Në vend të përkujtimit për profesorin Riza Bicaj

Dokumentare

Në vend të përkujtimit për profesorin Riza Bicaj

Nga: Luljeta Pula Më: 19 shkurt 2023 Në ora: 16:32
Prof. Riza Bicaj- 22 shkurt 1930 – 10 shkurt 2015

Profesori im Riza Bicaj ishte profesori më i dashur dhe më i respektuar në jetën time. Ai ishte thjesht idhulli i rinisë sime. Si asnjë tjetër ai mbetet në kujtimin tim si atdhetar i jashtëzakonshëm, pedagog i shkëlqyer, njeri me virtyte të larta njerëzore, një shëmbëlltyrë e veçantë e patriotizmit, vendosmërisë, përkushtimit, sinqeritetit e mbi të gjitha njerëzisë !

I urtë, i qetë, i dashur, i ngritur dhe vetëmohues, ai ishte fanari ynë që rrezatonte dritë në terrin e madh të Kosovës dhe popullit të saj. Ai ishte shpresa, drita, ai ishte vetë shkëlqimi i së ardhmes që ky popull e priste ndër shekuj.

Profesori im Riza Bicaj ishte kujdestari i klasës sime. Ndaj e shihja jo vetëm si tempull të diturisë dhe reflektim të atdhedashurisë, por edhe si prind e si edukator, i cili në kokat tona fëmijërore ishte ngritur në piedestal. Ai kishte një ndikim të veçantë te nxënësit, jo vetëm në planin kombëtar. Me personin e tij ai impononte respekt e nderim të jashtëzakonshëm. Ai ishte Rilindësi im që më mësoi si duhet atdheu, dhe si luftohet për te ! Veç familjes, ai më dha edukatën kombëtare, më nguliti në kokë dashurinë për kombin e atdheun për të mos i braktisur asnjëherë gjatë gjithë jetës sime.

Alegoritë e metaforat që ai i ndërtonte lehtësisht, ngjallnin në ne një furi patriotike, një vullkan atdhedashurie që nuk u shua asnjëherë !

Profesori im i dashur ndikoi fuqishëm në ndërtimin e personalitetit tim. Si askush tjetër më parë.

Mbaj mend qysh në provimin pranues në gjimnaz kur unë ndër të tjera recitova poezinë “Pak dritë “, të Migjenit , atij i shkuan lotët! Ishte ky një emocion i fuqishëm që nuk e harrova asnjëherë! E donte Nolin dhe e adhuronte atë. Mbaj mend se pëlqente jashtë mase hartimet e mija të cilat të gjitha i kushtoheshin atdheut, kombit dhe lirisë. Të cilat i shkruaja me dashuri e përkushtim. Alegoritë dhe metaforat e tyre lenin mjaft qartë idenë dhe mesazhin e tyre kombëtar. Ndaj ai preferonte t’i lexonte ato edhe në klasat tjera.

Sigurisht kurrë nuk mund ta harroj angazhimin dhe përkushtimin e tij për të më mbrojtur më 1968 kur Këshilli i Arsimtarëve në gjimnaz më kishte shqiptuar masën e përjashtimit nga gjimnazi, pas denoncimit që më bënë nxënësit e klasës tjetër, ca jugosllavë të çoroditur, si nacionaliste e irredentiste siç thonin atëherë. Dënim i cili falë profesorit tim të nderuar Riza Bicaj u shndërrua në parapërjashtim.

Vonë, shumë vonë pas dhjetëra vitesh e luta profesorin tim të bëhej pjesë e Partisë Socialdemokrate, të cilën e drejtoja. Pranoi me kënaqësi dhe ai ishte me ne në shumë aktivitete që nuk i quaj partiake por thjesht kombëtare. Sepse ajo nuk ishte kohë partishë, por kohë lufte kombëtare .

Mbaj mend kur në natën përmbyllëse të fushatës sonë zgjedhore në vitin 2000, kur e luta Fadil Hoxhën të na recitonte Lahutën e Malcisë e ai për befasi të të gjithëve në sallë, recitoi pa ndaluar për 40 minuta Lahutën e Fishtës, të nesërmen në gazetën “ Bujku “ doli një shkrim ku ai përshkruante befasinë e madhe të mbrëmjes Fadil Hoxhën dhe Lahutën të cilën ai të tërën e dinte përmendësh. Ishtë kjo fytyra dhe personi tjetër i Fadil Hoxhës i panjohur gjer atëherë.

Lajmi për humbjen e profesorit tim të dashur ishte një dhimbje shumë e madhe për mua. Pikëllim pa fund! Dhe dhimbja ishte edhe më e madhe kur mësova se varrimi i tij do të bëhej atje larg në dhe të huaj. Nuk mund ta imagjinoja këtë zezonë! Njeriu që me pietet filiste për Rilindasit, njeriu që na mësoi t’i duam dhe t’i adhurojmë ata pafund, ata dhe veprën e tyre për atdhe, njeriu i cili me dhembje të madhe në shpirt na tregonte se ata të syrgjynosur ishin varrosur në mërgim e shumë prej tyre kishin lënë amanetin që eshtrat e tyre t’i binin për t’u prehur në atdhe, unë thjesht nuk doja të besoja se ky njeri e kishte pasur të njëjtin fat! Nuk mund t’i kuptoja fëmijët e tij që një njeri të madhërishëm si babai i tyre kishin vendosur ta varrosnin atje në mërgim. Ndaj uroj që profesori im i nderuar sa më parë të prehet në atdhe. E të mund t’ia binim një lule në varr njeriut që i dha aq shume vendit të tij. Sepse unë e di se kjo mund të ketë qenë dëshira e tij e fundit dhe amaneti i tij. I cili mbase edhe nuk është thënë me zë. Amaneti i cili duhet të respektohet !

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat