mbrojtjes së këtij institucionit të cilin e donte shumë, posaçërisht në periudhën më të vështirë dhe më dramatike të jetës dhe të rritës së tij, siç ishte periudha e pas vitit 1990 e këndej, kur Serbia u vërsul me të gjitha mjetet dhe metodat për zhbërjen e tij dhe për zhbërjen e arsimit dhe kulturës shqiptare në përgjithësi, siç do ta vërtetojnë ngjarjet në vijim, sidomos dhuna, terrori dhe gjenocidi shtetëror serb i vitit 1998/1999 ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

doktor Ujkaj , sikur të gjithë kolegët e tij shqiptarë në Kosovë e kishte të qartë se Serbia komuniste ishte duke u përgatitur për një fushatë të egër ndaj shkollës shqipe në përgjithësi dhe Universitetit të Prishtinës në veçanti. Ai përjetoi çaste të vështira nga metodat e më të vrazhdët e brutale të regjimit okupues serb të Millosheviqit, terrorit policor ushtarak mbi rininë shqiptare të Kosovës, mbi shkollën shqipe dhe vlerave të ndritshme të popullit shqiptar. Në këto rrethana të tmerrshme të dhunës dhe shkatërrimit të të të gjitha themeleve të shkollës shqipe, të cilat ishin bërë halë në sy për forcat pushtuese serbe, të cilat universitetin e Kosovës vazhdonin ta quajnë “bastion, kështjellë, vatër…” e nacionalizmit dhe seperatizmit shqiptar, e përjashtuan atë nga puna, në vitin 1991 bashkë me profesorët e tjerë shqiptarë të Universitetit të Prishtinës. Pas pensionimit kthehet afër vendlindjes në Mal të Zi, në Budvë bashkë me bashkëshorten, vajzën dhe mbesën. Gjatë qëndrimit të tij në këtë qytet bregdetar angazhohet për të dhënë kontributin e tij profesional e shkencor në Shoqatën “ Adhuruesit e lumit Cem” , e cila kishte për qëllim mbrojtjen ruajtjen dhe valorizimin e këtij margaritari të natyrës, ku ai ruante kujtimet e para të jetës së tij. Vdiq më 16 janar 2028, ndërsa u varros në varrezat familjare në Cem të Trieshit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat