Abas Fejzullahu ideal jetësor e pati edukimin e brezave dhe bashkimin e trojeve tona të ndara

Dokumentare

Abas Fejzullahu ideal jetësor e pati edukimin e brezave dhe bashkimin e trojeve tona të ndara

Nga: Arif Ejupi Më: 4 dhjetor 2022 Në ora: 23:45
Abas Fejzullahu

Abas Fejzullahu, mësues dhe edukator që vite me radhë përhapi dritë dhe njohuri në fshatrat e thella malore të Sharrit dhe Prizrenit, lindi më 15 prill të vitit 1946 në fshatin Shupkovc të Mitrovicës së Kosovës.

Ai katër klasat e para të fillores i kreu në vendlindje, ndërsa klasën e-V-VI-VII-dhe VIII-të, i përfundoi në shkollën “Meto Bajraktari “të qytetit të Mitrovicës.

Edhe pse pakushte elementare dhe me disa lëndë mësimore në gjuhën serbe Fejzullahu do të jetë në mesin nxënësve të mirë të gjeneratës së tij.

Gjendjen e tij materiale do ta përkeqësojë edhe më tepër përjashtimi nga puna i babait të tij Rrahimit,i cili punonte si xehetar në Minierën e Stantërgut.

Abasi si fëmijë 10 vjeç do t’i shohë edhe tmerret e dhunës dhe terrorit mbi fshatarët e kësaj ane.

Në dimrin e ashpër të vitit 1956 që karakterizohej me temperatura të ulëta dhe mungesë të çdo gjëje, ultra-shovinisti serb Aleksander Rankoviq, gjatë këtyre viteve Ministër i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, trillon vetëm ndër shqiptarë aksionin famëkeq të grumbullimit të armëve.

Nëpërmjet bastisjeve dhe formave të tjera të shpifjes dhe të trillimit banorët e këtij rajoni do të rrahën, burgosen dhe përndjekjen nga trojet e tyre për armët që nuk i kishin fare.

Në mesin e burrave të keqtrajtuar rëndë ishte edhe Rrahim Nuradin Fejzullahu, i ati i Abasit.

Z.Abas Fejzullahu, veteran i Arsimit në Kosovë dhe mërgatë këto sjellje shtazarake të atij regjimi barbar edhe pse kanë kaluar 66-vjet me shumë mllef e indinjatë i kujton edhe sot.

Ato skena tmerri i përfytyrohen sikur të kishin ndodhur dje. Shumë burra të regjionit të Mitrovicës që me punën e mundimshme të minatorit mezi i mbanin fëmijët e tyre me bukë pa arsyen më të vogël përjashtohen edhe nga puna.

Veç kësaj, nën pretekstin e mbajtjes së padeklaruar të armëve rrahën mizorisht nga policia serbe.

Të sakatuar gjymtyrësh lidhen nëpër trungje pemësh, ku nga i ftohti i madh disa edhe vdesin.

Fejzullahu me plotë bindje pohon që ky terror ishte i parapërgatitur me hartim elaboratesh të veçanta nga akademikët serbë si:Vasa Cubriloviq,Jovan Cvejiq,Ivo Andriq; Dobrica Qosiq, dhe kallogjerët zhyllana të Kishës ortodokse serbe.

Ata qëllim kishin vazhdimin e projektit të tyre të lënë në gjysmë të rrugës për shpërnguljen edhe të 400 mijë shqiptarëve në Turqi.

Sipas këtij skenari të kobshëm Kosova do të spastrohej nga shqiptarët. Ata pak shqiptarë të mbetur në trojet e tyre të ballafaquar me dhunë të vazhdueshme do të asimiloheshin ngjashëm me ata të Sanxhakut të Pazarit të Ri,Tutinit, Rozhajës,Plavës dhe Gucisë.

Përkundër kësaj situate të rëndë Fejzullahu në shtator të vitit 1963 do t’i nisë mësimet në gjimnazin “Silvira Tomazini”të Mitrovicës (tani Frang Bardhi)

Ai me vullnet të çeliktë dhe moral të lartë dhe i motivuar nga ish-Arsimtari i tij i Matematikës në tetëvjeçare Veton Gjinaj, edhe në gjimnaz do të tregohet i suksesshëm.

Ndërkohë në këtë gjimnaz do të punojë edhe z. Veton Gjinaj, të cilin Fejzullahu edhe sot e kujton me pietet, duke e cilësuar si pedagog shembullor dhe me merita të veçanta në edukimin e tij.

Gjinaj që pikësynim e kishte suksesin në punën me nxënës pak kohë do të qëndrojë në këtë gjimnaz.

Udhëheqësit e kësaj shkolle që në masë ishin serbë e malazezë dhe që dominonin në jetën publike në marrëveshje me Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Mitrovicës e përjashtojnë Gjinajn, nga procesi mësimor si të “papërshtatshëm në edukimin e gjeneratave të reja.”

Gjinaj nga gjimnazi “Silvira Tomazini” përjashtohet vetëm pse ishte i vëllai i mësuesit dhe patriotit të njohur Bedri Gjinaj.

I gjithë pushteti sllavo-komunist Gjinajt i kishte halë në sy ,sepse ata më të gjitha mjetet ishin vënë në mbrojtje të qenies shqiptare.

Veton Gjinaj edhe pse ishte profesor i Matematikes, çdoherë printe në organizimin e aktiviteteve të lira, si në shkollë ashtu edhe jashtë saj.

Serbë e malazezë sikur në të kaluarën ashtu edhe në etapat e mëvonshme synonin administrimin e Kosovës, posaçërisht të Mitrovicës, e cila kudo njihet me pasurit e saj minerare dhe ujore.

Serbia edhe sot bën luftë dreqi dhe mundohet që Kosovës t’ia shkëpusë këtë pjesë të territorit pa menduar asnjëherë që ajo si shtet është krijuar në shtratin e shqiptarëve autokton.

Në mënyrë që fëmijët shqiptarë të irritohen nga vazhdimi i shkollave të Mesme një pjesë e lëndëve mësimore në gjimnazin e Mitrovicës, thotë Fejzullahu mbaheshin në gjuhën serbe dhe ligjërues të tyre ishin serbë, malazezë, rusë e bullgarë.

Fejzullahu dhe 23 nxënës të tjerë të klasës së IV-2, që i takojnë brezit të dymbëdhjetë të maturantëve të gjimnazit “Silvira Tomazini” të Mitrovicës, kujdestar klase e kishin njëfarë Budislav Nikitin, që e jepte lëndën e Bazave të Arsimit teknik.

Abasi thotë edhe pse mbretëronin doke dhe zakone të mbrapshta që e penguan tej mase ecjen tonë përpara gjimnazin e kryen edhe nxënëset Dashurije Hoti dhe Lutfije Morina.

Roli i mësuesit të vërtetë shqiptar në atëkohë shihet tek paralelja e IV-1,e z.Bedri Shukri Deda, arsimtar i gjuhës frënge.

Në klasën e tij përveç 22 djemve gjimnazin e përfundojnë edhe shtatë vajza shqiptare,si:Ajshe Mehmeti,Bahrije Berisha,Hajrije Bajgora,Sabile Mripa,Shqipe Hoxha,Sebahate Raça dhe Myjeser Nici.

Abas Fejzullahu,si ish-nxënës i kësaj vatre të dijes deri në vdekje do ta ruajë respektin për mësimdhënësit e dalluar si: Skënder Skënderi-Zasella, Latif Berisha, Murat Bejta, Shinasi Korenica, Bedri Shukri Deda, Fahri Beqiri, Bejtullah Bejtullahu, Ali Topalli, Lah Nimani, Jakup Abrashi etj, të cilët më punën e tyre të palodhshme lanë gjurmë të pashlyeshme në Shkencë, Kulturë, Art e Sport.

Në vitet në vijim secili nga ish-mësimdhënësit dhe nxënësit e dikurshëm të gjimnazit të Mitrovicës, do të japë kontributin e tij të çmuar edhe në rriten dhe zhvillimin e Universitetit të Kosovës.

Fryt i punës së këtij gjimnazi është edhe Vjosa Raif Osmani, Presidente aktuale e Republikës së Kosovës.

Fill pas kryerjes së gjimnazit Abas Fezullahu shkon në Normalen e Prizrenit, ku kualifikohet si mësues i klasave të ulëta.

Image

Ai në shtator të vitit 1967 pranohet mësues në shkollën fillore “Muharrem Bekteshi” të Hoçës së Qytetit, qendër e fshatrave të Vërrinit.

Me insistimin e tij të vazhdueshëm po këtë vit në fshatin Lubiçevë hapet klasa e V-të, si paralele e ndarë fizike e asaj në Hoçë të Qytetit.

Fejzullahu duke parë mos frekuentimin e vajzave të kësaj zone pas kryerjes së katër klasave të fillores, rend derë me derë për t’i i bindur prindërit që edhe femrat shqiptare duhet vazhduar me shkollimin.

Në të kundërtën thotë ai po u bënim argatin armiqve tanë, të cilët na donin të paarsimuar, të nënshtruar dhe të zhytur në prapambeturi.

Kjo përpjekje e tij në të mirën e popullit shqiptar bëhet shkas dhe Fejzullahu kërkohet nga UDB-a ,jugosllave dhe shërbëtorët e saj.

Ai për të humbur tragë strehohet në fshatin Bresanë të Sharrit. Si djalë 22 vjeç dhe me vrull rinor për punë edhe këtu nuk qëndron duarkryq.

Me përkrahjen e parezervë të fshatarëve përparimtarë të këtij lokaliteti Abasi edhe në Bresanë do të punojë si mësues. Por, papritur ai do të bije në konflikt me të përkëdhelurin e pushtetit jugosllav Nazif Nezeri.

Ai si shef i Zyrës së vendit në fshatin Bresanë, njëkohësisht edhe sekretar i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, rrethi i Opojës, do të bëjë provokime dhe shantazhe nga më të ndytat ndaj mësuesit të rinj Abas Fejzullahu.

I nxitur nga strukturat më të larta të LKJ-së, Neziri vazhdimisht do t’i cenojë të drejtat elementare të djaloshit mitrovicas Abas Fejzullahu.

Nga Aktgjykimi i cili përpara lexueseve vjen me pëlqimin e Z.Fejzullahu do të shihen shkelje drastike të të drejtave të tij, nga regjimi komunist i ish-Jugosllavisë.

Padrejtësia mbërrin kulmin ku përveç shqetësimeve psikike që i bëhen i kumtohet edhe lajmi për përjashtim nga puna.

Fejzullahu do të mbetet pa të ardhura dhe i kërcënuar çdo ditë që pas largimit nga puna do të pasojë kundër tij edhe dënimi me burgim.

Ai një kohë mbetet i papunë, ku kundër kësaj çmendurie paraqet ankesë në forumet më të larta të Drejtësisë në ish-Jugosllavi.

Në formulimin e ankesës pangurruar fare do ta ndihmojë juristi dhe avokati i njohur kosovar Ali Qosaj.

Ndërkaq, pa rënë në sytë e komunistëve serbë e malazezë dhe veglave të tyre, këshilla dhe udhëzime se si duhet mbrojtur gjatë hetuesisë i ofron z. Rrezak Shala, të cilin regjimi i atëhershëm i ndihmuar edhe nga disa komunistë shqiptarë të Kosovës e largon nga të gjitha pozitat udhëheqëse, me arsyen se Shala po i rrezikon themelet e Jugosllavisë.

Rrezak Shala me përgatitje jurist i diplomuar është nga intelektualët e parë shqiptarë në Kosovë që haptas kërkon avancimin e statusit të Kosovës në Republikë të shtatë të Jugosllavisë.

Image

Fejzullahu si Qosajt ashtu dhe Shalës u është mirënjohës, sepse falë këshillave, udhëzimeve dhe ndihmës së tyre të pahile ai i shpëton dënimit me burgim të rëndë.

Pas kësaj amnistie Abasi edhe pse në kushte të rënda pune dhe terren të përthyer në shtator të vitit 1972 e rifillon punën e mësuesit në Sreckë të Prizrenit.

Disa shokë e miq të tij që e njihnin edhe më herët si në shaka i thonë “paske ikur nga shiu për të përfunduar në breshër”

Ata aludojnë në kolonët serbë të këtij rajoni të cilët të instrumentalizuar nga Beogradi, pengojnë çdo nismë të shqiptarëve si në hapje të shkollave, bibliotekave dhe shoqërive kulturore e sportive.

Në këtë zonë malore me bukuri të rralla dhe me pamje që të bëjnë për vete Abasi e kryen punën e mësuesit me shumë dashuri. Në mungesë të objekteve të banimit ai së bashku me të shoqen po ashtu mësuese dhe tre fëmijët e tyre të vegjël Dardanin, Arbenin dhe Bardhylin banojnë me qira në Mejtepin e xhamisë së fshatit Mushnikovë.

Në ambientet e këtij Mejtepi me familjen e tij banonte edhe Hamit Aliu, nga Caparci i Prezrenit, që në Mushnikovë bënte punën e bariut.

Fejzullahu asnjëherë nuk do ta harrojë kontributin e Hamit Aliut. Ai çdoherë gjakftohtë e i përmbajtur i vrojtonte me vëmendje lëvizjet e njerëzve të UDB-së, jugosllave nëpër Mushnikovë.

Me të hetuar situata me rrezik serioz menjëherë e kontaktonte Abasin dhe i thoshte që të bëjë kujdes.

Derisa kjo shkollë vepronte në kuadër të shkollës tetëvjeçare të Sreckës, provokimet s’ kishin të ndalur.

Përpos, Abasit njerëzit e UDB-ës, e mbanin në shënjestër edhe Mehmet Smajlin,kryeorganizator i hapjes së shkollës shqipe në Mushnikovë.

Mehmeti i njohur nga banorët e zonës së Sharrit më tepër si Mehmet Xhyla, më 1973 nga persona anonim do të kërcënohet edhe nëpërmjet kësaj letre të shkruar në gjuhën serbe.

Sipas Fejzullahut këta individë gjithsesi ishin të njohur për pushtetin sllavo-komunist, i cili vijimisht ndaj shqiptarëve bënte marifete të tilla.

Mehmeti, Abasi , Memshi , Muhameti, Rasimi , Hmiti etj, edhe pse përcillen në çdo hap nga Sigurimi i Fshehtë i Jugosllavisë, dhe veglat e tij , që në këto anë ishin me bollëk, në asnjë mënyrë nuk zmbrapsen nga mbrojtja e Shkollës me Mësim në Gjuhën Shqipe në Mushnikovë të Sharrit.

Banorë e këtij regjioni që nën tehun e shpatës dhe bajonetave u deklaruan nga shqiptarë në goranë e vlerësojnë lartë angazhimin e tyre, sidomos të mësuesit Abas Fejzullahu.

Ata thonë “përveç dëshirës për ta arsimuar popullin e tij Abasi askujt nuk i bënte keq. Ai ishte komunikues dhe i gatshëm për t’i ndihmuar të gjithë njerëzit hallexhinj.”

Fejzullahu ngjashëm me Migjenin që i kishte ndritur zonat e pashkelura të Shqipërisë së Veriut, duke iu mësuar shkrim e lexim fëmijëve shqiptarë do të arrestohet prapë nga UDB-a, jugosllave në fillim të prillit të vitit 1981.

Përveç këtij ndëshkimi Abasi do të mbahet një muaj në burgun e Lipjanit së bashku me kolegët e tij Rexhep Buçaj, Salajdin e Qemail Braha, Eqrem Kryeziu, Azem Mazreku, Eshref Kuki, Sali Bajra, Sabit Kastrati, Jetish Rekaliu, Met Shatri, Hysen Xërxa, Hysni Kallabaku, Agim Paçarizi, Dervish Çadraku, Rexhep Balidemaj , Zekë Berisha, Kadri Halimi e shumë e shumë të tjerë.

Në mesin e të izoluarëve dhe të burgosurve në burgun e Lipjanit kishte edhe nxënës e nxënëse të shkollave të Mesme të Kosovës.

Edhe pse kanë kaluar 41-vjet nga ajo kohë Abas Fejzullahu edhe shokët e tij e kujtojnë edhe rastin kur një polic e godet me shufër gome pamëshirshëm një nxënës të mitur, vetëm pse ai kishte marrë pjesë në demonstratat e mbajtura në Rahovec.

Jetish Rekaliu, njëri nga mësuesit e parë të viteve të pasluftës së Dytë Botërore në Llap, që këtë profesion e kreu deri në vdekje si i izoluar në burgun e Lipjanit, i prekur nga kjo skenë e turpshme kërcen nga dritarja dhe më tërë forcën e godet policin. Me këtë rast nga goditja e fuqishme e Jetishit, polici përplaset përtokë.

Jetish Rekaliu ,vërtetë ishte një burrë trupgjatë dhe i fuqishëm . Pamja e tij t’i kujtonte tregimet mbi kreshnikët shqiptarë.

Fejzullahu krejt vonë e kupton që Jetish Rekaliu ishte babai i Xheladin Rekaliut, njërit nga kryeorganizatorët e demonstratave të vitit 1968.

Abasit që me shpirt u angazhua në organizimin dhe mbarëvajtjen e Mësimit në Gjuhën Shqipe, me Aktvendimin numër 270 /1 të datës 4 shtator 1981,do t’i ndalohet përgjithmonë puna në Arsim.

Meqë, i ishte ndaluar puna me nxënës ai detyrohet që të punojë në Industrinë e Tekstilit “Printeks” të Prizrenit, si llogaritës i normës.

Në këtë fabrikë me mbi 2600 punëtorë ai do të qëndrojë shtatë-tetë vjet. Nga dëshira që t’i mbrojë ashtu siç duhet të drejtat e punëtorëve shqiptarë Fejzullahu në këtë organizatë do ta kryejë me sukses edhe funksionin e Sekretarit të Sindikatës së Pavarur.

Punëtorët duke vërejtur përkushtimin e tij në mbrojtjen e të drejtave të tyre në Kuvendin e ardhshëm zgjedhor ia besojnë edhe detyrën e Kryetarit të Sindikatës

Duke parë dëmet kolosale që ia shkaktonin serbë e malazezë këtij gjiganti të njohur të tekstilit më 5 tetor të vitit 1990,në javoren “Zëri” të Prishtinës, Fejzullahu boton shkrimin “ KUSH JANË VARRËMIHËSIT E “PRINTEKSTIT”?!..

Ai si një sindikalist i vërtetë në këtë shkrim i denoncon me emër e mbiemër të gjithë keqpërdoruesit dhe plaçkitësit e kësaj fabrike të njohur në ish-Jugosllavi dhe jashtë saj.

Në vitet e 90-ta, emërohet Sekretar ekzekutiv i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të komunës së Prizrenit.

I prekur shpirtërisht nga padrejtësitë dhe gjendja e mjerë e minatorëve të Trepçës të ndjekur me dhunë nga vendet e tyre të punës Fejzullahu me një grup aktivistësh jetëson aksionin gjithëkombëtar “Familja ndihmon familjen”.

Edhe sot të gjithë pajtohen që ky Aksion ishte ndër më të frytshmit. Me prani dhe konstatim të drejtpërdrejtë të gjendjes familjet e ndihmonin njëra-tjetrën.

Image

 

Aksioni dallonte nga të tjerët sepse nuk ekzistonte kurrfarë mundësie e abuzimit apo keqpërdorimit. të mjeteve, qofshin ato në të holla, ushqime apo veshmbathje.

Kishte raste kur familjet edhe miqësoheshin në mes veti. Me shkuarjen në vendet e Perëndimit shumë familje e kujtojnë këtë përkrahje.

Djemtë apo vajzat e tyre gjatë luftës së viteve 1998-1999,në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Kosovë Lindore, i mbështesin miqtë e tyre të dikurshëm, që në ditë kritike ua kishin zgjatur dorën e ndihmës.

S’duhet harruar që armiqtë i pengonte veprimtaria e gjithanshme e mësuesit të popullit Abas Fejzullahu.

Andaj, më 20 mars të vitit 1989, ai prapë izolohet së bashku me shumë intelektualë të tjerë shqiptarë të viseve të ndryshme të Kosovës.

Me të kthyer nga izolimi Fejzullahu organizohet në Strukturat e Sistemit Paralel të Republikës së Kosovës.

Ai brenda këtyre bërthamave do të veprojë deri më 5 gusht të vitit 1993, kur herët në mëngjes i rrethohet shtëpia e tij në Prizren nga inspektorë e policë serbë.

Duke e parë rrezikun serioz të arrestimit dhe frikën që nga dhuna e shfrenuar serbe mund t’i zbulojë shokët për disa muaji kalon në ilegalitet në Shkup, Kërçovë, Tetovë, Gostivar e Strugë.

Me përkeqësimin e gjendjes në Maqedoninë e Veriut detyrohet të kaloj në Shqipëri, ku qëndron deri në shkurt të vitit 1996.

Si një humanist i rrallë që ishte gjatë qëndrimit në Shqipëri do t’i orientojë shumë të rinj nga Kosova, Maqedonia, Presheva e Medvegja për regjistrim në Fakultete të ndryshme të Universitetit të Tiranës.

Po ashtu interesohet për sistemin e tyre në konvikte e banesa private dhe gjetjen e ndonjë pune, veçmas për ata që i kishin ikur mobilizimit të dhunshëm në Armatën jugosllave.

Meqenëse edhe në Shqipëri nisë vala e pakënaqësive Fejzullahu, duke mos dashur të mbetet barrë e shokëve dhe e miqve më 1996 kalon në Zvicër.

Ai çdoherë në lëvizje dhe kontakte me ish-kolegë e nxënës edhe këtu deri në pension të merituar do ta bëjë punën e mësuesit dhe të përgjegjësit, në disa punkte të Shkollës me Mësim Plotësues në Gjuhën Shqipe, në kantonin e Solothurnit.

Në të njëjtën kohë me shumë përkushtim e kryen edhe detyrën e Sekretarit të LAPSH-it, në Zvicër.

Fejzullahu në qershor të vitit 1997,do të ndihmojë pa u kursyer si në organizim ashtu dhe në rritje të anëtarësisë së shoqatës “Bashkimi i Intelektualëve Shqiptar në Zvicër” themelues të së cilës ishin intelektualët shqiptarë: Dr.Ahmet Xhigoli, Dr. Afrim Krutani, Sinollah Shehu e të tjerë.

Kjo shoqatë jo fitimprurëse do ta ketë si organ të saj edhe revistën “Bashkimi” ku krijues fushash të ndryshme do t’i publikojnë punimet e tyre.

Abasi duke qenë herë në funksionin e sekretarit e herë në atë të kryetarit të kësaj shoqate bën punë të mrekullueshme.

Falë përpjekjeve të tij të pandërprera mblidhen afër 40 mijë euro të cilat shfrytëzohen për botimin e një varg librash dhe monografish të krijuesve tanë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Diasporë.

Po ashtu nën patronatin e kësaj shoqate promovohen libra me autorë të fushave të ndryshme.

Fejzullahu edhe pse i ka kaluar të 76-tat,ende prezanton në të gjitha Kuvendet vjetore të LAPSH-it, anekënd Zvicrës.

Në këto tubime me arsimtarë, prindër e nxënës përveç këshillave dhe sugjerimeve vazhdimisht thërret për unitet dhe marrëveshje që e avancojnë këtë mësim.

Përvoja e tij e gjatë në mësuesi është vërejtur edhe në seminare e debate të ndryshme të cilat referencë kanë pasur dhe kanë temat mbi Shkollat me Mësim Plotësues në Gjuhën Shqipe në Diasporë.

Duke pasur qëllim të vetëm ngritjen e cilësisë dhe përfshirjen sa më të madhe të nxënëseve në këto shkolla shpeshherë edhe ka qortuar duke thënë ”Ç’do t’ju themi gjyshërve, baballarëve ,nënave e motrave tona, kur fëmijët tanë s’janë në gjendje t’ua shprehinë dashurinë dhe t’i ndërrojnë as dy fjalë me ta dhe moshatarët e tyre, në gjuhën shqipe, të cilën rilindësit tanë e shkruan me gjak”

Ky jetëshkrim do të ishte jo i plotë sikur të mos përmendej edhe miqësia e tij e çiltër dhe e painteres me shkrimtarin e madh e disident Agim Shehu.

Shehu, që vdiq më 27 korrik të vitit 2021 në Gjenevë, si në vizita ashtu edhe në takime me shokë e miq thoshte ”rinia s’kthehet dot, pleqëria shpie kah vdekja, por çfarëdo që të ndodhë s’jam me merakun e veprave të mia.”

“Ato edhe pse erdhën vonë para lexuesit për shkaqe tashmë të njohura falë mikut tim të shtrenjtë Abas Fejzullahu, gjenden në biblioteka e shtëpi të atyre që leximin e ndjejnë ushqim të shpirtit”

Vlen të theksohet që edhe më 20 Nëntor të vitit 2004, BISHZ ,me prezencë të kënaqshme të poetëve, historianëve dhe intelektualëve të fushave të tjera e pati bërë promovimin e librit “Loti Alpin” të shkrimtarit tonë të njohur Agim Shehu.

Mësuesi e veprimtari i palodhshëm Abas Fejzullahu u ka prirë edhe dhjetëra aksioneve të tjera me interes për historinë, kulturën dhe traditat tona.

Në saje të punës së tij vetëmohuese dhe të z. Saim Tahiraj, kryetar i shoqatës bamirëse e Atdhetare “Sali Çeku”si dhe mbështetjes së madhe të z.Hamzë Morina, në periudhën prill-maj të vitit 2018 në Zvicër, realizohet me sukses aksioni për ndërtimin e memorialit ”Dr.Ibrahim Rugova” në Malaj të Grykës së Rugovës.

Fejzullahu kontribuon edhe me shkrime të shumta të botuara në gazeta e revista tona me temë nga Historia, Arsimi dhe Kultura jonë.

Prandaj, është koha që altruizmi i tij dhe puna gati 55 vjeçare të shumtën e kohës në baza vullnetare, të njihet nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe ato të Shqipërisë.

Në kompletimin e këtij jetëshkrimi na kanë hyrë në shërbim edhe disa të dhëna interesante të shtruara në Monografinë “Gjimnazi i Mitrovicës 1946-2000”,të autorit të mirënjohur Fazli Hajrizi, botuar në vitin 2000 nga “Libri Shkollor” i Kosovës, për çfarë i jemi mirënjohës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat